Afër 800 mijë vaksina antiCovid në dispozicion, një pjesë u skadon afati në qershor
Shëndetësi / 14 Maj, 2022
admin

Vaksina ka, por jo edhe të interesuar për t’u imunizuar.

Janë mbi 800 mijë vaksina kundër COVID-19 në dispozicion.

Ndërsa, numri i të vaksinuarve brenda ditës, po shkon vetëm deri në tre shifrorë.

E nga ky mosinteresim i qytetarëve ka bërë që t’u dalë afati i skadencës një numri të caktuar të vaksinave kundër COVID-19.

Këtë e kanë bërë të ditur për Front Online, zëdhënësi i këtij dikasteri, Faik Hoti.

“Të gjitha dozat në dispozicion, mbi 800 mijë, janë me afat skadence dhe mund të përdoren gjatë kësaj kohe për vaksinim. Stoku me afatin më të afërt të skadimit që është stoku më i vogël, ka afat deri në qershor, ndërsa të tjerat afate më të gjatë përdorimi”, deklaroi ai.

Hoti tha se vaksinat që u skadon afati, karantinohen, deri në asgjësimin e tyre.

“Sipas udhëzuesve te OBSH, vaksinat që u skadon afati, karantinohen, deri në asgjësimin e tyre sipas procedurave që lidhen me asgjësimin e sigurt të tyre”, ka thënë ai për Front Online.

Bekim Haxhiu: Vaksinave po u skadon afati, Ministria e Shëndetësisë dështoi totalisht në këtë proces

Pikërisht për këtë, Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës e ka lënë fajtor MSH-në, duke e vlerësuar si dështim total menaxhimin me procesin e vaksinimit.

Ai thotë se ka vaksina që tashmë iu ka skaduar afati.

“Jo vetëm që iu skadon afati tani, por ka edhe vaksina të cilat me kohë kanë treguar që iu skadon afati, qoftë në vitin e kaluar, qoftë në këtë vit. Janë edhe disa vaksina të cilave iu ka skadu afati por kjo është mbajtur fshehur nga Ministria e Shëndetësisë. Unë mendoj që Ministria e Shëndetësisë në procesin e vaksinimit është një dështim total, qoftë sa i përket procesit të vaksinimit, qoftë administrimit edhe deri tek skadimi i afatit të vaksinave’, tha ai.

Haxhiu: Vaksinat është dashur të jepen donacion që të mos lejohet skadimi i tyre

Që mos t’i shkonin miliona euro huq Kosovës, Haxhiu thotë se Qeveria është dashur t’ia jap ndonjë vendi që ka pasur nevojë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka pasur mundësi një diplomaci të vaksinave, në veçanti me vendet të cilat e kanë njohur Kosovën, e kur ne kemi pasur vaksina, ne kemi pasur mundësi të ndihmojmë edhe vendet tjera, e të mos lejojmë ato të iu skadojë afati. Janë miliona euro të Republikës së Kosovës të shpenzuara për blerjen e vaksinave edhe për dështim të vaksinimit do të duhej të japin llogari”, u shpreh ai për Front Online.

Që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19, në Kosovë janë dhënë afër 2 milionë doza të vaksinës./FrontOnline

Shperndaje: