AKP: Janë në shitje asetet që nuk janë potenciale për t’u bartur në Fond Sovran
Ekonomi / 30 Maj, 2022
admin

Agjencia Kosovare e Privatizimit  zyrtarisht ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit nr.55

Ishte vet Kryeministri Albin Kurti i cili në planin e tij qeverisës kishte paraparë që AKP-ja të shuhet dhe të transferohet në agjenci brenda Qeverisë, si dhe të krijohet një agjenci për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.

 “AKP duhet të shuhet sepse do të ndërtohet fondi sovran. Nuk mundemi edhe AKP dhe fond sovran, a në zgjedhje ka fituar AKP dhe Banka Zhvillimore prandaj ne duhet ta shuajmë AKP-në. E për ta shuar atë duhet ta shkarkojmë bordin e AKP-së si hapa i parë drejtë shuarjes së AKP-së. Kuvendi ngarkon, Kuvendi shkarkon, Kuvendi ngarkon sërish, AKP shuhet dhe fondi sovran ngritët. Për këtë kanë votuar qytetarët dhe ne jemi në ngritje”, ishte deklarata e Kurtit kohë më parë.

Vendimi për shitjen e aseteve është marr nga Bordi i AKP-së, i cili ishte emëruar nga qeveria Kurti, e që muaj më parë kishte udhëzuar AKP-në të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran.

Nga AKP-ja për Front Online thonë se në përputhje me kompetencat ligjore sipas Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe duke respektuar vendimin e Qeverisë të 9 shkurtit të këtij viti, APK ka nxjerrë në shitje asete që nuk janë identifikuar si asete potenciale për t’u bartur në Fond Sovran

“Bordi i AKP-së në dhjetor të vitit 2021 ka miratuar Strategjinë Përmbyllëse të AKP-së për vitin 2022-2024. Me vendimin e Qeverisë nr. 03/61 të datës 9 shkurt 2022 udhëzohet AKP që të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran. Prandaj, AKP, në përputhje me kompetencat ligjore sipas Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe duke respektuar plotësisht këtë vendim të Qeverisë ka nxjerrë në shitje asete që nuk janë identifikuar si asete potenciale për t’u bartur në Fond Sovran”, thonë nga AKP-ja për Front Online.

Nga AKP për Front Online kanë thënë se Qeveria është ajo që e ka shfuqizuar vendimin që i kërkonte AKP-së të mos bëjë shpallje të asnjë vale.

 “Vendimi i Qeverisë nr. 03/61 i datës 9 shkurt 2022 i ka shfuqizuar pikat 2, 3 dhe 4 të vendimit të mëparshëm të Qeverisë nr. 07/09 të datës 01.07 2020, në të cilin vendim pika 3 i kërkonte AKP-së që të mos bëjë shpallje të asnjë vale të privatizimit deri sa të miratohet një strategji e re”, thonë për Front Online.

Ish drejtori i AKP-së: Vendimi i Kurtit për ndaljen e privatizimit ishte gabim

“Vendimi i Qeverisë Kurti, për ndalimin e privatizimit, ishte gabim”.

Kështu e thotë për Front Online, ish drejtori i AKP-së, Valon Tolaj.

“Unë e kam ditur gjithmonë që s’ka mu ndalë kurrë. Ndalimi i privatizimit ka qenë gabim, shumë mirë që Kurti ka marr vendim për me vazhdu, por deklaratat publike të qeverisë, janë çështje të qeverisë. Gabim ka qenë kur u ndalë, shumë mirë që po vazhdon, unë e kam dit gjithmonë që ka me vazhdu, kurrë se kam besu versionin që ka mu ndalë, edhe shumë mirë që po vazhdon”, tha ai për Front Online.

Deputeti Shala: Qeveria e ka tërheq në heshtje vendimin për privatizim

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala thotë se Qeveria e ka tërheq në heshtje vendimin e saj për privatizim.

“Qeveria ka marrë vendim, por qeveria e ka tërheq në  heshtje vendimin e saj, por tash ka një vendim tjetër që AKP-në e kthen në një situatë çfarë ka qenë para vendimit të Qeverisë Kurti”, tha ai.

Deputeti Shala për Front Online e konsideron të rëndësishme që AKP, po vazhdon procesin si në të kaluarën.

Por, sipas tij vendimet e Kurtit, po e dëmtojnë rëndë ekonominë e AKP-së

“Z. Kurti ka bërë shumë deklarata të cilat janë tipike popullsite, parimisht ka qenë ndërhyrje veprimi i tyre, dhe AKP sot pret strategjinë që ka premtu Kurti, AKP pret Fondin Sovran që ka premtu Kurti, e që nuk po i realizon, AKP-ja pret konceptin e ri ekonomik politikë dhe zhvillimor për mbylljen e AKP-së të cilën Kurti sot nuk po e realizon”, tha ai për Front Online.

“AKP-ja është paralajmëru me e-maile dhe ka pasur ndërhyrje direkte në proces të cilat po i kushtojnë shumë ekonomisë së vendit sot, pra Qeveria Kurti, kryeministri me vendimet e tij po e dëmtojnë rëndë ekonominë AKP-në, komplet procesin e punës në Kosovë, këto janë skandalet e radhës në kuptimin e pronës dhe privatizimit”, tha ai për Front Online.

Qeveria e Kosovës pati udhëzuar që AKP-ja të mos i vendos në shitje asetet që janë të identifikuara për të kaluar në fondin sovran.

Por me datën 9 shkurt të këtij viti, Qeveria ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/09 i datës 01.07.2020, sipas të cilit pikat 2, 3 dhe 4 të Vendimit Nr.07/09 të datës 01.07.2020 shfuqizohen, ndërsa shtohet pika 2 sipas të cilës: “Udhëzohet AKP të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran” dhe shtohet pika 3: “Asetet mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran”.

Shperndaje: