“Fluturojnë” çmimet/ Shteti po i “shkel” pensionistët!
Ekonomi / 6 Mars, 2023
admin

100 euro pension të rregullt mujor marrin në Kosovë personat që kanë mbushur moshën 65 vjeç.

Këto mjete dalin në xhirollogaritë e pensionistëve që nga janari i vitit të kaluar kur Qeveria Kurti mori vendim që pensionet nga 90 euro të bëhen 100.

Shumë të njëjtë marrin edhe personat me paaftësi të përhershme që posedojnë dokumentet e identifikimit dhe të cilët i kanë 18 deri 65 vjeç.

Shuma e pagesës për personat e verbër është 125 € në muaj si dhe 125 € për shoqëruesit e personave të verbër, shkruan Front Online.

Shuma e pensionit kontribut pagues të moshës nga muaji janar 2016 ka pësuar ndryshime ku pensionet paguhen sipas kategorizimeve në bazë të nivelit të shkollimit si në vijim :

Kategoria e parë-pensionist i pa arsimuar ose me arsim fillor – shuma e pensionit është 182 euro;

Kategoria e dytë – pensionist me arsim të mesëm- shuma e pensionit është 198 euro;

Kategoria e tretë –pensionist me arsim të lartë – shuma e pensionit është 214 euro;

Kategoria e katër –pensionist me arsim universitar- shuma e pensionit është 265 euro.

Ani, pse Qeveria në kohë të pandemisë dhe vitin e kaluar për shkak të rritjes së inflacionit u dha shtesa këtyre kategorive, këto të fundit thonë se ato janë të pamjaftueshme, sidomos tash e sa kohë inflacioni në vend ka shënuar ngritje.

Përfaqësues të këtyre kategorive deklarojnë për Front Online se pavarësisht kërkesave për rritje të pensioneve, Qeveria nuk po i merr parasysh.

 

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve: Pensioni duhet të jetë afër 400 euro

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi, thotë se Qeveria e Kosovës po i privon nga Ligji i Skemave Pensionale.

Derisa, shton se shuma prej 100 euro nuk është e mjaftueshme.

“Ajo që nuk janë të mjaftueshme nuk do koment, por çka është më tragjike është që Qeveria nuk po i përmbush obligimet e veta në bazë të nenit 13 dhe 14 të Ligjit të Skemave Pensionale dhe do të thotë që diçka që na lejohet me ligj po na privon nga ajo e drejtë, që do të thotë e hanë atë që neve na takon do të thotë atë që na takon ata nuk po na japin, po na privojnë nga e drejta jonë që e kem të garantuar me ligj”, ka deklaruar Gashi për Front Online.

Thotë se pensioni duhet të jetë afër 400 eurove.

“Është e garantuar që Qeveria çdo fund vit e ka obligim me bë vlerësimin e inflacionit, dhe në bazë të inflacionit që ka ndodhë duhet me bë edhe rritjen e pensioneve. Qeveria nuk e ka bë atë vlerësim kurrë dhe nuk na ka raportua kurrë dhe nuk na janë rrit pensionet fare. Realisht pensioni mesatar tash do të duhej me qenë afër 400 euro”, është shprehur ai.

Gashi, pohon se nga Qeveria po trajtohen në mënyrën më përbuzëse.

“Hera e fundit ka qenë në vitin 2018, dhe jemi në vitin e pestë kur nuk ka pas ngritje. Kemi bë kërkesë, nuk kanë ndërmarrë asgjë, nuk merren me neve fare dhe po trajtohemi në mënyrën më fyese, me përbuzëse të mundshme”, thotë ndër të tjera Gashi.

 

Maliqi: Në bazë të rritjes së pagës minimale duhet të rriten edhe pensionet

Drejtori i organizatës “Handikos”, Afrim Maliqi, deklaron për Front Online se shuma e pensioneve që marrin kategoritë e personave me aftësi të kufizuara janë të pamjaftueshme.

“Për asnjë grup shuma nuk mjafton, assesi nuk mjafton shuma dhe në veçanti nuk mjafton shuma te ligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, por asnjë person tjetër me aftësi të kufizuara nuk marrin shërbimet e duhura apo shërbimet e nevojshme shëndetësore nga institucionet e tona dhe përmes kësaj shume këta duhet t’i mbulojnë të gjitha shërbimet dhe shpenzimet, duke filluar nga rehabilitimi, barnat e të tjera”, ka thënë ai, për Front Online.

Maliqi ka treguar edhe ndarjen se si bëhet në bazë të kategorive dhe shumën e pensionit që marrin këto të fundit.

“Ligji i parë është pensionet e aftësisë së kufizuar, ku personat me aftësi të kufizuara vlerësohen si të paaftë për punë dhe i  marrin një shumë prej 100 euro, mirëpo në këtë ligj pensionet e aftësisë së kufizuar hyjnë edhe grupet e tjera të personave që janë të paaftë për punë që kanë probleme apo sëmundje të ndryshme, por pavarësisht kësaj ka persona që nuk hynë në këtë pjesë sepse kriteret janë shumë të forta dhe nuk marrin pension. Kemi ligjin për mbështetjen materiale të familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme ku i marrin prej moshës 1-18 vjeç i marrin 100 euro edhe këtu kriteret janë shumë të rrepta dhe të forta”, u shpreh ai.

Maliqi ka përmendur edhe ligjet e tjera ku kategoritë e ndara brenda tij marrin shuma të caktuara por që janë të pamfjaftueshme për ta.

“Pastaj është ligji për të verbrit. Nëse personi është 100% i verbër i merr 125 euro dhe shoqëruesi i tij i merr 125 euro, nëse është më pak i verbër i merr vetëm 125 euro dhe në fund është ligji për statusin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik ku një person paraplegjik i merr 150 euro, nëse vlerësohet se ka nevojë për kujdestar edhe kujdestari i merr 150 edhe 75 euro i merr material, apo mjete shtese financiare për mbulimin e materialit të përditshëm”, ka shtuar Maliqi, për Front Online.

Thotë se nuk e di saktë sa vite kanë kaluar që kur janë rritur pensionet për disa prej këtyre kategorive.

“Pensioni për moshën 1-18 vjeç është rrit para 3 viteve nëse nuk gaboj , por në të njëjtën kohë është rrit edhe ky për pensionet e aftësisë së kufizuar e që janë deri në 64 vjeç, por një rritje shumë e vogël, por te këto tjerat nuk është rrit, por ka ndodhë vetëm kur Ministria i ka mbështet shkaku i pandemisë prej 100 euro”, është shprehur ai.

 

Ndërsa, deklaron se derisa flitet për rritje të pagës minimale duhet të rriten edhe pensionet sidomos për personat paraplegjik dhe tetraplegjik

“Ligji për personat paraplegjik dhe tetraplegjik bazohet në ligj që do të mbulohen shërbimet e domosdoshme mujore e që në fakt nuk ju dalin edhe ligji thotë se shuma duhet të jetë e bazuar në shumën e pagës minimale në Kosovë. Tash paga minimale ka ndryshua, mirëpo mbështetja financiare apo pensionet nuk kanë ndryshuar fare dhe ata vazhdojnë të marrin shumën e njëjtë”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, kërkesat e tyre nuk po merren parasysh, ani pse kanë bërë mjaftë të tilla.

“Kemi bërë kërkesa, por nuk po merren parasysh. Edhe me vet faktin kur thuhet që paga minimale rritet atëherë ligji e nënkupton vetvetiu që rritet edhe pensioni i personit me aftësi të kufizuara i cili bazohet në shumën e pagës minimale duhet të rritet dhe nuk është rritë”, ka thënë ndër të tjera ai.

 

Pozhari: Pensionet prej 100 euro janë lëmoshë

Iniciuesi i fushatës “Dinjitet për Pensionistët”, Xhevdet Pozhari deklaron se pensionistët po vazhdojnë të shpërfillen nga secila Qeveri, duke mos e përjashtuar as Qeverinë Kurti.

Sipas tij, 100 euro për ta janë lëmoshë.

“Pensionistët ishin dhe vazhdojnë të mbeten shtresa që në vazhdimësi është shpërfillur nga cilado Qeveri. Me të drejtë është pritur që kjo Qeveri të kthejë vëmendjen edhe kah kjo kategori, por të paktën deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Me shkallën e lartë të inflacionit, shtrenjtimin e çmimeve, pagesa prej 100 euro  nuk mund të konsiderohet pension, por lëmoshë”, ka thënë Pozhari, për Front Online.

Kurse, sa i përket vendimit të Ministrisë së Financave për angazhimin e ekipeve mobile për qëllim të lajmërimit të pensionistëve në dhe mbi moshën 85 vjeç, për disa komuna Pozhari thotë se ky është një joseriozitet i radhës i Ministrisë.

“Sa i përket vendimit të Ministrisë së Financave që pensionistët mbi moshën 85 vjeçare mos të paraqiten çdo 6 muaj për të dëshmuar se janë gjallë, është veç një jo seriozitet i radhës që të çon të thuash se mirë që pragun e moshës nuk e kanë rritur deri në moshën 100 vjeçare. Atëherë ndoshta do të kishin më pak punë. Dhe, saktësisht mos puna e kësaj ministrie e pasqyron edhe gjendjen e rëndë dhe të pandryshuar për pensionistët në Kosovë”, është shprehur Pozhari.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës numri i përfituesve të pensioneve dhe skemave sociale në janar të vitit 2023 është mbi 303 mijë.

Numri më i madh i atyre që marrin pensione është i atyre në dhe mbi moshën 65- vjeç e që është mbi 140 mijë./Front Online/

Shperndaje: