Interesim i vogël, që nga tetori vetëm 16 vajza u vaksinuan kundër kancerit të qafës së mitrës
Shëndetësi / 12 Janar, 2023
admin

Në Kosovë, ka nisur vaksinimi kundër kancerit të qafës së mitrës.

Që nga tetori që kur edhe ka filluar vaksinimi, vetëm 16 vajza të mitura e kanë marrë një injeksion të tillë.

Lajmin e kanë konfirmuar për Front Online nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

“Deri më tani janë vaksinuar 16 persona”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për Front Online.

Nga IKSHPK kanë bërë të ditur për Front Online se aktualisht i kanë në dispozicion 300 vaksina.

Nëse do furnizohet më shumë, Front Online ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë.

Në një përgjigje nga kjo ministri thonë se numri i dozave do të rritet sipas nevojës.

Madje thonë se në vitin e ardhshëm po planifikohet të jepet rregullisht.

“Ju informojmë se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 300 vaksina të HPV, mirëpo numri i dozave të kësaj vaksine do të rritet sipas nevojës. Ndërsa nga viti 2024 planifikohet që vaksina HPV të përfshihet në kalendar të rregullt të vaksinimit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Front Online.

Kjo vaksinë iu jepet moshave të reja.

Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj thotë se preferohet ta marrin vajzat para pubertetit.

“Patjetër, kjo vaksinë është në të gjitha vendet e botës, edhe regjionet është si program nacional që fillohet me mosha të reja. Nuk jepet vaksina para marrëdhënies së parë seksuale, diku para pubertetit, nga mosha 12 vjeçe duhet të bëhet vaksina, është problem me u dhënë te pacienti ose te gratë që kanë marrëdhënie ose kanë lind”, deklaroi ai për Front Online.

Derisa Ndrejaj foli për dhënien e kësaj vaksine, ai shton se numri i dozave është i vogël.

“Mirë që kanë filluar dhënia e vaksinave, por 300 janë shumë pak, dhe duhet të jepet tek rastet që kanë trashëgimi”, deklaroi ai për Front Online.

Gjatë vitit 2022, në Klinikën Gjinekologjike janë diagnostikuar dhe trajtuar 72 raste me kancer të qafës së mitrës./Front Online/

Shperndaje: