IVF në Gjinekologji/ MSH-ja ndanë rreth 1 milion euro për blerjen e pajisjeve mjekësore
Shëndetësi / 29 Maj, 2023
admin

Një shërbim që kryhej në spitale private me vlerë rreth 4 mijë euro, shumë shpejt do të nis në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, konkretisht në Klinikën e Gjinekologjisë, raporton Front Online.

Shërbimi për frytnim të asistuar mjekësor do të nis posa të sigurohen pajisjet mjekësore.

Kështu kanë thënë për Front Online nga Ministria e Shëndetësisë.

“Është hapur tenderi publik, përmes të cilit parashihet të sigurohen pajisje mjekësore, instrumente dhe inventar medicinal për shërbimin e Frutnimit të Asistuar Mjekësor (FAM-IVF) në Gjinekologji-QKUK”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Për sigurimin e pajisjeve do të shpenzohen afër 1 milion euro.

“Vlera e parashikuar për sigurim të pajisjeve për këtë vit është 951.900 euro. Shërbimet do të fillojnë pasi të jenë siguruar e vendosur pajisjet dhe inventari medicinal që do të tenderohet, dhe normalisht të jenë kryer edhe trajnimet e nevojshme për stafin që ka nevojë meqë ky është në shërbim i ri në kuadër të shërbimeve të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës”, treguan për Front Online nga Ministria e Shëndetësisë.

Me këto investime, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se do të rriten kapacitetet për këto shërbime.

“Sigurisht, këto investime bëhen edhe për të rritur kapacitetet në infrastrukturë, pajisje dhe inventar mjekësor. MSh ka hartuar dhe miratuar Planin e veprimit për Fertilizim të Asistuar Mjekësor dhe Citogjenetikë ka për qëllim të themelimit, funksionalizimit dhe përmirësimit të kualitetit të këtyre shërbimeve në sektorin publik në Kosovë si dhe krijimin e shërbimit të diagnostikës Citogjenetike në kuadër të së cilës do të ofrohet edhe amniocenteza”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Drejtori i Gjinekologjisë: Brenda pak muajsh nis shërbimi për frytnim të asistuar mjekësor

Se do të fillojë shërbimi i IVF-it në Gjinekologji, menjëherë pas blerjes së pajisjeve e thotë edhe drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj.

Ai për Front Online thotë se për pak muaj arrijnë pajisjet mjekësore në Klinikën e Gjinekologjisë.

“Puna në trajtimet e pacientëve të cilët kanë nevojë për IVF, pritet të filloj menjëherë posa të na arrijnë pajisjet mjekësore (aparaturat) e punës për ato procedura. Pajisjet janë në procedurë të tenderimit për blerje, e që ka ndihmuar Ministria. Presim brenda pak muajve të arrijnë në KOGj”, tha ai për Front Online.

Kërkesat e larta, mund të ndikojnë në shtimin e stafit në  Gjinekologji.

Kështu tha drejtori i kësaj Klinike, Zef Ndrejaj.

“Staf mjekësorë për fillimin e punës kemi mjaftueshëm, por sipas kërkesave në të ardhmen mundemi edhe të shtojmë numrin e stafit. KOGj ka kapacitete të mjaftueshme për shërbimin e IVF”, tha ai. 

Fertilizimi i asistuar mjekësor është frytnimi i asistuar mjekësor me ç ‘rast përdoren qelizat riprodhuese personale të të dy bashkëshortëve.

Shperndaje: