Koeficientët sekret/ A do të rriten apo do të ulen pagat me Ligjin e ri?
Ekonomi / 6 Janar, 2023
admin

Ligji i Pagave në sektorin publik u miratua në Kuvend më 22 dhjetor të vitit 2022.

I njëjti të mërkurën e 4 janarit të 2023-ës mori dekretimin edhe nga anë e Presidentes, Vjosa Osmani.

 

Megjithatë akoma nuk dihet se sa është paraparë të jetë vlera e koeficientit që përcakton rrogat për punonjësit shtetërorë.

 

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri ka thënë për Front Online se Qeveria me mbajtjen sekret të vlerës po do ta shtyjë implementimin e ligjit.

“Në ligj shkruan që vlera e koeficientit përcaktohet çdo vit me ligjin vjetor të buxhetit. Qeveria e ka kaluar ligjin për buxhetin dhe e ka anashkaluar definimin e vlerës së koeficientit në buxhet. Në buxhet i ka paraparë pos 75 milionë euro më shumë për pagat. Kjo shumë s`mjafton me e mbulu implementimin e Ligjit për 1 vjet. Pos për gjysmën e dytë të vitit 2023, qershor e andej”.

Megjithatë, ligji që veçse është përcjell për publikim në Gazetën Zyrtare pritet të hyjë në fuqi nga muaji shkurt.

Shatri ka thënë se nëse ndodh kjo, atëherë me shumën prej 75 milionë eurove shtesë për pagat, vlera e koeficientit i bie të jetë pos 100 euro.

“Vlera e koeficentit nëse është 100 euro me këtë buxhet mundet me u implementu. Nësë caktohet 120 euro, nuk kanë me mujt me implementu. Koeficienti duhet të jetë 120 euro së paku ose për me i mbulu shpenzimet e shportës 130 euro. Më 130 i bjen me pasë ngritje, por jo ndonjë ngritje e lumtur”, theksoi Shatri për “Front Online”.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte pretenduar se vlera e koeficientit mund të përcaktohet në janar.

“Kemi marrë kohë më shumë se që është dashur. Duke pas parasysh përvojën e parë që herën e parë na u hodh poshtë, nuk kemi dashur të nxitohemi. 745 milionë euro është totali. Për ne, pikënisja është tërësia, jo pjesa, jo elementi. Nuk e kemi pas si pikënisje vlerën e koeficientit, por si tërësi. Në janar do të vendoset vlera e koeficientit”, kishte thënë ai.

Ndërkohë deputeti i PDK-së, njëherit anëtari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvend, Ferat Shala tha se po shqyrtojnë mundësinë që të ankohen për Ligjin e Pagave.

“Mbajtja peng e koeficientit nënkupton një lojë politike të pandershme dhe jo ligjore. Vërejtjet tona nuk janë marrë për bazë në komisione. Jemi duke analizuar çdo mundësi me institucione e kategori të caktuara që ta ankimojmë ligjin”, theksoi Shala për “Front Online”.

E ekonomisti Imer Raçi thotë se vlera e koeficientit duhet të jetë ajo vlerë që e mbulon inflacionin, që në nëntor ishte 11.6 %.

 

“Si të arrijmë tek kjo ndryshe përveç me rritje të pagave, subvencionim dhe ulje të tatimeve për qytetarët”, u shpreh Raçi për “Front Online”.

 

Me projektligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit është 120 euro, pagat do jenë si vijon:

Paga aktuale e presidentes nga 2.743 euro bëhet 2.160 euro.

Paga e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nga 3.574 euro zbret në 2.100 euro.

Te kryeministri, i cili aktualisht pagën e ka 1.075.25 euro, me projektligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit do të jetë 120 euro paga rritet në 2.040 euro.

Rritje të pagave do të ketë për mjekët specialistë, mësimdhënësit dhe policët.

Për mjekët specialistë, projektligji për paga ka vendosur koeficientin 12, ndërkaq, për mësimdhënës në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, koeficienti është 5.6.

Paga aktuale e mjekëve specialistë është 600 euro, e cila me vlerë monetare të koeficientit 120 euro rritet në 1.440 euro.

Për mësimdhënësit në shkollat fillore, të cilët marrin pagë mujore 470 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120, ajo rritet në 672 euro.

Sipas projektligjit, mësimdhënësit në shkollën e mesme të lartë, do ta kenë koeficientin 5.8. Paga aktuale e një mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë është 525 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120 rritet në 696 euro.

Për mësimdhënësit në arsimin e mesëm të ulët, koeficienti me projektligjin e ri është 5.6.

Paga e një mësimdhënësi në shkollë të mesme të ulët është 530 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120 rritet në 672 euro.

Me projektligjin e ri për pagat, koeficienti për policët është 4.4.

Paga aktuale e një polici është 392 euro, ndërsa me vlerë monetare të koeficientit 120 euro rritet në 528 euro.

Koeficienti më i ulët në këtë projektligj është 2 dhe ai iu takon pozitave si: rekrut/ kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Tek kjo kategori, sipas gazetarit Lavdim Hamidi, Qeveria e shkel Ligjin për Pagën Minimale nëse koficienti i pagave caktohet nën 125€.

“Sipas Ligjit, policët fillestar, kadetët e FSK-së e kanë koficientin 2. Kështu që as shteti nuk guxon me dhënë paga nën 250 €”, shkroi Hamidi në Facebook.

Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale.

Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Akoma nuk ka kaluar në lexim të dytë./Front Online/

Shperndaje: