Komuna e Kaçanikut furnizohet me dru për dy dimra, jep tender afër 400 mijë €
Prokurim / 16 Mars, 2023
admin

Komuna e Kaçanikut ka blerë drutë për dy vjet e ardhshme.

Ajo ka nënshkruar kontratë në vlerë 375 mijë euro me kompaninë “Dardani”.

Atë e ka shpërblyer me tender, përmes procedurës së hapur, në të cilin aktivitet prokurimi kriter kryesor ishte çmimi më i ulët.

Kontrata është publike kornizë që nënkupton se kompania që u zgjodh fituese, furnizimin me dru do ta bëjë sipas nevojës. Pra komuna do të paguajë për metrat e drunjve që djeg, raporton “Front Online”.

Në aktivitetin e prokurimit morën pjesë dy kompani.

“Aome” ofertoi me një çmim prej rreth 400 mijë eurove.

Kurse operatori “Dardani” konkurroi me 375 mijë sosh, duke u shpallur edhe fitues.

Komuna ka kërkuar afër 5 mijë metra kub dru.

Peleti e druri kryesojnë si lëndë djegëse që komunat përdorin për ngrohje.

Mbi 357 mijë euro komunës së Suharekës, i ka kushtuar blerja e drurit dhe peletit për shkolla, Qendra të Mjekësisë Familjare e institucione kulturore.

Për mirëmbajtjen e ngrohjes qendrore, Ferizaj shpenzoi 12 mijë e 542 euro.

Furnizimi me dru, komunës së populluar me shumicë serbe, Novobërdës, i kushtoi afro 59 mijë euro.

Dimri që kaloi ishte paralajmëruar të jetë i vështirë për shkak të krizës energjetike dhe ngritjes së vazhdueshme të çmimeve për produktet bazike./Front Online/

Shperndaje: