Komuna e Prishtinës jep direkt tender gati 700 mijë euro për sigurimin e objekteve
Prokurim / 26 Janar, 2023
admin

Komuna e Prishtinës ka shpërblyer me kontratë në vlerë gati rreth 700 mijë euro kompanitë, Delta Security dhe Security Code.

Autoriteti lokal ka shfrytëzuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës për dhënien e tenderit i cili ka të bëjë me sigurimin fizik të objekteve komunale dhe atyre shëndetësore që janë nën menaxhimin e kryeqytetit.

Delta Security do të përkujdeset për sigurimin fizik të objekteve dhe institucioneve tjera komunale, raporton “Front Online”.

Për këtë punë, ajo do të arkëtojë 397 mijë e 958 euro.

Kurse kompania tjetër e përzgjedhur nga komuna, Security Code do të sigurojë hapësirat e Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, për çka do të fitojë 262 mijë e 607 euro.

Tenderët njëburimor si ky kufizojnë konkurrencën, teksa rrisin mundësinë për çmime më të larta.

Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës përdorën nga autoritetet kontraktuese për çfarëdo kontrate publike.

(i) nëse, për arsye objektive dhe të detyrueshme teknike ose artistike, kontrata duhet ti ipet një operatori të caktuar ekonomik;

(ii) nëse, për arsye të mbrojtjes së të drejtave të pronës intelektuale apo industriale apo të drejtave ekskluzive, kontrata mund t’i ipet vetëm një operatori
të caktuar ekonomik.

(iii) nëse, për aq sa është shumë e nevojshme për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues./Front Online/

Shperndaje: