Kontratat bazë e as ato aneks s`mbuluan shpenzimet, dëmi 4.3 milionësh i Ministrisë së Infrastrukturës
Lajme / 16 Maj, 2023
admin

Dhjetëra shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në tenderë të ndryshëm të dhënë nga Ministria e Infrastrukturës.

Fjala është për kontratat aneks, të cilat aplikohen thuajse pas çdo kontrate për punë.

Në vitin 2021 Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kishte kontraktuar afër gjashtë milion euro për 26 kontrata aneks, me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Kontratat aneks të lidhura nuk ishin të mjaftueshme për të përfunduar projektet që dikasteri i kishte filluar. Kostoja për 13 kontratat aneks që u adituan ishte mbi 4 milion euro, ndërsa vetëm për katër nga këto projekte, kostoja shtesë e përllogaritur përtej vlerës së kontratave aneks është mbi 4.3 milion euro.

Shkeljet

Ministrisë i kishte munguar elaborati gjeo-mekanik në tri projekte që kemi audituar nga gjithsej tetë ku aplikohet kjo kërkesë.

Këto janë: “Asfaltimi i rrugës Babush-Tern-LubocKoshare-Slivovë”, “Ndërtimi i rrugës Lubozhdë-Lugu i butë” dhe “ndërtimi i rrugës Dragash-Brod”.

Projektuesi nuk e kishte bërë fare shqyrtimin gjeo-mekanik për projektin “Asfaltimi i rrugës Babush-Tern-Luboc-Koshare-Slivovë”. Në para-masën e këtij projekti, projektuesi kishte përcaktuar më pak sasi të gërmimit të dheut të kategorisë III-IV6 dhe më pak sasi të mbushjes se që ishte e nevojshme.

Elaborate gjeo-mekanike jo të sakta

Për zgjerimin e rrugës Nacionale N9.1 Dollc-Gjakovë, Ministria e kishte elaboratin gjeomekanik megjithatë pasi që ishin nënshkruar kontratat, gjatë zbatimit, MK-ja dhe OE-ja kishin gjetur mos përputhje në kategoritë e dheut që duhej gërmuar.

Sipas elaboratit, në bazë të së cilit projektuesi kishte hartuar para-masën e projektit, duhej gërmuar kategoria V dhe VI e dheut, ndërsa OE-ja gjatë gërmimit kishte hasur në dheun e kategorisë VII dhe VIII që përbëhet kryesisht nga shkëmbinj. Kështu OE-ja është dashur të angazhohet më shumë (punë shtesë) për të kryer këtë gërmim.

Projekti i hartuar për segmentet e rrugës “Dollc-Gjakovë” dhe “Rakovinë -Dollc” kishte mos përshtatje të projektit me gjendjen faktike në terren.

Në auto-udhën A7.1 Banullë – Bresalc, në Llot-in 2, OE-ja kishte gjetur mospërputhje mes pozicionit të gërmimit të projektuar dhe atij të realizuar, me mbi 27,000 m³.

Këtë mospërputhje e kishte konstatuar edhe komisioni i themeluar enkas për shqyrtimin e punëve shtesë.

Ky pozicion, së bashku me pozicionet tjera përcjellëse, e rrit koston e projektit për mbi 100 mijë euro.

Mos përfshirja e të gjitha objekteve në rrugë nga projektuesi

Ministria, gjegjësisht projektuesi, nuk i kishte identifikuar dhe përfshirë në projekt të gjitha objektet që preken nga projekti rrugor.

Kjo kishte ndodh në projektin “Zgjerimi i rrugës Nacionale N9.1” segmenti Rakovinë – Dollc ku projektuesi nuk kishe paraparë rrënimin e disa objekteve komerciale të cilat gjendeshin përskaj rrugës, e që paraqisnin pengesë për ndërtimin e një mbikalimi të paraparë në projekt.

Gjithashtu varrezat që ndodheshin përskaj rrugës duhej mbrojtur me një mur betoni me gjatësi 65 metra, e që nuk ishe përfshirë në projektin fillestar, si dhe ndërtimi i një zgjidhjeje (rreth rrotullimi) për t’iu mundësuar kyçje disa lokaliteteve në rrugën e re nuk ishte përfshirë në projekt.

Prandaj MK-ja kishte bërë kërkesë për punë shtesë dhe komisioni për vlerësim e punëve shtesë e kishte aprovuar kërkesën e tij. Vlera e kontratës aneks është 523,913€ ose 9.65% e kontratës bazë.

Në projektin për ndërtimin e “Auto-udhës A7.1 Llot 2” projektuesi e kishte paraparë që rruga të kalojë nën rrjetin elektrik , mirëpo nuk e kishte pasur parasysh distancën
vertikale mes rrugës dhe përçuesve elektrik, që ishte shumë e vogël. Me standarde (sipas MK-së) nuk është e lejuar që rrjeti i tensionit të lartë (energjia elektrike) të ketë këtë lartësi
prej rrugës.

Kështu që projekti fillestar është modifikuar për të mundësuar kalimin e rrjetit nga ajror në nëntokësor gjë që kishte kushtuar 32,000 euro vetëm për këtë pozicion ndërsa vlera totale e kontratës aneks është 138,558 euro.

Banorët donin edhe një nënkalim. Zgjidhja e përshtatshme ishte ndërtimi i nënkalimit të dytë në lokacionin ku e kërkojnë banorët.

Ky ndryshim në projekt nuk mund të mbulohet me 10% të kontratës për punë shtesë, pasi që 10% tanimë është shpenzuar për zhvendosjen e rrjetit elektrik dhe punë të gërmimit, kështu që Ministria ka filluar me aktivitet të ri të prokurimit në mënyrë që të përfundohet ky segment i auto-udhës.

Për ndërtimin e rrugës Dragash-Brod, projektuesi nuk kishte përfshirë në projekt zhvendosjen e disa objekteve (krojeve) që ishin “të shenjta” për qytetarët. Prandaj MK-ja kishte bërë kërkesë që krojet të zhvendosen dhe të ruhen pasi që qytetarët kanë dobi nga to.

Ky ndryshim në projekt kishte shkaktuar kosto shtesë, që ishte përfshirë në kontratën aneks të këtij projekti. Kontrata aneks ka vlerën 316,528 euro ose 9.86% të vlerës së kontratës bazë.

Rruga Deçan – Mali i Zi, segmenti 2 me gjatësi 12.58 km, nuk ishte hartuar si duhet për shkak se nuk i kishte përfshirë të gjitha elementet e rrugës në projekt.

 

 

Shperndaje: