Ministria e Nagavcit shpenzon 1.6 milionë euro për ndërtimin e një shkolle në Kamenicë
Prokurim / 24 Shkurt, 2023
admin

Ministria e Arsimit, që drejtohet nga Arbërie Nagavci, ka shpërblyer me tender mbi 1.6 milionë euro kompaninë Standard Plus për ndërtimin e shkollës “Fan Noli” në Kamenicë, komunë kjo që qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kompania ishte rekomanduar nga ministria për kontratë më 9 shkurt të vitit 2023, raporton “Front Online”.

Ujdia mes palëve, ndërkohë, u finalizua më 20 shkurt 2023.

Ministria e Arsimit kishte aplikuar procedurën e hapur për këtë tender, ku kriter kryesor për dhënie ishte çmimi më i ulët.

Në garë morën pjesë gjashtë kompani.

Kompania Standard Plus, e përfaqësuar me emrin Dashmir Limaj, ofertoi me një çmim prej 1.694.452.62 euro, raporton “Front Online”.

Oferta e saj ishte më e lirë se e krejt operatorëve tjerë të cilët ofertuan për këtë aktivitet prokurimi, përjashto grupin e operatorëve Beni Dona dhe Olti.

Megjithatë, këta të fundit nuk plotësuan kriteret tjera të tenderit.

Ministria e kishte njoftuar tenderuesin e suksesshëm, duke i thënë se ka plotësuar kushtet e dosjes së tenderit.

“Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit. Bashkëngjitur me këtë letër është kontrata. Ju lutemi ta nënshkruani dhe ta ktheni në adresën e lartcekur te autoritetit kontraktues”.

Kompania Stanard Plus është në pronësi të biznesmenit Dashmir Limaj.

Kompania figuron e regjistruar si biznes në vitin 2008. Ka fituar kontrata milionëshe edhe më herët nga shteti.

Ministria e Arsimit kishte planifikuar të shpenzojë mbi 2 milionë euro për projektin e ndërtimit të shkollës në Kamenicë.  /“Front Online”

Shperndaje: