Pasanikët e shtetit të varfër
I pakategorizuar / 15 Qershor, 2022
admin

Qindra mijëra euro të tubuara në bankë, miliona të tjera të investuara në patundshmëri, e % të aksioneve nëpër kompani.

Kjo është pasqyra që nxori deklarimi i pasurisë së politikanëve dhe zyrtarëve tjerë të lartë shtetërorë për vitin 2022.

I pakonkurrencë edhe kësaj here është Behgjet Pacolli. Pasuria e tij totale sillet diku rreth 743 milionë euro, duke e bërë atë zyrtarisht njeriun më të pasur në Kosovë.

Si pasuri të paluajtshme, ka deklaruar diku 210 milionë euro. Këtu përfshihen shtëpi, toka dhe hotelet. Vetëm një shtëpi e tij kushton gati 18 milionë euro.

Për hotelin “Swiss Diamond” ka thënë se ka vlerë 42 milionë euro. Tek pasuria e luajtshme, Pacolli ka deklaruar avionin, për të cilin thotë se kushton 8 milionë euro. Përveç avionit, ka deklaruar edhe tetë veturat e tij. Në total, vlera e pasurive të luajtshme sillet rreth 8 milionë e 504 mijë euro. Pacolli posedon edhe shumë aksione në shoqëri komerciale. Vlera e tyre sillet rreth 506 milionë euro. Vetëm në Mabatex Group ka aksione në vlerë 200 milionë euro, për të cilat ka deklaruar pronësi të përbashkët.

 

Lidershipi shtetëror/Pasuria e majme e Osmanit, Konjufcës e Kurtit
Keq nuk janë as politikanët e tjerë. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në listën e pasurive të paluajtshme veç të saj ka deklaruar se ka një banesë me garazhë vlera e së cilës është 42 mijë e 500 euro, e që figuron si e papërfunduar, po ashtu edhe një parcelë toke vlera e së cilës është 35 mijë euro. E pasuri të bashkëshortit ka deklaruar dy shtëpi dhe një banesë. Para të gatshme, çifti, i kanë gjithsej 73 mijë e 618 euro.

Në formularin e deklarimit të pasurisë për këtë vit, Vjosa Osmani nuk e ka deklaruar vlerën e shtëpisë së blerë në lagjen “Marigona Hill”, por e ka përshkruar si “banim në varg (e kontraktuar por nuk është ende në pronësi të deklaruesit) – nuk ka vlerë reale, në ndërtim të vrazhdë”, raporton Front Online. E para e shtetit të Kosovës ka bërë të ditur vetëm se ka borxh prej rreth 88 mijë euro ndaj “Marigona Hill”. Ka bërë të ditur se ka marrë për borxh një parcelë në një lagje tjetër ekskluzive në kryeqytet “Lagjaj e Gjelbër”. Nuk ka treguar se kush i kishte borxh dhe çka.

Keq punët nuk i ka as Glauk Konjufca.

Kryekuvendari, sipas përllogaritjeve të dala nga raporti i deklarimit të pasurisë në Agjencisë Kundër Korrupsion për vitin 2022, del se ka një pasuri të paluajtshme mbi 325 mijë euro në pronësi të përbashkët familjare.

Përdallim prej vitit 2021, ai tash ka shtuar edhe një banesë në vlerë 44 mijë euro, që thotë se e ka blerë në vitin 2021 me kredi dhe kursime.

Për sa i përket parave të gatshme, Konjufca ka deklaruar se ka 8 mijë e 243 euro në xhirollogari bankare, duke e dyfishuar “keshin” krahasuar me vitin e kaluar kur kishte pak mbi 4 mijë euro.

Lidhur me detyrimet, i pari i Kuvendit të Kosovës thotë se ka kredi 67 mijë euro, që duhet ta lajë për 12 vjet.

Ai thotë se nga paga si kryetar Kuvendi, përfshirë meditjet dhe nga paga në Vetëvendosje merr 32 mijë e 287 euro në vit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe këtë vit në deklarimin e pasurisë ka deklaruar banesën 67 m2 e blerë në vitin 2018 e që është në pronësi të bashkëshortes së tij në vlerë 400 mijë euro, raporton Front Online.

Bashkëshortja e kryeministrit ka të kursyera në bankë 23 mijë euro në Norvegji, ndërkaq Kurti vetëm 400 euro. Ajo ka edhe borxhe. Është në kredi në vlerë 290 mijë euro, që e ka në kohëzgjatje prej 25 vitesh, e që ka thënë se e ka marrë për blerjen e apartmentit 400 mijë eurosh.

39,200 euro janë të hyrat vjetore neto të bashkëshortes së Kurtit, derisa Kryeministri merr 12 mijë e 903 euro në vit.

Pasuri të majme kanë dy vartësit e tij në Qeveri, Besnik Bislimi dhe Donika Gërvalla.

Donika Gërvalla del se ka një pasuri të paluajtshme mbi 125 mijë euro në pronësi të saj.

Ajo ka deklaruar në AKK se posedon një truall me shtëpi banimi në vlerë 100 mijë euro, po ashtu tokë pyjore në vlerë 10 mijë euro dhe tokë bujqësore në vlerë 15 mijë euro.

Gërvalla posedon edhe një veturë të tipit Toyota Avensis në vlerë 8 mijë euro.

Ministrja Gërvalla ka dekaruar 57 mijë e 870 euro si të hyra vjetore të saj nga paga që merr nga Qeveria, nga të ardhurat e saj në Gjermani. Në këtë shumë ka përfshirë edhe një dhuratë 700 euro dhe meditjet në vlerë 7 mijë e 770 euro. Burri i saj, që punon në Bundestagun gjerman, po ashtu ka të hyra të majme vjetore, 53 mijë e 968 euro. Të dy bashkë arkëtojnë mbi 110 mijë euro në vit.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar të hyra vjetore familjare që e kalojnë shumën prej 80 mijë euro, raporton portali Front Online.

Sipas formularit të deklarimit të pasurisë të publikuar nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, Bislimi ka deklaruar rreth 18800 euro të hyra neto në vit nga Qeveria e Kosovës, mbi 29500 euro nga Universiteti Amerikan në Kosovë, mbi 3700 euro mëditje në vit nga Qeveria, përderisa paga e bashkëshortes së tij në Universitetin Amerikan 28000 euro në vit.

Bislimi poashtu ka deklaruar edhe 440 mijë euro patundshmëri dhe mbi 20 mijë euro vetura.

Në anën tjetër, bashkëshortja e tij ka deklaruar 215 mijë euro kredi.

Shefat e kabineteve 

Bukur mirë me pasuri qëndrojnë edhe dy zyrtarë, që për disa rangje janë më poshtë sesa politikanët.

Fjala është për Luan Dalipin, shefin e kabinetit të Kurtit dhe Blerim Velën, shefin e kabinitetit të Osmanit.

Në bazë të deklarimit, Dalipi shihet se ka një shtëpi në Marigona Residence, që bashkë me tokën kap vlerën e 650 mijë eurove, e cila është në pronësi të bashkëshortes.

Po ashtu, Dalipi ka edhe një banesë në vlerë prej 107 mijë eurosh, një bodrum në vlerë 6,000 euro dhe garazhë në vlerë prej 3,200 euro.

Ai po ashtu ka dy vetura mjaftë luksoze, njëra e tipit “Mercedes” dhe tjetra Renault Captur që shkon në vlerë të 9 mijë eurove, kurse vetura e parë në vlerë prej 40, mijë eurove.

Dalipi nuk ka deklaruar kredi ose borxhe, teksa ka deklaruar mbi 42 mijë euro të gatshme në bankë.

Në anën tjetër, shefi i stafit të Presidentes Osmani, Blerim Vela, ka deklaruar një shumë të konsiderueshme parash që e posedon nëpër disa banka dhe atë në disa valuta. Paratë e gatshme të tij nëpër banka kapin vlerën totale mbi 280 mijë euro.

Vela ka para të gatshme në valutën euro, funta dhe dollarë.

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion për vitin 2022, Vela ka 100 mijë euro në llogari të afatizuar, 164 mijë e 842 dollarë në llogari rrjedhëse dhe 1 mijë e 336 funta në një llogari në Mbretërinë e Bashkuar.

Pasuria e opozitarëve

Holl për nga pasuria nuk janë as politikanët opozitarë.

Prin Ramush Haradinaj, vlera e pasurive të paluajtshme të të cilit del të jetë mbi 1 milionë euro, bazuar në deklarimin e pasurisë për vitin 2022.

Tri shtëpi banimi, dy toka, një apartament dhe një vilë është pasuria që posedon kreu i AAK-së, njëherit ish-kryeministri i Kosovës.

As kësaj here ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk i ka deklaruar disa prona të blera në Komunën e Shtërpcës, ku ndodhet edhe Qendra e Skijimit – Brezovica.

Ato i zbuloi një hulumtim disa mujor i bërë nga portali FrontOnline, ku dëshmohej se ish-shefi i Qeverisë së Kosovës ka disa parcela në bashkëpronësi në Komunën e Shtërpcës, përkatësisht 2100 metra katror.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se si pasuri të paluajtshme posedon një apartament 110 metra katrorë dhe një shtëpi 202 metra katrorë me 2.86 ari truall që në total kanë vlerë prej 270 mijë eurosh.

Krasniqi në Agjencinë Kundër Korrupsionit si pasuri të luajtshme ka deklaruar bibliotekën personale në vlerë prej 13 mijë eurosh, piktura dhe vepra arti me vlerë 6500 euro dhe një veturë Tiguan me vlerë prej 22 mijë e 500 eurosh që është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Por, sa para të gatshme ka në institucione financiare kryetari i PDK-së?

Memli Krasniqi, në dy banka të ndryshme, ka afro 11 mijë euro para të gatshme derisa bashkëshortja e tij ka 813.91 euro në llogarinë e saj.

Në formularin e deklarimit të pasurisë, Krasniqi ka treguar se ka dy kredi, 65 mijë euro që synim kanë pasë blerjen e shtëpisë dhe 30 mijë euro për renovimin e shtëpisë, në ndërkohë që edhe bashkëshortja e tij ka një kredi në vlerë prej 23 mijë e 265 euro detyrime financiare e cila është marrë për blerjen e veturës.

Në deklarimin e të hyrave vjetore, ku ka deklaruar të hyra vjetore nga paga në Kuvendin e Kosovës prej 21,602.58 euro, rezulton se Memli Krasniqi ka tërhequr dy herë kriptovaluta në vlerë afër 10 mijë euro – një herë 3 mijë e 78 euro dhe një herë 6 mijë e 177 euro e 91 centë.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tek pasuria e paluajtshme, ka deklaruar pasuri të përbashkët një shtëpi 214 metra katrorë, e blerë në vitin 2014 në vlerë prej 200 mijë euro.

Po ashtu Abdixhiku ka deklaruar në AKK edhe një shtëpi me sipërfaqe 200 metra katrorë  e trashëguar nga prindërit me vlerë 150 mijë euro, si dhe një tokë pune me sipërfaqe 1.5 hektar tokë të trashëguar nga prindërit, në vlerë 90 mijë euro.

Te pasuria e paluajtshme Abdixhiku ka deklaruar një veturë “Mercedes”, të blerë me kredi në vitin 2019 – në vlerë 25 mijë euro – si pasuri të bashkëshortes.

Abdixhiku ka deklaruar se ka 32 mijë euro detyrime financiare (kredi).

Ministri me katër vetura personale

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi,  duket se ka në qejf shumë veturat.

Pasionin ndaj tyre e ka bërë publik edhe në deklarimin e pasurisë, ku në pronësi të tij janë 4 vetura, vlera totale e të cilave është afër 140 mijë euro, raporton Front Online.

Ai para të kursyera ka deklaruar se i ka 100 mijë euro.

Edhe kreditë ndaj bankave janë koxha të mëdha. 1 milionë euro është detyrimi ndaj bankave që ministri Latifi i mori për t’i blerë 3 shtëpi në Amerikë.

Ai ka deklaruar se ka tokë 215 ari në zonën kadastrale Graqanicë, investime të bëra gjatë viteve 2008-2012, me vlerë të sotme 1.5milion euro të cilat i ka blerë me kursime nga puna  në SHBA dhe në Doha, Katar, dhe janë në emër të motrës së tij H.L.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, renditet në krye të listës së zyrtareve më të pasur në Qeverinë e Kosovës, raporton Front Online.

Në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit Mehaj ka vetë deklaruar se në ka në pronësi 2 shtëpi në vlerë prej 720 mijë euro, dy banesa në vlerë prej 87 mijë euro.

Mehaj po ashtu ka deklaruar se në llogari bankare ka të depozituara hiç më pakë se 90 mijë euro.

Kryetarët komunalë milionerë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar pasuri të patundshme dhe aksione në biznese të ndryshme në vlerë prej rreth 23 milionë euro, raporton portali Front Online.

Rama poashtu ka deklaruar mbi 5 milionë euro borxhe, kryesisht për blerje të patundshmërive.

Kreu i Prishtinës poashtu ka deklaruar mbi 175 mijë euro të hyra vjetore.

Kryetari i komunës së Prizrenit Shaqir Totaj ka vetë deklaruar pasuri të palujtshme në vlerë prej hiç më pak se 1.2 milionë euro, raporton Front Online.

Në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit Totaj ka vetë deklaruar se në ka në pronësi një objekt banimi dhe afarist prej 600 metër katror.

Totaj ka deklaruar se ka në pronësi dy automjete në vlere prej 27 mijë euro. Të hyrat e tij vjetore janë prej 53 mijë euro.

 

Shperndaje: