Pasuria milionëshe e ish-kryeministrit Isa Mustafa (Dokumente)
I pakategorizuar / 15 Shtator, 2022
Lavdim Hamidi

Isa Mustafa nuk ka mbajtur pozitë të lartë shtetërore nga viti 2017, kur ka përfunduar mandatin e tij si kryeministër i Kosovës. Por, pasuria e tij prej asaj kohe është rritur dukshëm.

Në vitin 2017 ish-kryeministri Mustafa kishte deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 503 mijë euro, përfshirë këtu një shtëpi dhe një parcelë toke.

Kjo është lista e të gjitha patundshmërive që figurojnë në emër të ish-kryeministrit Mustafa (DOKUMENTE)

Instituti për Hulumtime “Front” pas një hulumtimi disa mujor ka arritur t’i sigurojë të gjitha patundshmëritë që i posedon në emër të tij Isa Mustafa, të cilat figurojnë në faturat e tatimit në pronë të Ministrisë së Financave dhe që kalojnë shumën e përgjithshme prej 2.8 milionë €.

Sipas këtyre dokumenteve ekskluzive, Mustafa në emrin e tij ka një shtëpi dhe tri parcela në bashkëpronësi në Prishtinë, të cilat janë të vlerësuara mbi 2.8 milionë euro, si dhe një tokë bujqësore me vlerë mbi 15 mijë euro, raporton Instituti për Hulumtime “Front”.

Parcelat milionëshe të Isa Mustafa

Njërën parcelë me sipërfaqe prej 5734 metra katror Mustafa e ka në bashkëpronësi, përkatësisht gjysmën e kësaj sipërfaqe.

Edhe një parcelë tjetër figuron në bashkëpronësi të Mustafës me sipërfaqe prej 8719 metra katror, ku vetëm hisja e ish-kryeministrit ka vlerë financiare prej më shumë se 1.3 milionë euro.

Vlerë edhe më të madhe financiare ka parcela tjetër që e ka në bashkëpronësi Mustafa, përkatësisht 9772 metra katror, ku vetëm pjesa e tij është vlerësuar nga tatimi në pronë mbi 1.46 milionë euro.

Ndërsa te parcela tjetër me sipërfaqe prej 894 metra katror, e cila potencohet se është për shtëpi familjare, hisja e Mustafës ka vlerë rreth 30 mijë euro.

Ish-kryeministri milioner që nuk e paguan tatimin në pronë

Me gjithë pasurinë e patundshme në vlerë prej rreth 3 milionë euro, në pjesë të së cilës e ka në bashkëpronësi, ish-kryeministri Mustafa rezulton njëkohësisht të ketë borxhe tatimore ndaj shtetit.

Sipas një fature të tatimit në pronë, e cila e mbanë datën 18.01.2022, të cilën e ka siguruar Instituti për Hulumtime “Front”, borxhi i tij i parashikuar deri në fund të këtij viti kalon shumën prej 5000 euro, derisa borxhi i tatimit në pronë për vitin e kaluar është rreth 2500 euro.

Mustafa: Nuk e di cilave dokumente po u referoheni!

I kontaktuar për këtë çështje nga Instituti “Front”, Isa Mustafa ka thënë se nuk i ka ato dokumentet e tatimit në pronë dhe se nuk e di për çfarë bëhet fjalë.

“Nuk i kam marrë akoma dokumentet e tatimit në pronë dhe nuk e di cilave dokumente iu referoheni. Pasi t’i marr, ju njoftoj”, ishte përgjigja e tij në lidhje me interesimin e Institutit.

Përndryshe, në formularin e deklarimit të pasurisë për vitin 2017 Isa Mustafa ka deklaruar një shtëpi si trashëgimi në vlerë prej 138 mijë euro dhe 2.41 hektarë tokë poashtu trashëgimi në vlerë prej 365 mijë euro.

/Front/

 

Shperndaje: