Policia blen gazmaska në vlerë mbi 200 mijë €
Lajme / 14 Shkurt, 2023
admin

Policia e Kosovës ka blerë gazmaska në vlerë prej 225 mijë eurove.

Përmes procedurës së hapur, ky institucion ka shpërblyer me tender kompaninë, Sodex Group.

Kontrata mes palëve është finalizuar më 2 shkurt 2023, gati tre muaj pasi i njëjti biznes u rekomandua të jetë fitues, raporton “Front Online”.

Policia kishte planifikuar në hapjen e tenderit blerjen e 728 gazmaskave, teksa në të njëjtin përshkrim janë futur edhe çanta, filteri dhe boca e ujit.

Kompania Sodex Group ishte e vetmja që aplikoi për këtë tender.

Kjo vërehet në procesverbalin e hapjes së ofertave.

Vlera me të cilin konkurroi biznesi në fjalë ishte pothuajse e ngjashme me vlerën e planifikuar nga Policia në këtë tender.

Policia kishte zotuar 225 mijë e 680 euro, kurse kompania ofertoi me 225 mijë e 388 euro, raporton “Front Online”.

 

Rreth Sodex

Kompania Sodex Group është regjistruar si biznes në vitin 2012.

Pronare e saj, sipas të dhënave në uebfaqen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, është Zaide Pira.

Aktivitet primar i saj është tregtia me shumicë e tekstileve, kurse sekondar tregtia me shumicë e veshjeve dhe këpucëve, raporton “Front Online”.

 

Kompania ka fituar me dhjetëra tenderë në të kaluarën nga Policia e Kosovës.

 

Gazmaska dhe përdorimi i saj në Kuvend

Gazmaska është një pajisje që një person vendos mbi fytyrë për të mbrojtur kundër frymëmarrjes së gazrave helmuese.

Ky është kuptimi që i jep kësaj fjale fjalori i Cambridge.

Këtë pajisje e patën vendosur policët më 2015, për t`u mbrojtur nga gazi lotsjellës që Lëvizja Vetëvendosje e përdorte në Kuvendin e Republikës së Kosovës, raporton “Front Online”.

Partia që sot është në pushtet, asokohe kundërshtonte me këso veprime krijimin e Asociacionit të komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Katër deputetët e VV-së u shpallen fajtorë për hedhjen e gazit lotsjellës

Gjykata e Prishtinës në vitin 2018 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për gazin lotsjellës të hedhur në ambientet e Kuvendit.

Ajo kishte shpallur fajtorë katër deputetët: Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Për përdorim të armës, Albin Kurti ishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg.

Dënimi është me kusht me periudhë verifikimi 2-vjeçare.

Albulena Haxhiu për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim. Për pengim të personit zyrtar me 4 muaj. Dënimi unik: 1 vit e 3 muaj.

Donika Kadaj-Bujupi për përdorim të armës është dënuar me 1 vit e 3 muaj, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burgim. Dënim unik: 1 vit e 6 muaj.

Ndërsa, Faton Topalli për përdorim të armës është dënuar me 1 vit burgim dhe për pengim të personit zyrtar me 3 muaj burg. Dënimi unik: 1 vit e dy muaj.

Shperndaje: