Policia konfiskon mall të kontrabanduar në vlerë mbi 44 mijë euro
Ekonomi / 2 Qershor, 2023
admin

Policia e Kosovës ka arritur për të parandaluar edhe një rast të kontrabandimit me mallra në vlerë mbi 44 mijë euro.

“Me datën 01.06.2023 rreth orës 21:10 njësia e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare-lindje-Kaçanik, ka identifikuar një automjet me targa vendore i cili ishte duke ardhur nga fshati Tanushë-Republika e Maqedonisë së Veriut në drejtim të fshatit Debëlldeh-RKS. Njësia e lartcekur në rrugën Debëlldeh-Binqë pasi e ka sinjalizuar për ndalje automjetin e dyshuar, personi i dyshuar -drejtuesi i mjetit, ka tentuar që të kthehet mbrapa në drejtimin nga fshati Debëlldeh –Tanushë”, thuhet në njoftim të policisë.

Sipas policisë, pasi policia kanë ndaluar automjetin e dyshuar të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull me iniciale I.B., gjatë kontrollit kanë gjetur të ngarkuar çaj për dobësim 1584 pako të një firme dhe 50 pako çaj të një firme tjetër, e që në total janë gjetur 1634 pako, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas çmimit të tregut është mbi 44,000 euro.

Për këto pako sipas policisë, i dyshuari nuk posedonte asnjë dokument përkatës mbi prejardhjen e tyre.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa malli dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.

 

Shperndaje: