Shqetësuese/ Për katër muaj, 487 raste të regjistruara me kancer në Kosovë
Shëndetësi / 30 Maj, 2022
admin

Klinika e Onkologjisë në QKUK është qendra kryesore për luftimin e sëmundjeve të kancerit në Kosovë.

Sfida kryesore e kësaj klinike është përballja me numrin e madh të rasteve të reja me kancer.

Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2022 janë regjistruar gjithsej 487 raste me sëmundjen e kancerit.

Kështu ka deklaruar për Front Online, drejtori i dorëhequr i Klinikës së Onkologjisë, Ardian Millaku.

“Për katër muaj e parë të vitit 2022 në Klinikën e Onkologjisë janë regjistruar 487 raste të reja nga të gjitha sistemet, varësisht nga sistemi të cilin e atakon kjo Patologji varët edhe gjinia dhe moshat”, u shpreh Millaku.

144 raste me kancer të gjirit për katër muaj

Ai ka folur për dy llojet e kacerit më të zakonshëm të femrat dhe meshkujt.

Thotë se kanceri i gjirit mbizotëron tek gjinia femërore ndërsa kanceri i mushkërive tek meshkujt.

Sipas Millakut, mosha më e prekur nga kanceri i gjirit është 45 deri 55 vjeç.

“Zakonisht kanceri i gjirit mbizotëron tek gjinia femërore ndërsa kanceri i mushkërive tek meshkujt. Me kancer të gjirit deri tani janë prekur 144 raste dhe zakonisht mosha mesatare e tyre sillet rreth moshës 45-55 vjeç”, tha ai.

Mungesë e stafit mjekësor në Onkologji, mungojnë edhe citostatikët

Drejtori i klinikës së Onkologjisë ka thënë për Front Online se kjo klinikë është duke u përballur me mungesë të stafit dhe mungesë të citostatikëve për pacientët.

“Në Klinikën e Onkologjisë brenda ditës frekuentojnë rreth 150 deri 200 pacientë ku marrin disa lloje të shërbimeve si: konsulta, konziliume, kimioterapi, radiotherapy, konsulta te psikologu etj, për momentin ka disa mungesa të citostatikeve por shpresojmë që të furnizohemi së shpejti por gjithashtu jemi duke u përballur me mungesë të theksuar të stafit mjekësorë”, potencoi Millaku.

Kanceri i gjirit është lloji më i përhapur i kancerit në Kosovë dhe Evropë dhe rrjedhimisht ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë.

Kjo sëmundje kryesisht godet gratë, por pa përjashtuar burrat. Në Kosovë çdo vit pesë deri në shtatë meshkuj preken nga kjo sëmundje, shkruan Front Online.

Shperndaje: