Shteti shpenzoi 10 milionë € për vendime gjyqësore (Dokument)
Lajme / 12 Maj, 2023
admin

Të gjitha institucionet qendrore të shtetit kanë harxhuar rreth 10 milionë euro për të kryer pagesa që lidhën me vendimet gjyqësore dhe ato përmbarimore.

Të dhënat bëhen të ditura në raportin financiar vjetor të vitit 2022, i hartuar nga Ministria e Financave, raporton “Front Online”.

Shuma prej gati 10 milionë euro është më e vogël për 10 milionë euro sesa në vitin 2021 dhe për 5 më e ulët sesa në vitin 2020.

Më 2021 ishin shpenzuar 20 milionë euro për pagesa të vendimeve gjyqësore, kurse më 2020, mbi 15 milionë sosh.

Nga të gjitha institucionet më së shumti ka paguar Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjithsej 4.6 milionë euro.

Pas saj, 2.6 milionë, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Gjysmë milion euro i ka dhënë për pagesa që lidhën me vendimet gjyqësore dhe ato përmbarimore edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

300 mijë euro vetë Ministria e Drejtësisë, 200 mijë sosh Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, aq sa edhe Ministria e Punëve të Brendshme.

 

Juristët gjen “fajtoret”

Juristët shpjegojnë arsyen që shtetit po i “dalin” nga kuleta këto para.

“Kjo vjen më së shumti edhe si rezultat i paaftësisë profesionale të bartësve të institucioneve shtetërore, veçanarisht Prokurorisë së Shtetit në inicimin e procedurave të pabaza penale, por edhe si rezultat i lidhjes së kontratave të dëmshme për vendin, me prapavijë të përfitimit të paligjshëm”, u shpreh për “Front Online” avokati, Asdren Bytyqi.

Avokati tjetër, Skendër Musa vlerëson se shteti nuk përfaqësohet mirë në çështjet gjyqësore.

“Shteti nuk përfaqësohet mirë. Kompanitë që i mbrojnë institucionet janë kompani që e fitojnë këtë të drejtë apo zgjidhen më të njofshëm. Niveli i tyre është shumë i dobët as në mesataren e avokatëve të Kosovës”, pohoi Musa për “Front Online”.

Sipas një raporti të Lëvizjes Fol, Institucioni i Avokaturës Shtetërore është anagzhuar për vitin 2021 në 3 mijë e 417 lëndë të reja gjyqësore, apo 1 mijë e 237 lëndë më shumë se në vitin 2021.

Institucioni i Avokaturës Shtetërore nga 1,584 aktgjykime, sipas raporti të FOL, i kishte fituar 681 raste, ndërsa 672 i kishte humbur.

“Gjatë kësaj periudhe ishin sjellë edhe 138 vendime nga procedurat e shpronësimit (vlera totale e të cilave ishte 22,253,219.69 €) dhe 83 vendime të përmbarimit (me vlerë prej 2,948,687.17 €). Nga këto përfaqësime, institucionet e Republikës së Kosovës kishin fituar gjithsej 5,579,530.99 €. Ndërkaq shuma e paguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës palëve që kanë pasur sukses në kontestet gjyqësore në vitin 2021 ishte 2,139,988.49€”, thuhet në raportin me titulli: Performanca e Avokaturës Shtetërore gjatë vitit 2021.

Shperndaje: