Telenovela me OSHP-në, ekonomia “n’rikuerc”
Prokurim / 22 Maj, 2022
admin

Arben Zogaj udhëheq kompaninë “Semenarna”, e cila merret me kultivimin e drithërave, bimëve bishtajore dhe farërave vajore.

Si drejtues i saj, ai ka garuar në disa aktivitete të prokurimit, në dy prej të cilave është ndarë i pakënaqur, meqë u eliminua nga gara, sipas tij, padrejtësisht.

Përkundër që u ankua në Gjykatën e Tenderëve, çare nuk është se iu bë.

Bordi i OSHP-së, që shqyrton ankesat e këtij operatori dhe tjerëve, është jofunksional që nga 31 marsi i 2021-ës dhe kësisoj nuk mund të marrë asnjë vendim.

“Nja dy lëndë i kemi që janë të bllokuara, njëra vetëm na u ka kthy vendimi prej ekspertit shqyrtues të prokurimit që ankesa është e bazuar, ajo me komunën e Prizrenit dhe tjera është rikthyer si e refuzuar, ajo me komunën e Vitisë. Çkado që po kthehet, prapëseprapë, nuk po ka kurrfar efekti shkaku i mungesë së bordit të OSHP-së”, deklaroi biznesmeni Zogaj.

Si pasojë, dëmet financiare s`janë të vogla.

“Na shkakton humbjen të komplet sezonës. P.sh tek tenderi për Prizrenin, ne e kemi marrë mallin dhe jemi përgatit për projektin, jemi eliminu padrejtësisht – ka mbet malli, disa sasi edhe janë prish. Këtu nuk po i llogaris edhe shpenzimet që shkojnë me bë ankesa. Pra na shkaktohet dëm financiar”, vazhdoi tutje biznesmeni Zogaj.

Telashën e njëjtë e patën edhe krejt operatorët e tjerë që trokitën në dyert e OSHP-së për ankesë.

Ata s`janë pak, sikurse edhe vlera e parave të bllokuara.

“Nga data 01.04.2021 deri në fund të vitit 2021 në mungesë të bordit kanë mbetur pa u shqyrtuar 626 ankesa të operatorëve për aktivitete të ndryshme të Prokurimit dhe sipas vlerës së parashikuar të kontratave shuma për këto aktivitete kap vlerën prej 200,000,000.00 €. Kurse sa i përket vitit 2022 në OSHP janë pranuar edhe 138 ankesa ku disa prej tyre janë të përsëritura për aktivitetet e vitit paraprak dhe disa të tjera janë për aktivitete të reja”, thanë nga OSHP.

Procesi i kompletimit të bordit të OSHP-së

Më 9 mars të këtij viti, Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për kryetarë dhe anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tregoi se komisioni vlerësues ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar për OSHP, rrjedhimisht, sipas tij kanë përdorur diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Kandidatët e votuar nga ekzekutivi për bordin e OShP-së, janë: Nita Bejta, Milot Spahiu, Arbnor Tmava, Vedat Peterqoj, Faruk Rexhaj, Bujar Lushaku, Batisha Ibrahimi, Dafina Gashi, Vjosa Menxhuani dhe Kimete Gashi.

Megjithatë, para dy dite, më 11 maj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën e largoi nga kjo listë Arbnor Tmavën dhe e propozoi në vend të tij Agon Ramadanin për anëtar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Emrat e propozuar nga Qeveria, para se të shkojnë në Kuvend për votim duhet të kalojnë edhe filtrat e tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.

Komisioni profesional britanik nuk do të jap sugjerime për këta kandidatë, pasi është tërhequr nga ky proces me arsyetimin se konkursi paraprak kishte përfunduar me sukses.

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës më 2 vota për, 64 kundër dhe 1 abstenim, nuk arriti të emërojë kryetarin dhe 4 anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Kjo pikë nuk kishte arritur të kalojë as më 23 nëntor si shkak i mungesës së kuorumit.

Opozita hedh akuza në drejtim të pushtetit

Moszgjedhja kaq e gjatë e bordit të OSHP-së nga mazhoranca u kritikua ashpër para disa ditësh në Kuvend nga opozita.

“Duhet thënë se që nga marsi i vitit 2021, OSHP-ja është pa bord funksional, që i bie si rezultat i kësaj janë edhe qindra milionë euro të bllokuara për shkak të mungesës së këtij bordi. Para disa muajsh, Qeveria përkundër të kishte propozuar disa kandidatë, shumica parlamentare i rrëzoi në Kuvendin e Kosovës. për neve e pakuptimtë kjo qasje dhe kjo tregon për përpjekjen vërtet për të kapur edhe këtë institucion shumë të rëndësishëm dhe të pavarur në Kosovë”, u shpreh Driton Selmanaj, deputet i LDK-së.

“Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të Bordit në OSHP për të vendosur një bord i cili i shkon përshtat kontraktimit të vetë Qeverisë. Tutje, ka një numër të madh të prokurimit dhe kontratave njëburimore të cilat kanë ndodhur në këtë periudhë kohore dhe që e ftojmë Prokurorinë që të bëjë një hetim se mbi çfarë baze Qeveria ka vepruar me tenderim njëburimor dhe a është e lidhur te zgjatja mbi njëmbëdhjetë muaj e përcaktimit të këtij bordi me kontraktimin njëburimor që ka ndodhur në Qeveri”, theksoi Besnik Tahiri i AAK-së.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Gjykata e Tenderëve jetë pa bord.

Ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2016 dhe në vitet 2013/14.

Bllokada 7 muajshe ishte bërë shkak i grumbullimit të një numri të madh ankesash.

Si ato të 2016-s si ato të 2013/14-s nuk u trajtuan fare nga bordet që erdhën, ani se kishte tenderë që ishin nënshkruar jashtëligjshëm.

/Front Online/

Shperndaje: