Trajtimi i personave me vepra penale dhe çrregullime mendore/ Asnjë shtrat i lirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike
Shëndetësi / 9 Maj, 2023
admin

Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës nuk ka asnjë vend të lirë.

Në vendin ku trajtohen personat që kanë kryer vepra penale dhe që kanë çrregullime mendore janë vetëm 36 shtretër.

Këtë e ka konfirmuar për Front Online, drejtori i Institutit të Forenzikës, Shpend Haxhibeqiri.

“Kapaciteti I IPFK-ës është 36 shtretër dhe aktualisht nuk kemi vende te lira, por se ato në baza ditore përditësohen dhe në bazë të nevojave krijohet mundësia për hospitalizim”, thotë për Front Online, drejtori i këtij instituti, Shpend Haxhibeqiri.

 

Haxhibeqiri: Në pritje janë edhe 16 persona për t’u trajtuar në Psikiatrinë Forenzike

Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës në pritje për t’u trajtuar në këtë klinikë janë edhe 16 persona të tjerë.

 “Aktualisht në listë të pritjes janë 16 veta për trajtim”, thotë drejtori i Institutit të Forenzikës, Shpend Haxhibeqiri.

Anipse kapacitetet nuk janë të mjaftueshme, numri i trajtimeve që marrin në këtë Institut është i lartë.

Sipas, Haxhibeqirit, brenda këtij katër mujori në këtë klinikë janë trajtuar 163 pacientë.

“Trajtimi në IPFK e në veçanti të pacientëve psikiatrik është më afatgjatë për të arritur shkallën e përmirësimit të shëndetit mendor dhe aftësimit. Në IPFK të gjithë pacientët janë me urdhër gjykate, andaj lirimi i tyre është ekskluzivisht në koordinim të IPFK dhe Gjykatave të Kosovës. Për katër muaj janë trajtuar në IPFK 163 pacientë”, thuhet në përgjigjen që Haxhibeqiri ka dhënë për Front Online.

 

Drejtori i Institutit të Forenzikës: Kemi nevojë së paku për 10 infermierë

Në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës kanë nevojë për shtim të stafit.

Drejtori Shpenc Haxhibeqiri tha për Front Online se nga viti 2019 e kanë lënë vendin e punës tetë persona.

“Gjithsej janë 8 psikiatër dhe 20 infermierë. Kemi mungesë të infermierëve pasi që nga viti 2019, tetë veta janë larguar dhe nuk është bërë zëvendësimi i tyre asnjëherë”, thotë drejtori për Front Online.

Sipas tij, së paku duhet të punësohen edhe 10 infermierë.

“Numri minimal që duhet shtuar është 10 infermierë dhe atë infermierë me përvojë më të gjatë pune në shëndetin mendor, për arsye të specifikave të punës”, thotë ai.

Instituti i Psikiatrisë Forenzike, është i vetmi institucion që realizon ekspertizat psikiatrike tek të pandehurit, dhe trajton personat e dënuar për vepra të ndryshme penale, por që kanë çrregullime psikike./Front Online

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shperndaje: