Përparim Rama
Kryetar i Prishtinës
Ditëlindja: 20 janar 1976
Vendlindja: Prishtinë
Përkatësia: LDK

Përparim Rama është arkitekt dhe urbanist i njohur nga Kosova, i cili është vlerësuar me çmime ndërkombëtare.

Rama ka lindur në Prishtinë, përderisa në moshën 16-vjeçare ishte shpërngulur në Britani të Madhe. Pjesën e parë të studimeve universitare Bachelor i ka filluar në vitin 1995, në SBU “London Bank University” për Arkitekturë dhe i ka përfunduar në vitin 1998.

Gjatë periudhës 2001-2003 vazhdoi pjesën e dytë të studimeve në “University of East London”. Pas studimeve Bachelor, nga viti 2003 vazhdoi studimet për Master DipArch në “University of East London”.

Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Rama përfaqësoi Kosovën për herë të parë në historinë e saj me Pavilionin ”Punuesi i filigranit”.

Përparim Rama njihet për angazhimin e tij në planifikim hapësinor të Lojërave Olimpike në Londër, në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në Nju-Jork, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë.

Në vitin 2013, Përparim Rama bashkë me ekipin e tij, fituan çmimin e parë në “World Interiors News Annual Award 2013”, duke mposhtur 1,600 kandidatë nga mbarë bota.

Përparim Rama është anëtar i asociuar i Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanikë.​

Arkitekti Rama në moshën 45-vjeçare është kthyer në Kosovë, pasi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e prezantoi si kandidat të saj për kryetar të Prishtinës. Në garën e balotazhit që u mbajt në nëntor të vitit 2021, Rama mposhti ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ishte kandidat i partisë në pushtet (Lëvizjes “Vetëvendosje”) dhe u zgjodh kryetar i Prishtinës.

Patundshmëritë

14.5 milionë euro është vlera e përgjithshme e pasurisë së patundshme e deklaruar nga Rama në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, ku përfshihen: shtëpi banimi, banesa, vila, objekte biznesi, rezidenca, toka- të gjitha të blera brenda periudhës 2010-2020.

Të hyrat

190 mijë euro janë të hyrat vjetore familjare të deklaruara nga Rama, ku përfshihet paga e tij si kryetar i Prishtinës, paga e bashkëshortes së tij në Londër, të hyrat nga qiraja e banesave në Londër, si dhe dividenta.

 Kreditë

5.7 milionë euro është vlera e përgjithshme e kredive ndaj bankave komerciale dhe personave fizik të cilat i ka deklaruar Rama në formularët e deklarimit të pasurisë për vitin 2022.

 Vetura

90 mijë € është vlera e përgjithshme e dy veturave që i posedon kreu i Prishtinës.

Piktura

4 milionë euro është vlera e një pikture që Përparim Rama e ka prezantuar në formularin e deklarimit të pasurisë.

 Kompanitë

4.4 milionë euro është vlera e përgjithshme e aksioneve që i posedon Rama në biznese të ndryshme në Angli, Suedi dhe Prishtinë.

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.