Dita ndërkombëtare e punëtorëve, 1 maj, e gjen Kosovën me dy protesta. Sindikata e Punëtorëve të sektorit privat dhe sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë paralajmëruar aksione protestuese.
Protesta e parë do të mbahet nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat në orën me kërkesa për kushte më të mira pune dhe paga më të larta. Pas rritjes së çmimit të energjisë dhe produkteve të tjera, punëtorët e sektorit privat po përballen me vështirësi të mëdha financiare, duke bërë të domosdoshme një rritje të pagave për të mbajtur ritmin me shtrenjtimin e jetesës.
Në orën 12:00, Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të organizojë një tjetër protestë, duke kërkuar rritje të pagave për punëtorët e KEK-ut. Kjo kërkesë vjen si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, një shtrenjtim që ka rënduar ndjeshëm buxhetin e punëtorëve, të cilët nuk kanë parë një rritje pagash përballë këtij inflacioni.
Kryetari i BSPK-së: Punëtorët e Kosovës janë të lodhur shpirtërisht, nuk kanë dinjitet në punë
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli për FrontOnline, tha se gjendja e punëtorëve në vend është jashtëzakonisht e vështirë, pasi nuk ka pasur rritje pagash, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten.
‘’ Gjendja e punëtorëve në Kosovë është jashtëzakonisht keqe , nuk kemi ngritje të pagave, nuk kemi dinjitet në punë, nuk kemi asgjë që e kanë punëtorët në Kosovës’’, tha Hykolli .
Punëtorët, sipas Hykollit, janë të lodhur jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht, Hykolli thotë se protesta e nesërme është e qëlluar dhe sipas tij të gjitha do të duhej të ishin të pranishëm për të protestuar për këtë gjendje ekonomike
‘’ Punëtorët krahas lodhjes fizike në Kosovë kanë lodhje shpirtërore, protesta e 1 Majit është zhvillim shumë i mirë të gjithë duhet të bashkohemi për të protestuar e jo vetëm sindikatat sepse çmimet po rriten por jo edhe rrogat’’, përfundoi Hykolli.
Llumnica: Punëtorët e KEK-ut rrezikojnë jetën, KEDS po bëhet milioner
Kryetari i i sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, është deklaruar në prag të protestës së paralajmëruar më 1 Maj, duke theksuar gjendjen e rëndë ekonomike të punëtorëve. Sipas tij, punëtorëve po u ulet paga në mënyrë reale, ndërsa shtrenjtimi i energjisë dhe produkteve bazike ka rrënuar fuqinë e tyre blerëse.
“Punëtorëve gjithmonë e më shumë po u ulen financat. Paga realisht është ulur me këto shtrenjtimet dhe inflacionin, fuqia blerëse ka rënë rritja e çmimeve nuk është përcjellë me rritje pagash,” tha Llumnica.
Ai shtoi se punëtorët e KEK-ut po përballen me kushte të vështira pune, duke rrezikuar jetën për të prodhuar energji elektrike që më pas shitet me çmim të lirë, ndërsa kompani si KEDS, sipas tij, përfitojnë miliona.
‘’ Realisht është për të ardhur keq kur këta punëtorë rrezikojnë jetën e tyre për të prodhuar energji elektrike Kosovës duke e shit me një çmim të lirë e KEDS bëhet milioner’’, tha Llumnica.
Kryetari deklaroi se nga nesër do të protestohet dhe tha se nuk do të ndalen deri në plotësim të kërkesave
“Ne nga nesër do të protestojmë për rritje të pagave, krahas rritjes së çmimeve dhe nuk do të ndalemi deri në përmbushjen e kërkesave tona,” përfundoi Llumnica.
Sindikalisti Sefaj për protestën e punëtorëve: Punëtorët dhe sindikatat do të duhej të protestonin përditë
Ali Sefaj, sindikalist është deklaruar rreth situatës aktuale të punëtorëve në vend. Ai ka theksuar se gjendja e punëtorëve është jashtëzakonisht e rënduar, duke u përballur me rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe produkteve bazike, një situatë që ka goditur më së shumti shtresat punëtore.
“Rritja e çmimeve të energjisë dhe produkteve esenciale ka prekur më së shumti shtresat punëtore, të cilat tashmë janë të ekspozuara ndaj pagave të ulëta, pasigurisë në punë dhe mungesës së përkrahjes institucionale,” tha ai.
Në lidhje me protestat që janë paralajmëruar, ai e ka komentuar këtë veprim si të justifikuar dhe të domosdoshëm.
“Çdo formë proteste nga ana e punëtorëve dhe sindikatave është më se e justifikuar. Kur puna e ndershme nuk garanton më as nevojat elementare, heshtja nuk është zgjidhje, por dorëzim,” tha Sefaj.
Njohësi i ekonomisë: Punëtorët duhet ta kenë pagën minimale 500 euro
Jakup Bellaqa, ekspert i ekonomisë, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e punëtorëve në sektorin privat, duke theksuar se shtrenjtimi i tarifave të rrymës prej 16.10% e ka vështirësuar edhe më shumë situatën ekonomike. Ai ka paralajmëruar se kjo do të dobësojë fuqinë blerëse dhe do të varfërojë ekonominë familjare, duke ndikuar negativisht në shportën e konsumatorëve.
‘’Situata e punëtoreve ne sektorin privat me rastin e shtrenjtimit te tarifave te rrymës prej 16.10 % e vështirëson situatën ekonomike edhe me shume dhe e dobëson fuqinë blerëse’’, tha Bellaqa.
Bellaqa ka thënë se të drejtat e punëtorëve duhet të mbrohen me ligj dhe është e domosdoshme që paga minimale të rritet nga 350 euro në 500 euro.
‘’ Te drejtat e punëtorëve duhet te mbrohen me ligje dhe duhet te rritet paga minimale nga 350 euro ne 500 euro ‘’, tha Bellaqa.
Njohësi i ekonomisë: Mbështetja për punëtorët në sektorin privat është inekzistente
Arton Muhaxheri, njohës i çështjeve ekonomike, ka deklaruar se gjendja e punëtorëve në Kosovë është tejet e rënduar, veçanërisht pas shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe produkteve bazë. Ai ka theksuar se kjo situatë është pasojë direkte e mungesës së reagimit dhe masave të duhura nga ana e Qeverisë
‘’Gjendja e punëtorëve në Kosovë është tejet e rënduar, sidomos pas shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe produkteve bazë. Kjo situatë është pasojë direkte e mungesës së reagimit dhe masave të duhura nga ana e Qeverisë’’, tha Muhaxheri.
Muhaxheri theksoi se pagat nuk janë përshtatur me rritjen e kostos së jetesës, ndërsa mbështetja për punëtorët, veçanërisht ata në sektorin privat, është pothuajse inekzistente. Ai shtoi se sindikatat po injorohen, kërkesat për paga dinjitoze po shpërfillen, dhe asnjë plan afatgjatë nuk po ofrohet për përmirësimin e kushteve të punës.
‘’Pagat nuk janë përshtatur me rritjen e kostos së jetesës, ndërsa mbështetja për punëtorët – veçanërisht ata në sektorin privat – është pothuajse inekzistente’’, tha Muhaxheri.