Dështimet e VV-së me Albulena Haxhiun, 26 tentime, zero zgjidhje

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot nga ora 11:00 në përpjekjen e 26-të për konstituimin e Legjislaturës së Nëntë. Seanca konstituive, e cila u ndërpre të hënën pa sukses, ka dështuar të sjellë një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke vazhduar kështu krizën institucionale.

Lëvizja Vetëvendosje po qëndron e palëkundur në qëndrimin e saj për të propozuar Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit, pavarësisht mungesës së mbështetjes së gjerë.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të votuar të paktën tre emra të tjerë nga VV për këtë pozitë , Glauk Konjufcën, Saranda Bogujevcin dhe Shqipe Selimin, duke sinjalizuar një përpjekje për kompromis.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për formimin e një qeverie nacionale, si zgjidhje për daljen nga ngërçi politik, gjë që është refuzuar nga LVV, por e mbështetur nga partitë tjera opozitare.

 

Deputeti i LVV-së: Harta e fitores së VV-së, makthi i opozitës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi,për FrontOnline ka akuzuar opozitën për bllokim të procesit të konstituimit të institucioneve, duke e cilësuar këtë si pjesë të një fushate të parakohshme për zgjedhjet lokale.

Thaçi tha se opozita po keqinterpreton qëllimisht procesin e votimit në Kuvend.

“Nuk po votohet për Albulena Haxhiun, por po votohet për një komision, për votim të fshehtë brenda Kuvendit, duhet me i dallu gjërat,” theksoi ai.

Deputeti i LVV-së u shpreh se kjo është hera e 18-të që ndodh një veprim i tillë.

“Prandaj, kjo është hera e 18-të që opozita është për bllokimin e krijimit të institucioneve,” u shpreh Thaçi.

Ai gjithashtu akuzoi opozitën se ka nisur fushatën që nga fillimi i shkurtit, duke e lidhur këtë me suksesin elektoral të Vetëvendosjes në nivel vendi.

“Nga 9 shkurti opozita e ka filluar fushatën sepse makthi i tyre ka qenë harta e fitores së VV anë e mbanë Kosovës,” tha ai për FrontOnline.

Thaçi potencoi se bllokimi i Kuvendit është dëshmi se opozita nuk është e interesuar për funksionimin e institucioneve qendrore..

“Kur opozita e ka blloku Kuvendin, po tregon qartë se ajo është në fushatën e zgjedhjeve lokale, dhe po tenton që mos me pas institucione të nivelit qendror,” deklaroi deputeti.

Deputeti Thaçi u shpreh se nuk beson se opozita ka ndonjë interes për të ndihmuar në formimin e institucioneve.

“Nuk mendoj dhe nuk besoj se opozita është e interesuar për formimin e institucioneve. Kjo është parafushatë e zgjedhjeve lokale e tyre,” përfundoi ai për FrontOnline.

 

Demaku i PDK-së: Albin Kurti duhet të lëviz nga ky qëndrim, nuk është i përgjegjshëm e as parimor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, për FrontOnline ka komentuar ngërçin institucional lidhur me moskonsitutin e Kuvendit dhe komisioneve parlamentare, duke e cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj Albin Kurti si përgjegjës për bllokadën aktuale.

Demaku theksoi se ndryshimi në Kuvend varet nga lëvizjet e VV-së dhe veçanërisht nga qëndrimi i Kurtit.

“Gjithçka për me ndryshuar në Kuvend, varet nga LVV, konkretisht nga Albin Kurti,” tha ai për FrontOnline.

Sipas Demakut, Kurti duhet të largohet nga pozicioni që, sipas tij, nuk është as konstruktiv e as i arsyeshëm në rrethanat aktuale politike.

“Ai duhet me lëvizë nga ky qëndrim, i cili nuk është as i përgjegjshëm dhe as parimor,” u shpreh deputeti i PDK-së.

 

Deputetja e LDK-së: Kjo bllokadë institucionale ka një emër – Albin Kurti

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arjeta Abazi, për FrontOnline ka reaguar ashpër ndaj vazhdimit të bllokadës në Kuvendin e Kosovës, duke e quajtur situatën një krizë të thellë institucionale për të cilën sipas saj përgjegjës është Albin Kurti.

Abazi ka shprehur moskuptim për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka akuzuar Kurtin për zvarritje të qëllimshme të procesit të konstituimit.
“Nuk i di planet e VV-së dhe nuk e di se çka kanë menduar, pse e kanë stërgjatur këtë çështje, por di me tregu se është krizë institucionale,” u shpreh ajo.

Ajo theksoi se bllokada aktuale në Kuvend është rezultat i strategjisë politike të Kurtit për të mbajtur vendin në pasiguri për interesa personale.

“E gjithë kjo bllokadë e ka emrin: Albin Kurti. Është strategji e tij për ta mbajtur peng vendin, për interesa të tij personale e partiake,” deklaroi Abazi për FrontOnline.

Deputetja e LDK-së i bëri thirrje Kurtit që të marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve dhe të vendosë interesin publik mbi atë personal.

“Kjo është detyrë e Kurtit për me i siguru numrat për formim të institucioneve, por atij po i duket më e rëndësishme karriga e tij se sa jeta e qytetarëve,” përfundoi ajo.

 

Kadrijaj:  Skenari i njëjtë do të përsëritet, LVV nuk ka tentuar të sigurojë votat për kryeparlamentar

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për FrontOnlne Time Kadrijaj, ka deklaruar se procesi i konstituimit të Kuvendit po shkon drejt përsëritjes së të njëjtit skenar, për shkak të mungesës së angazhimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar numrat.

Kadrijaj tha se nuk ka asnjë ndryshim në qasjen e VV-së dhe se gjithçka po shkon njëjtë.

“Do të jetë rutina e njëjtë, angazhimi i njëjtë,” u shpreh ajo.

Sipas saj, mungesa e përpjekjeve nga partia në e parë për të krijuar shumicën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është dëshmi e papërgjegjshmërisë politike.

“Nuk kemi parë që LVV ka tentuar të i siguroj votat për kryeparlamentar,” tha Kadrijaj.

Duke folur për seancat e fundit të Kuvendit, deputetja e AAK-së tha se nuk pret ndonjë zhvillim të ri në përpjekjet për konstituimin e institucioneve.

“Kështu që do të shkojmë dhe do të përsëritet skenari i njëjtë,” përfundoi ajo.

 

Emilja Rexhepi: Shpresoj që sot ta votojmë për Albulenën si kryetare të Parlamentit

Deputetja boshnjake Emilja Rexhepi për FrontOnline ka shprehur shpresën se në seancën e ardhshme të Kuvendit do të mund të zgjidhet kryetarja e Parlamentit, duke i dhënë përkrahje kandidaturës së Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo tha se mbetët të shihet sot se çka do të ndodhë.

“Do të shohim çfarë do të ndodhë, shpresoj që të votojmë për Albulenën si Kryetare të Parlamentit,” tha ajo për FrontOnline.

 

Dokumentet
Fronti.org, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.