Ekspertët: Kolapsi energjetik, faji është i Qeverisë
Ekonomi / 20 Qershor, 2025
admin

Nga nesër, 21 qershor, pritet të nisë një krizë tjetër në sektorin energjetik të Kosovës, me mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike.

KESCO ka paralajmëruar se, në skenarin më të keq, e gjithë energjia për konsumatorët do të mbulohet përmes importit.

Kjo një zgjidhje e përkohshme që tregon edhe një herë dështimin e institucioneve për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm energjetik.

Nga KESCO, qytetarëve u kërkohet që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike, derisa kjo situatë e krijuar, është kritikuar nga njohësit e energjetikës, duke thënë se fajin e ka Qeveria në ikje.

 

“Dështim në planifikim energjetik” – Mulaj fajëson Qeverinë për krizën e rrymës

Ish-ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, për “Front Online” ka folur lidhur me situatën e fundit të mungesës së prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, duke theksuar disa faktorë kyç që po e detyrojnë vendin të mbështetet në importin e rrymës.

Tutje, Mulaj ka fajësuar qeverinë në ikje të Albin Kurtit, duke thënë se qytetarët po paguajnë rrymë si në Evropë.

“Rritje e çmimeve, menaxhim jo i mirë i KEK-ut, shkatërrim i prodhimit vendor, import i jashtëzakonshëm krejt këto si shkak pasoj e kësaj situate të krijuar tashmë, qytetarët e varfër po paguajnë sikur me qenë evropian për shkak të planifikimit jo të mirë me prodhimin aktual të energjisë elektrike dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese”, u shpreh Mulaj.

 

Eksperti i energjetikës: Pa prodhim vendor, gjendja energjetike është jashtëzakonisht e rëndë

Njohësi i çështjeve të energjetikës, Vezir Rexhepi, në një prononcim për “Front Online” ka deklaruar se pa prodhim vendor, gjendja energjetike në Kosovë është e rëndë.

Rexhepi thotë se pas një ndalese të prodhimit për 2-3 orë sërish është rikthyer prodhimi, por në rast të mungesës gjendja do të rëndohet.

“Kjo ka ndodhur dy deri tre orë të jetë pa energji por sipas informacioneve në prodhim janë dy termocentrale ka filluar stabilizimi. Nëse kjo është e vërteta pa prodhim zero është gjendje e rëndë dhe nga kjo gjendje implikohet edhe KESCO për shkak të balancës energjetike”, theksoi Rexhepi.

 

Shahini: Paaftësia e menaxhmentit solli krizën energjetike

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, për “Front Online” ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar me furnizimin me energji elektrike, duke e quajtur atë një nga lajmet më të këqija për vendin.

Sipas tij, kolapsi energjetik është pasojë e mungesës së koordinimit mes ZRRE-së, KEK-ut dhe Qeverisë.

Shahini vlerëson se kjo situatë tregon sa të paaftë janë menaxhmenti i trupit furnizues të energjisë.

“Kolapsi energjetik është një nga lajmet më të këqija dhe kjo vjen si pasojë e koordinimit mes ZRRE dhe KEK-ut dhe qeverinë të cilët janë përgjegjës kryesor për furnizim me energji. Edhe pse Kosova më e shtrenjta në Ballkan Perëndimor me energji prapë nuk kemi energji. Kjo tregon se sa të paaftë janë menaxhmenti i gjithë trupit furnizues të energjisë për qytetarët dhe bizneset”, deklaroi Shahini.

Kompania KESCO përmes një njoftimi për media, ka bërë me dije se mund të ndodhë që nesër dhe në ditët në vijim e gjithë energjia elektrike që shpenzohet nga qytetarët duhet të importohet.

Kompania në fjalë ka bërë me dije se është duke u përpjekur e duhur për sigurimin e energjisë elektrike në treg.

“KESCO njofton se është informuar për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritet të ndodhë nesër dhe në ditët në vijim. Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit. Pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare, KESCO është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem”, është thënë në njoftimin e KESCO-së.

KECO ka kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike.

“Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike. Çdo kilovat-orë e kursyer ndihmon në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit dhe në zvogëlimin e kostos së përgjithshme, që përndryshe do të rëndonte mbi të gjithë ne”, është thënë në njoftim.

Korporata Energjetike e Kosovës ka dalë me një sqarim të gjatë, pasi KESCO ka njoftuar se nga nesër dhe ditët në vazhdim do t’i duhet të importojë energjinë elektrike, meqë KEK s’do të prodhojë fare energji elektrike.

Siç tregon KEK në njoftim, operimi i njësive po vazhdon normalisht dhe s’ka kolaps prodhimi, ndërkohë që në vazhdim të njoftimit tregon për një varg problemesh me të cilat është duke u përballur, duke thënë se Kosova A dhe Kosova B janë të stërvjetëruara dhe se po përballen me probleme teknike të paplanifikuara.

“Njësitë e Termocentralit “Kosova A” dhe “Kosova B” janë të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paplanifikuara dhe të vështira për t’u parashikuar me saktësi. Megjithatë, ekipet tona teknike janë në gatishmëri të plotë dhe reagojnë me profesionalizëm dhe përkushtim të menjëhershëm për çdo situatë”, thuhet në njoftimine KEK-ut.

Shperndaje: