Qeveria hesht, Gjykata reagon, vendimi i ZRRE-së rrezikon të anulohet në tërsi
Ekonomi / 24 Qershor, 2025
admin

Pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e përkohshëm të një njoftimi të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), kjo e fundit ka sqaruar se bëhet fjalë për një rast individual, dhe jo për ndonjë ndryshim të përgjithshëm të politikës së tregut të energjisë.

Sipas ZRRE-së, pezullimi ka të bëjë vetëm me një biznes të vetëm dhe nuk ndikon në zbatimin e vendimit që detyron bizneset e mëdha të kalojnë në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Sqarimi i ZRRE-së ka shkaktuar pikëpyetje të shumta, pasi shumë e kishin interpretuar vendimin e Gjykatës Komerciale si një ndalesë të përkohshme për të gjithë procesin e kalimit të bizneseve në tregun e hapur.

Sipas një komunikate nga Oda Ekonomike e Kosovës, vendimi është marrë më 18 qershor 2025 dhe ka pranuar kërkesën e një paditësi për caktimin e masës së sigurisë. Kjo masë parandalon zbatimin e njoftimit të ZRRE-së të lëshuar më 3 qershor 2025, përderisa të ketë një vendim përfundimtar nga Gjykata.

Në arsyetimin e Gjykatës thuhet se ndalohet përkohësisht zbatimi i vendimit të ZRRE-së që i ndalon paditësit qasjen në furnizim përmes shërbimit universal, deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të plotë të çështjes.

 

Ahmeti: Nuk është vetëm një kompani, dhjetëra biznese e kanë dërguar ZRRE-në në gjykatë

Kushtrim Ahmeti, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, për Front Online, ka sqaruar se ka pasur keqkuptime në opinion lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Komerciale, për një kompani private. Sipas tij, kërkesa që është dorëzuar në gjykatë nga ajo kompani ka pasur të bëjë vetëm me rastin e saj individual dhe jo me ndonjë pezullim të përgjithshëm të vendimit të ZRRE-së.

“Është një keqkuptim kërkesa është bërë nga një kompani private e cila i ka kërkuar gjykatës komerciale që ta heq të njëjtën kompani nga futja e saj në tregun e hapur, ka kërkuar vetëm për vetën, domethënë nuk ka kërkuar pezullim, por ka kërkuar që të mos del ajo kompani në treg të hapur të energjisë siç kanë bërë kompanitë e tjera.” – tha ai.

Ahmeti, bëri të ditur se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për pezullimin e vendimit të ZRRE-së, e cila është bërë në emër te të gjitha kompanive që janë prekur nga ky vendim, dhe shtoi se aktualisht janë ende në pritje të një përgjigjeje nga gjykata.

“Ne këtë rast kërkesa jonë është bërë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, përgjigje për të cilën ende jemi duke e pritur. Ne kemi kërkuar pezullimin e te gjithë vendimit, pra ne kemi folur në emër të krejt kompanive që janë përballë me këtë telashe dhe që po përballën.” – shtoi ai.

Ai theksoi se lajmi është pozitiv, pavarësisht se vendimi aktual ka të bëjë me një kompani të vetme, pasi ajo nuk është rasti i vetëm. Siç thotë ai, dhjetëra kompani të tjera i janë drejtuar gjykatave në mënyrë individuale për të kundërshtuar ZRRE-në për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë.

“Lajmi është i mirë, edhe pse ka fituar një kompani dhe nuk është e vetmja. Më lejoni të ju informoj se pasi në të parët e kemi dërguar lëndën në gjykatë, janë një numër i madh dhjetëra kompani të cilat në mënyre private u janë drejtuar gjykatave për ta kundërshtuar vendimin e ZRRE-së që atë kompani me qit në treg të hapur, kështu që po besoj shumë që në këtë vendim hapet një mundësi që edhe kompanitë e tjera që kane dërguar lëndën të marrin përgjigjen po të njëjtë pozitive.” – përfundoi ai.

 

Rafuna: Një vendim në momentin më të mirë të mundshëm

Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës për Front Online, ka theksuar se vendimi i fundit i Gjykatës është zhvillim pozitiv për komunitetin e bizneseve. Ai ka sqaruar se për shkak të mangësive procedurale nga ana e ZRRE-së, bizneset nuk kanë pasur mundësi të reagojnë përmes një padie kolektive dhe janë detyruar të veprojnë individualisht. Sipas tij, ky është vetëm vendimi i parë, ndërsa priten edhe shumë të tjerë në vijim.

“Sot ka ardhur një vendim, në momentin më të mirë të mundshëm. Është një lajm shumë i mirë për bizneset sepse është një vendim që i takon një subjekti të caktuar mirëpo mundësit ligjore nuk kanë qenë që ne në mënyre kolektive me padit ZRRE-në. Janë me qindra padi, ky është vendimi veq i të parit, por kanë me ardhur edhe vendime tjera tani e tutje.” tha ai.

Tutje, Rafuna shtoi se gjatë seancës gjyqësor do të ofrohen prova të tjera që do të tregojnë se vendimi i ZRRE-së nuk ka qenë i drejtë dhe në qoftë se nuk do të ketë reagim dhe reflektim nga ZRRE – ja dhe Qeveria e Kosovës, do të vazhdohet me protesta.

“Gjatë seancës gjyqësore ne do të ofrojmë ende prova tjera, që ta dëshmojmë që nuk ka qenë vendim i drejtë dhe momentumi i duhur për me i nxjerr bizneset në tregun e hapur, po në qoftë se nuk do të ketë reagim dhe reflektim nga ZRRE- ja dhe Qeveria e Kosovës ne do të vazhdojmë me protesta, për formën dhe mënyren bizneset do të vendosin vetë se si do të bëhet protesta.” përfundoi ai.

 

Shahini: ZRRE duhet ta shfuqizon vendimin për të gjitha bizneset e Kosovës

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e përkohshëm të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që detyron biznesin e caktuar të kalonte në tregun e hapur të energjisë. Ai për Front Online, tha se cilëson këtë vendim si një hap të drejtë që i jep të drejtë biznesit dhe kërkon që ai të zbatohet për të gjitha bizneset në vend.

“Vendimi i gjykatës komerciale për pezullimin e vendimit të ZRRE është një vendim i cili i jep të drejtë biznesit dhe ZRRE duhet ta shfuqizon vendimin për të gjitha bizneset tjera të Kosovës.” – tha ai

Ai shtoi se, megjithëse gjykata ka vepruar drejt me pezullimin e përkohshëm, ky vendim nuk është me kohë. Shahini thotë se si AKB e mbështesin këtë vendim dhe i inkurajojnë bizneset e tjera që nëse e shohin të nevojshme të bëjnë ankesa të njëjta.

“Gjykata komerciale ka vepruar drejtë nuk ka vepruar me kohë për pezullimin e përkohshëm të këtij vendimi dhe masën e përkohshme, prandaj ne si AKB e mbështesim vendimin dhe jepim mbështetje që edhe bizneset tjera nëse kanë nevojë të bëjnë një ankesë të tillë por besoj që ZRRE tashmë do të pezullojë këtë vendim.” – përfundoi ai.

Shperndaje: