Diaspora rreth 650 milionë € investime në banesa gjatë vitit 2024
Ekonomi / 5 Korrik, 2025
admin

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka raportuar se rreth 847.4 milionë euro kanë arritur Investimet e Huaja Direkte (IHD) në vend gjatë vitit 2024, prej të cilave 648.6 milionë euro kanë shkuar si investime në patundshmëri.

Ekspertët e ekonomisë kritikojnë drejtuesit e Bankës Qendrore të Kosovës për përfshirjen e investimeve në patundshmëri nga diaspora në kuadër të investimeve të huaja direkte.

“Është shqetësuese manilpulimi me të dhënat nga institucionet relevante, ku e paraqet Kosovën një eldorado për investimet e huaja në Kosovë më shumë se 800 milionë euro remitanca nga diaspora e cila është orientuar në dy shtylla, në konsum dhe në patundshmëri e ndërtimtari duke blerë banesa”, deklaron Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Ekonomistët e kanë ngritur alarmin, duke kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të hapësirës dhe kushteve për investitorët strategjikë.

Ata theksojnë se Kosova nuk po ofron as stimuj fiskalë, as infrastrukturë adekuate dhe as siguri të qëndrueshme ligjore për kapitalin e huaj.

Në vend të politikave zhvillimore, vendi po kthehet në një treg betoni për diasporën dhe investitorët pasivë, thonë ata.

 

Ish-kreu i Odës Ekonomike: Investitorët seriozë s’e shohin Kosovën si destinacion

Ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka shtuar se mungesa e stabilitetit politik dhe mungesa e diplomacisë ekonomike janë arsyet kryesore pse Kosova nuk po tërheq investitorë seriozë.

“Investime direkte të huaja që krijojnë prodhim, gjenerojnë punësim, përmirësojnë bilancin e pagesave, promovojnë Kosovën në gjithë botën e ato nuk ekzistojnë. Kosovës po i mungon një diplomaci ekonomike e stabilitet politik. Askush nuk vjen të investojnë në një vend kur s’ka stabilitet politik e që është nën sanksione të BE”, tha ai për “Front Online”.

 

Ish-ministri i Financave: Bizneset po ikin nga Kosova, mungojnë kushtet për kapitalin privat

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka shprehur shqetësim lidhur me largimin e kapitalit privat nga Kosova, duke thënë se mungesa e kushteve të favorshme për biznes po i shtyn investitorët të kërkojnë tregje më të sigurta.

“Kapitali privat në kushtet e ekonomisë të tregut është i lirë me lëvizë dhe aty ku e ka sigurinë e fitimin më të madh shkon. Ata që e investojnë kapitalin i shohin edhe kushtet e afarizmit nëse duan të merren me biznes dhe i shikojnë rrethanat”, u shpreh ai.

Ai tha se mungesa e stabilitetit dhe e një klime të përshtatshme afariste po i largon investitorët.

“Po lëvizin vazhdimisht jo vetëm investimet e reja, por edhe disa biznese që janë të akomoduar prej kohe kanë nis me i mbyll këtu e me i hap në Maqedoni e Shqipëri e po tërhiqen nga Kosova që nuk janë krijuar rrethana të favorshme biznesore”, potencoi Shatri për “Front Online”.

 

Eksperti i ekonomisë: Duhet ligj i veçantë për të mbështetur prodhimin vendor

Njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa, në një prononcim për “Front Online” ka deklaruar se mungesa e investimeve të huaja vjen si pasojë e një ambienti të pafavorshëm për të bërë biznes në Kosovë.

Bellaqa kërkon eliminimin e disa barrierave ekonomike.

“Nuk ka investime të huaja direkte në nivelin e dëshiruar, dhe arsyeja është se duhet të përmirësohet ambienti për të bërit biznes. Kjo nënkupton eliminimin e pengesave si mungesa e stabilitetit energjetik, sundimi i dobët i ligjit, si dhe nevoja për reforma tatimore dhe fiskale, përfshirë lehtësira tatimore, reforma monetare dhe luftimin më të fortë të informalitetit ekonomik”, deklaroi Bellaqa.

Ai gjithashtu propozon miratimin e një ligji të veçantë për stimulimin e prodhimit vendor dhe shndërrimin e remitancave në investime strategjike.

“Duhet të përgatitet dhe të miratohet një ligj i veçantë për stimulimin e prodhimit vendor, duke favorizuar prodhimin e brendshëm dhe mbrojtur atë nga konkurrenca e jashtme. Po ashtu, remitancat e diasporës duhet të shndërrohen në investime në sektorë strategjikë të ekonomisë që krijojnë produktivitet”, përfundoi ai.

 

Shperndaje: