Mbi 1200 punëtorë të Trepçës hyjnë në grevë, nuk i morën pagat e qershorit
Lajme / 12 Korrik, 2023
admin

Mos ekzekutimi i pagave i ka detyruar sot minatorët e Trepçës të hynë në grevë.

Mbi 1 mijë e 200 punëtorë të kësaj ndërmarrje kanë mbetur pa paga.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online kryesindikalisti i Minatorëve, Ibrahim Jonuzi.

“Pagat nuk ju kanë dalë rreth 1 mijë e 250 punëtorëve sepse Trepça është ndërmarrje e madhe ku përfshihen edhe shumë njësi tjera”.

Jonuzi tha se nëse nuk ekzekutohen pagat punëtorët e Trepçës do të hynë në grevë të përgjithshme.

Ai thotë se e drejta e punëtoreve për t’u paguar është e pamohueshme.

“Plani i punëtorëve është që në ditët në vazhdim nëse përkeqësohet situata me u marr edhe veprime të tjera radikale edhe futja e punëtorëve në grevë të përgjithshme. Punëtorët pagesën e dëshirojnë patjetër. Ky nuk është organizim i sindikatës por sindikata i përkrah punëtorët se e drejta e tyre për pagë është e pa mohueshme”, u shpreh Jonuzi.

 

Jonuzi: Trepça ka mungesë të investimeve kapitale, kjo tregon se nuk jemi në planin e Qeverisë

 

Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi tha për Front Online tha se pushteti aktual asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me Trepçën.

Jonuzi thotë se mungesa e investimeve kapitale tregon që kjo ndërmarrje nuk është në planin e Qeverisë.

“Ne asnjëherë nuk kemi marr përgjigje nga Qeveria. Kanë premtuar një investim 20 milionësh, por për ne është shumë e paqartë se çfarë ka ndodh me të shumë vonesa të gjata që ndoshta tash kishë qenë që ato mjete e investime me ardh tash, janë grumbulluar të gjitha problemet dhe janë bërë të mëdha. Vet fakti që ka mungesë të investimeve kapitale në Trepçë e shohim që kjo ndërmarrje nuk është as në planin e Qeverisë”, theksoi Jonuzi për Front Online.

Kushtet e rënda të punës, mungesa e prodhimit dhe fuqisë punëtorë, mjetet e vjetra, janë disa nga pakënaqësitë që po përballën punëtorët e Minierës së Trepçës, thotë Jonuzi.

“Mos realizimi i pagës, vlerësimi në menaxhimin e ndërmarrjes, lëvizjet ë shumta që kanë bërë tërheqja e punëtorëve  në njësitë punuese nga niveli i prodhimit në njësitë e tjera ka ndodhë që më u tkurr numëri i punëtorëve edhe kjo ka bërë që  tani po përballemi edhe në mungesë të prodhimit dhe fuqisë punëtore sepse ata punëtorët që punojnë në prodhim kanë dhënë maksimumin por njëra ndër arsyet kryesore është mos investimi kushtet e rënda të punës , mjetet e stërvjetruara të cilat po shkaktojnë shumë probleme dhe vonesa në realizim e prodhimit por kryesorja është që këta kanë dështuar në menaxhim”, u shpreh Jonuzi për Front Online.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Me rreth 20.000 punëtorë, ai është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, nga viti 1945 deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit./Front Online/

Shperndaje: