Ardhja e mërgimtarëve shoqërohet me rritjen e fluksit të udhëtimeve në në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’. Pikërisht në muajin qershor ka një rritje prej 10% të udhëtarëve të cilët vijnë në Kosovë në sezonin e verës.
Këtë e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Aeroportit, Valentina Gara.
Ajo ka njoftuar se nga janari ka rritje të vazhdueshme, ku në total Aeroportin Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ numëron 15% rritje të udhëtimeve. Vendet prej nga vijnë më së shumti udhëtarët janë Zvicra e Gjermania.
“Viteve të kaluara kemi pasur anulime për shkak të motit të keq, sidomos në sezonin dimëror duke pasur parasysh që kemi pasur një pistë më të shkurtë. Tanimë kemi zgjatur pistën dhe kemi ngritur kapacitetin e ndriçimit, ku aeroplanët mund të aterojnë në një dukshmëri deri në 50 metra nga 250 e cila ka qenë më herët”, ka treguar Gara për gjendjen e Aeroportit.