Nis punën projekti me të rinjtë për ta parandaluar përhapjen e lajmeve të rreme në Kosovë
Lajme / 27 Korrik, 2023
admin

Projekti Media Smart – Të rinjtë vlogojnë kundër informacionit të rremë synon të fuqizojë të menduarit kritik dhe aftësitë e qytetarëve të rinj në shoqëri. Projekti poashtu synon që përmes avokimit dhe fushates të sensibilizoj dhe vetëdijësoj gjerësisht, qytetarët (sidomos të rinjtë) më shumë për rolin që luajnë në shoqëri, si dhe detyrën dhe përgjegjësinë e tyre si konsumatorë të lajmeve për të zhvilluar mendimin e tyre kritik dhe për të parandaluar përhapjen e lajmeve të rreme dhe narrativave të dëmshme.

Projekti është mundësuar nga SMART BALKANS, i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA) dhe zbatohet nga organizata joqeveritare The Balkan Forum.

Për të kuptu më shumë për projektin, ekipi i Frontit u takua me organizaten The Balkan Forum ku në mes tjerash u diskutua që si  shoqëri jemi nën kërcënim në rritje nga informacioni i rremë, si: keqinformimi, disinformimi dhe kategoritë e tjera të tij (informimi keqdashës, deepfake, etj.). Shfrytëzimi gjithnjë e më i madh i rrjeteve sociale dhe shfaqja e platformave të ndryshme online, kombinuar me lehtësinë e përhapjes së informacionit në internet, krijon terren të përshtatshëm për shërndarjen e informacionit të rremë. Kjo mund të çojë në: konflikt dhe trazira nga gjuha e urrejtjes dhe disinformimit; të pengojë proceset demokratike dhe vendimmarrjen duke krijuar klimë konfuzioni dhe mosbesimi; të minojë besimin në institucione; të përhapë frikë dhe përçarje dhe të ndryshojë opinionin publik për çështje të rëndësishme. Në Kosovë (dhe në Ballkanin Perëndimor) informacioni i rremë mund të rrezikojë sigurinë duke nxitur tensione politike dhe etnike, duke dëmtuar besimin në institutione dhe media, duke minuar kështu stabilitetin dhe paqen. Andaj projekti Media Smart, ndonëse me buxhet modest dhe kohëzgjatje të shkurtë gjashtë mujore,  thekson se përhapja e informacionit të rremë mund të ketë pasoja të rënda sidomos për rininë, duke dëmtuar besimin e tyre, çorientuar aftësinë e tyre vendimmarrëse, përhapur ideologji të dëmshme, e madje edhe duke dëmtuar shëndetin e tyre mendor.

Prandaj, është thelbësore që qytetarët, sidomos të rinjtë, të pajisen me aftësitë për të identifikuar dhe bërë dallimin e informacionit të rremë. Kjo arrihet duke nxitur edukimin mediatik dhe të menduarit kritik në shoqëri. Ndaj është e rëndësishme që organizatat e shoqërisë civile të bashkëpunojnë me mediat, qeverinë dhe aktorë të tjerë për të luftuar disinformimin dhe për të promovuar informacion të saktë dhe të besueshëm.

Mbi këtë bazë projekti është konceptu dhe po zbatohet duke promovu një qasje gjithëpërfshirëse, ku janë përfshirë institucione arsimore, OJQ, studentët dhe mediet. U realizuan bashkëpunime me universitetet UBT dhe AAB dhe disa organizata joqeveritare të cilat mundësuan  identifikimin dhe përshfirjen e 20 të rinjëve në projekt, si dhe emrimin e mentorëve profesionist që do të përcjellin ecurinë e punës dhe realizimin e vlogut.

Element kyç në projekt është edhe barazia gjinore dhe përfshirja e komuniteteve. Për më shumë në projekt janë paraparë aktivitete të ndryshme si trajnime me metoda interaktive moderne për mësim-nxënje, vizita në medie të besueshme, prodhim të v-logjeve, dhe shpërndarje të njohurive me bashkëmoshatarët të tyre në qendra rinore, studentore etj.

Ndaj projektet për edukimin mediatik të të rinjve, sikurse projekti ‘Media Smart – Të rinjtë vlogojnë kundër informacionit të rremë’ janë shumë të rëndësishme, pasi u ofrojnë të rinjve aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të vlerësuar informacionin në mënyrë kritike dhe për të prodhuar përmbajtje të besueshme dhe të përgjegjshme. Ky projekt merr rëndësi të posaçme duke patur parasysh se në Kosovë ka mungesë të theksuar të programeve të edukimit mediatik, qoftë nëpër shkolla apo nga organizata të tjera, dhe ka pak fonde në dispozicion për nisma të edukimit mediatik. Ndaj dhe është me rëndësi që edukimi mediatik të ofrohet për të rinjtë dhe të promovohet më gjerë, që qytetarët e Kosovës, e sidomos të rinjtë, të kenë njohuri mediatike dhe aftësi që të vlerësojnë në mënyrë kritike informacionin që ata marrin nga burime të ndryshme.

 

Shperndaje: