Fshati me emrin karakteristik Gjylekar që tani i është vu emri Skifteraj, gjendet 9 kilometra larg komunës së Vitisë.
Pavarësisht emërtimit të ri tash e 24 vjet, shumica vazhdojnë ta njohin me emrin e vjetër Gjylekar.
Sipas Aferdita Sadikut, banore e këtij fshati, emri Gjylekar nuk tingëllon mirë për arsye siç ka thënë ajo, njerëzit tjerë që nuk janë nga ai fshat nuk e dinë historinë dhe domethënien e këtij emri.
“Emri i fshatit Gjylekar thuhet nga historianët që ka dy kuptime. Vendi i Shqiponjave dhe vend trimash por tek njerëzit e tjerë jashtë fshatit tonë tingëllon keq sepse nuk e dinë domethënien e emrit. Unë si një vendase nuk jam ndjerë keq asnjëherë për emrin e fshatit tim”, është shprehur ajo.
Sadiku ka thënë se për shkak të mungesës së punës, shumë të rinj kanë emigruar jashtë vendit.
“Fshati Gjylekar përndryshe Skifteraj është mjaftë fshat i gjerë. Ka pasur banorë shumë por si në të gjithë Kosovën kanë emigruar shumë të rinj sepse nuk ka mjaftueshëm vende të punës”, ka thënë ajo.
Ajo thekson faktin se sa tokë bujqësore është ky vend.
“Fshati Gjylekar njihet edhe për bujqësi në veçanti për kultivimin e Shalqirit. E kemi tokën shumë të mirë. Punohet shumë dhe thuajse çdo gjë rritet në mënyrën më të mirë”, ka deklaruar ajo.
Sadikun e gëzon fakti, se në fshatin nga ajo vjen kanë dalur emra të suksesshëm në fusha të ndryshme.
“Në fshatin Gjylekar ka shumë të shkolluar. Kemi doktor, mësimdhënës e shumë tjerë që kanë arritur në çdo aspekt. Këtu janë njerëzit shumë mikpritës sidomos në kohën e luftës kanë strehuar shumë familje nga shumë fshatra si Zhegër, Budrikë, Remnik dhe disa fshatra tjerë” ka përfunduar ajo.
Kryetari i fshatit Gjylekar: Njihemi si Hambar i Anamoravës
Por çfarë e karakterizon këtë fshat dhe si ju ndërrua emri nga Gjylekar në Skifteraj?
Front Online ka folur me kryetarin e këtij fshati, Demush Sadiku.
Ai ka treguar se ky fshat ka afër 3 mijë banorë dhe thotë se emri Skifteraj, u vendos në vitet e 2000-ta.
“Në fshatin tonë janë mbi 500 shtëpi. Janë 1598 banorë rezidentë dhe mbi 1300 në mërgim. Sipas të dhënave si vend i gjuetisë me shpend (sokol), këshilli i fshatit në vitin 1999-2000 është orientuar për emrin Skifteraj, por emri zyrtar ende është Gjylekar”, është shprehur Sadiku.
Sipas tij, fshati Gjylekar është Hambar i Anamoravës.
“Njihet si hambar i Anamoravës sepse e gjithë toka punohet. Gjysma e banorëve që jetojnë këtu merren me bujqësi e disa banorë kanë bizneset e tyre”, ka cituar ai.
Se mërgata luan rol të madh në këtë fshat e thotë edhe vet Sadiku, teksa shton se secili në mënyrën e vet ka dhënë kontribut për vendin.
“Kemi mërgatën shumë bashkëpunuese dhe kontribuuese në interes dhe mirëqenje për bashkëvendasit. Banorët e fshatit Gjylekar kanë qenë pjesëmarrës në të gjitha luftërat për çlirimin e atdheut deri në luftën e fundit të UÇK-së. Janë 6 dëshmorë të rënë nga ky fshat”, ka shtuar tutje përfaqësuesi i fshatit, Demush Sadiku.
Historiani Haliti tregon prejardhjen e emrit të fshatit Gjylekar, flet rreth paragjykimeve
Për historinë e këtij fshati, për Front Online ka folur edhe profesori i historisë, njëherit edhe banor i këtij fshati, Besim Haliti.
Sipas Halitit, fshati Gjylekar daton që nga mesjeta.
“Fshati Gjylekar (tash Skifteraj) daton që nga mesjeta, së paku në burimet e shkruara ku e gjejmë në Defterin e Vilajetit Vllek dhe në atë të Sanxhakut të Novobërdes 1455 me emrin Gjerekar, ku mungon tingulli ‘L’ dhe si toponim i dytë i përmendur aty është toponimi Rahorika. Këto të dhëna na dalin nga punimi i Adem Hanxhiç e të cilat i sjell në mënyrë shumë të përmbledhur edhe studiuesi nga ky fshat Esat Kamberi në monografinë “Morava e Epërme ndër shekuj”, ka thënë Haliti.
Lidhur me origjinën e emrit, Haliti ka thënë se ka disa mendime të ndryshme, ku supozohet që emri “Gjylekar” rrjedh nga fjala greke “Gerekar” që ka kuptimin Gjeraqinë apo skifter, dhe mendime të tjera që thuhet se emri vie nga osmanishtja që ka kuptimin e “Luleborës”.
“E para hipotezë është se emri i vjetër i fshatit Gjerekar, siç na del ne burimet e kohës disa prej të cilave i cekem më lart vie nga fjala greke “Gerekar” “Geraki” që ka kuptimin: Gjeraqine (skifter). Kur jemi te ky emër, unë mendoj se edhe fjala Geraki ka etimologji nga latinishtja e vjetër nga fjala “Gjerka” që lidhet me këtë zog grabitqar i cili në stinën e dimrit është shumë prezent në fshat edhe në ditët e sotme”
“Një hipotezë tjetër rreth prejardhjes së fshatit është se ky emër “Gjylekar” vie nga osmanishtja përkatësisht persishtja e vjetër, ku kjo fjalë ka kuptimin e “luleborës” dua ta ceki me këtë rast një fjalor të vjetër të cilin e kishte nxjerr nga një bibliotekë e njohur në SHBA, bashkëfshatari im Hashim Rexhepi dhe ku kjo fjalë e kishte këtë kuptim, sado që unë jam i prirur ti besoj hipotezës së parë edhe ky fakt nuk mund të përjashtohet”, tha ai.
Profesori i historisë, Besim Haliti për Front Online ka potencuar se fshati Gjylekar është i banuar me vendas dhe disa banorë që kanë ardhur në kohën e spastritmit etnik gjatë viteve 1877-1878.
“Fshati Gjylekar është i banuar me banorë vendas me përjashtim të disa shtëpive të lagjes së muhaxhirëve të cilët kanë ardhur në fshat në vitet e spastrimit etnik të pjesës verilindore të Vilajetit të Kosovës nga Serbia në dimrin e viteve 1877-78 dhe të cilët janë akomoduar në këtë fshat dhe prej asaj dite janë konsideruar si vëllezër duke e ruajtur këtë traditë edhe në ditët e sotme. Fshati ka luajtur një rol potent në ngjarjet ekonomike e politike në të gjitha kohërat, të cilin vazhdon ta luaj edhe sot”, ka thënë Haliti.
“Emri Gjylekar ka rrënjë të thella historike pavarësisht paragjykimeve të njerëzve”
Profesori i historisë, Besim Haliti kur u pyet për paragjykimet që hasin banorët e këtij fshati lidhur me emrin “Gjylekar”, tha se ky emër ka rrënjë të thella historike pavarësisht paragjykimeve të njerëzve.
“Paragjykimet kanë qenë mjaftë të shprehura për shkak se ky emërtim edhe pse nuk e ka asnjë kuptim as lidhje etimologjike gjuhësore për çfarë paragjykohet, në shqiptim është mjaftë qesharak dhe kjo shpesh herë na ka bërë të ndihemi keq ndaj njerëzve, sidomos ata që e dëgjojnë për herë të pare. Po e ritheksoj edhe njëherë që ky toponim ka rrënjë mjaftë të thella historike të cilat me gjasë shkojnë deri në antikë dhe ne ndjehemi mjaftë krenar për të”, ka deklaruar Haliti.
Ai tutje ka theksuar se krahas emrit te ri ka vazhduar të përdoret edhe emri i vjetër për fshatin i cili sipas tij, asnjëherë nuk u harrua nga banorët.
“Emërtimi i ri i fshatit është bërë pas lufte, asokohe unë kam qenë student dhe nuk kam mundur të jap kontributin tim si banor e as si profesionist i fushës mirëpo emri i ri i fshatit është bazuar te emri i vjetër (Gjeraqinë, Skifter) dhe është bërë një zgjedhje e duhur, por vlen të theksohet se krahas emrit të ri ka vazhduar të përdoret edhe emri i vjetër për fshatin i cili asnjëherë nuk u zbeh e as nuk u harrua nga banorët, mbase një emër që është përdorur për mijëra vjeçar nuk harrohet lehtë”, ka deklaruar ai për Front Online.
“Nxjerrja dhe punimi i gurëve për ndërtim dhe punimi i tokës janë disa nga veçoritë që e karakterizojnë fshatin Gjylekar”, ka thënë Haliti.
Tutje Haliti ka thënë se Fshati Gjylekar sa i përket veprimtarisë bujqësore po e furnizon gjithë Anamoravën, duke shtuar se kjo veprimtari është modernizuar shumë pas luftës.
“Sa i përket veprimtarisë bujqësore fshati Gjylekar mund të themi se është hambari i Moravës së Epërme ngase këtu toka punohet deri në centimetrat e fundit dhe pas lufte me iniciativat e familjeve dhe me përkrahjen institucionale kjo veprimtari është modernizuar krahas kërkesave dhe zhvillimit të kësaj dege ekonomike, duke bërë që ky fshat të njihet për furnizimin me produkte bujqësore jo vetëm në Kosovë por edhe Shqipëri siç është rasti me furnizimet me patate”, ka thënë ai.
Fshati Gjylekar ka një Shtëpi shëndeti, dy Xhami dhe një Shkollë fillore të mesme të ulët. /Front Online