Organizata “Freedom House” me seli në Uashington ka publikuar raportin vjetor ku vlerëson se Kosova mbetet vend “pjesërisht i lirë” pavarësisht përparimit në disa fusha për avancimin e të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve.
Në raportin mbi “Lirinë në Botë”, Kosova këtë vit vlerësohet me 60 pikë nga 100 pikë maksimale, pa ndryshime nga viti i kaluar. Në të kaluarën, organizata “Freedom House” e ka cilësuar Kosovën si vend në tranzicion me një sistem hibrid qeverisjeje, transmeton FrontOnline.
Ekspertja e organizatës “Freedom House” për Ballkanin, Alexandra Karppi, thotë për Zërin e Amerikës se situata në Kosovë nuk mund të shkëputet nga dinamika e zhvillimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vitet e fundit Kosova ka shënuar përparim, çka pasqyrohet tek rezultatet, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare, proceseve më të dobishme politike, që u kanë mundësuar qytetarëve pjesëmarrje më të lirë, dhe shoqërisë civile veprimtari më aktive. Këto gjëra gjithsesi kanë shënuar përparim vitet e fundit”, deklaroi zonja Karppi.
Viti 2023, sipas saj, ishte i vështirë për Kosovën
“Kemi parë rritje të dhunës në komunat veriore, çka mund të vërë në mëdyshje shumë procese, dhe mund shkaktojë trysni ndaj qeverisë që të sigurohet se po ofron mbrojtje për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi zonja Karppi. “Këto janë procese afatgjata. Kjo është një situatë e stërzgjatur sigurie.”
Sipas saj, “megjithëse ekzistojnë shqetësimeve për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve, janë bërë përparime të mëdha në respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave fetare.”
“Kosova mbetet një nga vendet udhëheqëse në Ballkanin Perëndimor në disa nga shtyllat e rëndësishme dhe thelbësore të demokracisë”./FrontOnline/