Kryeministri Albin Kurti po pretendon se brenda periudhës 4-vjeçare, gjatë qeverisjes së tij, në Kosovë janë hapur hiç më pak se 87 mijë vende të reja të punës. Por, deklaratat e tilla po i mohojnë zyrtarët e partive opozitare, duke shtuar se më shumë të rinjë kanë ikur nga Kosova se sa që janë punësuar këtu, raporton portali “FrontOnline”.
Deputeti i PDK-së për 87 mijë vendet e reja të punës: Imagjinatë e Albin Kurtit
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, nuk është befasuar me deklaratën e Kurtit për rritjen e vendeve të reja të punës.
Shala për Front Online ka deklaruar se rezultatet në ekonomi që prezantohen nga kryeministri janë vetëm imagjinatë e tij.
“Po befasohem me ata që i besojnë, por me deklaratat e kryeministrit jo. E vetmja gjë që i ka mbetë me prezantu si sukses janë ato punë që nuk janë me të vërtetë. Në ekonomi gjërat janë të njohura, dhe këto që deklarohen janë imagjinare nga një person që do duhet të ishte konkret kur flet për vendet e reja të punës. Duhet të tregoj se në cilin sektor, njësi e zonë, kush janë kompanitë që kanë punësuar dhe kush janë akterët, pagat e tyre, në sektorin publik apo privat, për këto përgjigje nuk ka kryeministri”, ka pohuar Shala.
Anëtari i LDK-së: Me Kurtin kryeministër janë hapur më pak vende pune
Ish-kryetari i Odës Ekonomike, njëherësh anëtar i LDK-së, Berat Rukiqi ka thënë se pushteti aktual në asnjë formë nuk e ka ndihmuar jetën e qytetarëve.
Rukiqi për Front Online thotë se çdo vend i punës i krijuar është si formalizëm.
“Janë shifra të rritura artificialisht. Mesatarisht edhe gjatë qeverisjeve të kaluara kanë arritur të krijohen 30 mijë vende të punës çdo vit në Kosovë dhe kjo nuk është ndonjë rezultat që e dallon këtë qeveri me qeverisjet e kaluara”, ka pohuar Rukiqi, duke shtuar se kryeministri Kurti dhe Qeveria që e ka drejtuar ai kanë pasur zero ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
Pal Lekaj: Në mandatin e Kurtit 87 mijë të rinjë ikën nga Kosova
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se “Kurti i krijoi 87 mijë vende të reja të punës pasi i largoi 87 mijë të rinjë nga Kosova”.
Ai nuk pajtohet se Qeveria aktuale ka arritur që me politikat e saj të krijojë vende të reja pune.
“Kryeministri ka të drejtë nëse thotë që 87 mijë persona lëshuan Kosovën, por jo që Qeveria ka arritur që me politikat dhe qeverisjen e saj të duhur të krijojë vende pune”./FrontOnline/