A ka “tërmet” në GUXO? Disa deputetë rreshtohen me Osmanin, thonë se Gërvalla bëri lëshime
Lajme / 18 Maj, 2024
admin

Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, gjatë ditës së djeshme ‘’guxoj’’ të dërgonte një letër tek Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e ku ishte zotuar se Qeveria e Kosovës do ta zbatoj obligimin për Asociacionin.

Në letrën e saj, Gërvalla  u tha atyre se Kosova do të përgatisë një draft të ri për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

E për këtë ka reaguar edhe Presidenca e Kosovës, shefja e se cilës është ish-bashkë partiakja e Gërvallës, Vjosa Osmanit.

Në reagimin e Presidencës thuhej se kjo letër ishte dërguar pa njoftimin e tyre. Për këtë çështje kanë folur për FrontOnline zyrtarë të subjektit politik ‘’Guxo’’, analistë politik e ish-njerëz të afërm të kryeministrit Albin Kurti.

Deputetja e GUXO: As mos të pret dikush ndarje e krisje mes Vjosës me Donikës

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, për FrontOnline thotë se nuk duhet pritur askush të ketë krisje të raporteve politike mes Presidentes Osmani dhe shefes së diplomacisë, Donika Gërvallës, duke i quajtur ato si dy zonja që kanë ndërtuar bashkëpunim në bazë të vlerave

‘’Nuk ka, as të mos pres dikush që do të ketë krisje të raporteve politike apo personale mes dy zonjave që për kohë të gjatë, kanë ndërtuar bashkëpunim reciprok mbi bazë vlerash e përkushtimi të palëkundur për të mirën e vendit. Presidentja Osmani dhe Ministrja Gërvalla i shërbejnë të njëjtës kauzë, në këtë rast janë duke bërë të pamundurën, secila në kuadër të përgjegjësive, që Kosova të bëhet pjesë e KiE’’, thotë ajo.

Statovci thotë se Presidentja Osmani vazhdimisht ka lobuar me intensitet të shtuar për Kosovën dhe se duket ditur presionet kohore edhe gjendja është jo e zakonshme.

‘’Siç e dini, Presidentja vazhdimisht ka lobuar me intensitet të shtuar, teksa presionet kohore, por edhe gjendja jo e zakonshme gjeopolitike në Evropë, po imponojnë zhvillime tepër të shpejta te të gjitha institucionet, përfshi Ministrinë e Jashtme, të cilës nuk duhet mohuar suksesi i madh në PACE, sukses ky i cili, po u respektuan parimet demokratike, do duhej të ishte çështje e kryer edhe në Komitetin e Ministrave’’ thotë deputetja e GUXO për FrontOnline.

Ajo shprehë rezerva sa i përket komentimit të strategjive diplomatike të shtetit.

‘’Meqë jemi në prag të një çështje shumë me rëndësi siç është anëtarësimi i Kosovës KiE, unë dua të rezervohem nga komentimi i strategjive diplomatike të shtetit, dhe më shumë të fokusohemi te lobimi i të gjithë neve për të arritur qëllimit të përbashkët’’ përfundon Statovci.

 

Deputeti i GUXO: Ministrja bëri lëshime kur e dërgoj letrën pa dijeninë e Presidentes, edhe në familje nganjeherë gabojmë

Deputeti i Listës Guxo që është në koalicion me Vetëvendosjen, Ekrem Mustafa, thotë se nuk ka përqarje të raporteve mes Presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së jashtme, Donika Gërvallës.

‘’Unë them të drejtën nuk ka përqarje mes Gërvallës dhe Osmanit, me Kurtin e kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, nuk po shoh diçka ose tendencë të tillë’’ deklaron deputeti.

Ai thotë se analistët po merren me këto çështje, por që janë lajme ditore.

‘’Vallahi me thënë të drejtën mundem me folë, por nuk kam qenë fort në ngjarje. Shiko, analistët edhe këto mediumet e ndryshme po merren me këto çka po ndodhin, por këto janë më shumë lajme ditore se sa që ka përçarje me zonjën Gërvalla’’ shton deputeti Mustafa, për FrontOnline.

Deputeti Mustafa, shprehet i bindur se nuk ka përçarje personale mes Osmanit e Gërvallës, por që e sheh si një lëshim nga ana e Gërvallës me letrën e dërguar dje në KiE pa miratimin e Presidentes Vjosa Osmanit.

‘’Joooo, nuk e shoh që ka përqarje personale, por janë lëshime mund t’i quaj nga zonja Gërvalla. Edhe në familje nganjëherë gabojmë, por nuk është gabim i madh, por kish qenë mirë me u njoftua edhe Presidentja para se me u dërgu një letër e tillë. Presidentja e vendit është institucion që duhet me u njoftu, por ndodhë nganjëherë që bëhen lëshime të tillë’’ përfundon ai.

Ish-zëvendësi i Kurtit: Albini është dredharak, Gërvalla u pozicionua me Kurtin

Deputeti i Pavarur në Kuvendin e Kosovës dhe ish-zëvendës i kryeministrit Albin Kurti, Haki Abazi, për FrontOnline thotë se ministrja Donika Gërvalla ka vendosur të jetë në anën e kryeministrit Albin Kurti dhe jo në anën e Presidentes Osmani.

‘’Duke pasur parasysh që Gërvalla ka vendosur të jetë në anën e kryeministrit, i bie se ka bërë thyerje kushtetuese, sepse Presidenca është institucion që domosdoshmërish duhet njoftuar për gjëra të tilla, siçka ka ndodhur në të kaluarën’’ thotë ai.

Abazi e quan manifestim përplasjen ndërmjet Kurtit e Osmanit duke treguar se ku ka nisur edhe krisja mes tyre.

‘’Kjo është manifestim i përplasjes ndërmjet Kurtit dhe Osmanit, në qëndrime e diskurs të negociatave por edhe procesin në KiE. Nuk mund ta quaj keqpërdorim të Gërvallës nga Kurti derisa ajo vetë pranon ta bëjë një gjë të tillë. Ajo tregoj se nuk e ka bërë këtë punë pa vetëdije. Ky shkrim përveç naiv, është edhe jo profesional’’, shton ai për FrontOnline.

Deputeti Abazi më tej thotë se kryeministri Kurti shquhet për mënyrën ‘’përqaj dhe sundo’’ duke e quajtur Kurtin si ‘’dredharak’’ dhe të ngjashëm me Hashim Thaçin.

‘’Gërvalla nuk është në koordinim me Osmanin, por është në anën e Kurtit. Kurti e ka pasur këtë metodë përçajë e sundo, duke faktorizuar njerëz të tjerë. Ai këtë e bën në mënyrë brilante, sepse këtë e bën tek njerëzit e dobët e tek Gërvalla edhe të padijshëm, në realizimin e objektiva të tij personale e politike. Kurti është politikan dredharak, i ngjashëm me Thaçin në të kaluar’’ përfundon Abazi.

Matoshi pas letrës së Gërvallës që dërgoj në KiE: Guxo shuhet, Donika mund të shkoj në VV e Vjosa në LDK

Analisti politik, Halil Matoshi, për FrontOnline thotë se letra e shefes së diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla dërguar në KiE është një manovër e kryeministrit Albin Kurti.

‘’Letra e Ministres Donika Gërvalla është edhe një manovër e Albin Kurtit për t’i bindur kosovarët se ai nuk është fajtori që Kosova nuk hyri në agjendën e Këshillit të Ministrave për pranim në KiE’’ thotë ai.

Matoshi thotë se Gërvalla është në dëlir.

‘’Gërvalla është në dëlir, druhet nga shpushtetizimi, kurse Presidentja është vonë, shumë vonë’’, deklaron Matoshi.

Analisti Matoshi thotë se pas kësaj që ndodhi dje, Donika Gërvalla mund të merr një vend për listë si kandidate për deputete nga Vetëvendosje, ndërsa Vjosa Osmani të kthehet në LDK, kur ti mbaron mandate i presidentes.

‘’Gërvalla mund të marrë një vend në Listën e VV-së për deputete, kurse Vojsa Osmani mund të kthehet në LDK pas një viti e gjysmë! Lista Guxo shuhet!’’, shprehet ai/FrontOnline/

Shperndaje: