Bilanci diplomatik i Qeverisë “Kurti”/ 1170 ditë në pushtet, zero njohje dhe anëtarësime ndërkombëtare
Lajme / 6 Qershor, 2024
admin

Është hera e parë në historinë e Kosovës, ku një Qeveri që është me e gjata në pushtet (1170 ditë) nuk e sjellë asnjë njohje për vendin. Madje, edhe Qeveria e Avdullah Hotit, që ka qenë Qeveria më jetë shkurtër në historinë e Kosovës, kishte sjellur të paktën një njohje nga Izraeli dhe ajo ishte siguruar ekskluzivisht nga Shtëpia e Bardhë dhe ish-Presidenti amerikan Donald Trump.

Mos sjellja e asnjë njohje nga Qeveria “Kurti” për opozitën kosovare po konsiderohet si dështim epokal. Sipas tyre është dëmtuar rëndë imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Krasniqi e LDK-së: Politika e jashtme është shndërruar në “shëtitje qejfi” të ministres Gërvalla

Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja thotë për “Front Online” se Qeveria ka dështuar në çdo proces integrues të vendit, dhe se zyret e ambasadave janë bërë sikur degë partiake të VV/GUXO.

“Qeveria Kurti ka dështuar në çdo proces integrues të vendit, përfshirë edhe njohjet e anëtarësimet. Njohja e fundit për Kosovën ishte nga Izraeli në qeverinë Hoti. Kjo qeveri e ka ndalur çdo lobim për Kosovën, më as shtet mike nuk lobojnë për ne, natyrisht që njohjet e reja nuk vijnë pa mbështetjen e miqve tanë, zyret e ambasadave tona janë bërë sikur degë partiake të VV/GUXO”, tha deputetja e LDK-së për Front Online.

Krasniqi tha se politika e jashtme është shndërruar në “shëtitje qejfi” të ministres Gërvalla dhe kabinetit të saj. “Politika e jashtme është shndërruar në “shëtitje qejfi” të ministres Gërvalla dhe kabinetit të saj, ministrat e kësaj qeverie janë të izoluar, madje edhe në rajon”, tha ajo.

Krasniqi theksoi se qeveria aktuale ka bërë që Kosova sot shihet nga aleatët si vend me siguri të brishtë.

“Unë për momentin jam në Berlin dhe nga këtu po e shoh mangësinë e madhe që kjo qeveri e ka për lobin, e për prezencë më të madhe të Kosovës në tryezat ndërkombëtare. E kanë bërë Kosovën vatër të krizave në Ballkan, Kosova sot shihet nga aleatët si vend me siguri të brishtë”, tha Krasniqi për Front Online.

Nënkryetarja e PDK-së: Profili i Kosovës në arenën ndërkombëtare është në pikën më të ulët

Mimoza Ahmetaj, nënkryetare e PDK-së, thotë për “Front Online” se me qeverinë “Kurti” jo që nuk kemi pasur njohje nga ndonjë shtet apo anëtarësim në organizatat ndërkombëtare por, sipas saj, përkundrazi e kanë vënë Kosovën nën sanksione të BE-së dhe ShBA-ve.

“Me vetë faktin që Kosova në më shumë se tri vite e gjysmë prej kur e kemi Qeverinë “Kurti” në pushtet e kemi parë që jo vetëm që nuk i kanë sjellë Kosovës njohje por përkundrazi e kanë vënë Kosovën nën sanksione të BE-së dhe ShBA-ve”, tha nënkryetarja e PDK-së.

Ahmetaj konsideron se profili i Kosovës në arenën ndërkombëtare është në pikën më të ulët dhe se nuk ka ndonjë pritje në këtë fushë.

“Është iluzion që të pritet që mund të ketë njohje kur ne i kemi i kemi në këtë gjendje  raportet me shtetet partnere dhe profili i Kosovës në arenën ndërkombëtare është në pikën më të ulët. Prandaj, nuk kam ndonjë pritshmëri në këtë pikë”, tha Ahmetaj për Front Online.

Kadrijaj: Qeveria me performancën më të keqe të mundshme, e ka dëmtuar imazhin e Kosovës

Time Kadrijaj deputete nga radhët e AAK-së thotë për “Front Online” se Qeveria Kurti është qeveria me  performancën më të keqe të mundshme dhe se i ka shkaktuar Kosovës dëme të mëdha duke i dëmtuar raportet me aleatët me ndërkombëtarë.

“Kjo është qeveria me performancën më të keqe të mundshme. Qeveri jo transparente, jo llogaridhënëse, qeveri populiste e cila në vend që të punoj dhe liderët e saj të sillen si lidership qëmbi supe bartin të ardhmen e Kosovës, këta sillen si lider të një partie opozitare dhe merren me popullizma gjë që Kosovës i kanë shkaktuar dëm dhe i ka dëmtuar thellë raportet me aleatët me ndërkombëtarë”, tha ajo.

Kadrijaj thotë se Qeveria “Kurti” ka dështuar në politikën e jashtme. “Kosova është e sanksionuar tash e një vit dhe ka humbur mbi 15 milionë euro dhe mos të flasim për dështimet që i ka bërë në politikën e jashtme”, tha tutje deputetja e AAK-së.

Kadrijaj tha se Kosova nuk ka asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim, dhese kjo Qeveri e ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës.

“Nuk e kemi asnjë njohje, nuk kemi asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo qeveri e ka dëmtuar imazhin e Kosovës. Ne mbetemi vendi më i izoluar edhe në Ballkanin Perëndimor por edhe më gjerë”, tha Kadrijaj për Front Online.

Imeri: Kosova nuk ka arritur të siguroj asnjë njohje, është dështim

Dorajet Imeri, njohës i integrimeve evropiane thotë thotë për “Front Online” se është dështim i Kosovës mos njohja si shtet nga shtetet tjera. Por sipas tij kjo kjo nuk nënkupton që subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës nuk është forcuar.

“Në politikën e jashtme të Kosovës një nga prioritetet që ka pasur Qeveria aktuale ka qenë forcimi i subjektivitetit ndërkombëtarë dhe arritja e njohjeve të reja nga shtetet tjera. Meqë nuk kemi asnjë njohje, kjo është një objektivë e pa arritur. Por kjo s’nënkupton që subjektiviteti ndërkombëtar nuk është forcuar, lidhet edhe me praninë në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, që përfshihen  si në raportet e marrëdhënieve diplomatike që ka Kosova dhe konsolidimi i tyre, dhe e dyta është mirëmbajtja e marrëdhënieve paraprake”, tha ai.

Imeri thotë se gjithçka që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me pranimin e saj si shtet i ri nga shtetet e tjera, varet nga një marrëveshje që Kosova do ta ketë me Serbinë.

“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është një tjetër segment i rëndësishëm, për të cilën Kosova nuk mund të krenohet, ngase siç dihet as gjatë kësaj periudhe nuk ka bërë hapa në këtë drejtim. Me gjasë gjithçka që lidhet me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me pranimin e saj si shtet i ri nga shtetet e tjera, varet nga një marrëveshje që Kosova do ta ketë me Serbinë”, tha Imeri për Front Online.

Shperndaje: