Ka filluar Java e Krenarisë në Kosovë, e cila synon fuqizimin e personave LGBTQI+ që të ngrisin vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve seksuale dhe identiteteve gjinore të ndryshme në shoqëri, luftimin e diskriminimit dhe trajtimin e barabartë.
Megjithatë, përkundër shumë përpjekjeve dhe premtimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar votat për kalimin e projektligjit për Kodin Civil, ky i fundit tash e dy vite po zvarritet herë në Qeveri e herë në Kuvend.
Kurti gjatë muajit prill 2024 ka premtuar se ai personalisht shumë shpejt do t’i sigurojë votat për Kodin Civil. Pavarësisht kësaj, disa nga deputetët e mazhorancës që kanë votuar kundër këtij Projektkodi vazhdojnë të mos i ndryshojnë qëndrimet e tyre, madje nuk presin që gjatë kësaj legjislature të vijë ky projektligj për votim.
Deputeti i Vetëvendosjes: Disa deputet e kanë ndryshuar qëndrimin nga pro në kundër për Kodin Civil
Përvese nuk po sigurohen votat për këtë projektligj, ka disa deputetë që kanë ndryshuar qëndrimin nga pro në kundër.
Kështu të paktën po deklaron për “Front Online” deputeti i “Lëvizjes Vetëvendosje”, Gramos Agusholli.
Deputeti Agusholli nuk ka pritshmëri që në këtë legjislaturë të vijë ky projektligj.
“Nuk ekzistojnë numrat për të kaluar, dhe nuk vjen në këtë legjislaturë. Qëndrimi im nuk ndryshon, jam kundër. Disa deputetë kur e kanë parë reagimin e elektoratit janë duke menduar të ndryshojnë nga pro në kundër”.
Duda Balje: As Qeveria e as Kuvendi nuk janë gati të diskutojnë për Kodin Civil
Ndërsa, deputetja e Grupit Multietnik, Duda Balje, deklaron për “Front Online” se as Qeveria e as Kuvendi nuk janë gati të diskutojnë për Kodin Civil.
Sipas Baljës, deputetët e VV-së që kanë votuar kundër nuk do ta ndryshojnë qëndrimin.
“Në këtë legjislaturë nuk do të vijë. Nuk kemi numra, as Qeveria as Parlamenti nuk është gati të diskutoj për këtë çështje në këtë moment. Unë do të jem kundër. Nuk do ta ndryshojnë qëndrimin VV për të votuar pro, nuk besoj”.
Eman Rrahmani: Nuk do ta ndryshoj asnjëherë qëndrimin për projektligjin e Kodit Civil
Deputeti i “Lëvizjes Vetëvendosje”, Eman Rrahmani nuk do ta ndryshoj asnjëherë qëndrimin për projektligjin e Kodit Civil.
Ai thotë për “Front Online” se as në këtë legjislaturë nuk do të vijë për votim ky projektkod.
“Nuk vjen Kodi Civil për votim në këtë legjislaturë. Kurrë s’do ta votoj jam gjithmonë kundër këtij projektligji”.
Deputetët që kanë votuar kundër Kodit Civil, në herën e parë kanë qenë: Labinotë Demi – Murtezi (LVV), Eman Rrahmani (LVV), Burim Karameta (LVV), Gramoz Agusholli (LVV) Visar Korenica (LVV), Driton Hyseni (LVV), Fitim Haziri (LVV), Drita Millaku (LVV), Fjolla Ujkani (LVV), Ekrem Mustafa (LVV), Alban Bajrami (LVV), Valon Ramadani (LVV), Milazim Salijaj (LVV), Nijazi Isaku (LVV), Besnik Tahiri (AAK), Time Kadrijaj (AAK), Pal Lekaj (AAK), Bekë Berisha (AAK), Albana Bytyçi (AAK), Mërgim Lushtaku (PDK).
Kundër kanë votuar edhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë.
Çka thotë Projekt-kodi Civil për martesat ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë?
Kodi Civil është një akt juridik më i rëndësishëm pas Kushtetutës. Kundërshtimet më të zëshme ndaj Projekt-kodit Civil kishin të bënin me nenin 1138. Ky nen parasheh hartimin e një ligji që do t’i lejonte “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”. Megjithatë, ai përcakton që martesa është “bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme”, që do të thotë se nuk mundëson martesën midis personave të gjinisë së njëjtë./FrontOnline