Kishin premtuar se do të qeverisnin me duar të pastra e madje komplet fushata e tyre zgjedhore ishte me premtime për qeverisje të mirë e në shërbim të qytetarëve si dhe duke sulmuar e kritikuar qeveritë e kaluara për aferat, skandalet e keq-përdorimet e tyre për gjatë kohës sa kishin qeverisur, por gjërat ndryshuan krejtësisht, shkruan FrontOnline.
Për Albin Kurtin e fushatës zgjedhore, familjarët do të mbeteshin vetëm për dasma e ahengje, por për Qeverinë “Kurti”, nepotizmi mori jehonë e skandalet veç po plasnin sa në MINT, sa në infrastrukturë, sa në diplomaci e sa e në ekonomi, sa që me skandalet dhe aferat e kësaj qeverie do të ”çuditeshin” edhe vetë akraballëku i udhëheqësve qeveritar.
Për gjatë tri vite e gjysmë të Qeverisë Kurti, kemi pasur një mori skandalesh e aferash, si:
Afera me Martin Berishajn, ambasador i Kosovës në Kroaci
Skandali me Nagip Krasniqin, ish-kryeshefin e KEK-ut
Avullimi 376 mijë euro për autostradën e Gjilanit nga Ministria e Infrastrukturës
Afera vaji dhe gruri në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë
Skandali ‘Ekstazi’ me asamblistin e VV-së në Prishtinë
Publikimi i bisedave Kusari-Radojçiq
Aferat me kontratat një burimore e po ashtu edhe punësimet e shumëta familjare.
Xhavit Haliti: Edhe në Qeveritë e kaluara ka pasur korrupsion e afera, por as tash s’ka dorëheqje
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, për FrontOnline, ka folur për aferat dhe skandalet e Qeverisë Kurti. Ai thotë se në vendet demokratike, kur ka të tilla afera, një ministër ose merr masa ndaj protagonistëve që shkelin ligjin, ose jep dorëheqje bashkë me ta.
‘’Në vendet demokratike një ministër që në dikasterin e tij, ka skandale të përmasave të shkeljeve ligjore, ose merr masa ndaj protagonistëve që kanë shkelur ligjin, ose nëse janë njerëz të afërt ose të ngarkuar nga ministri, atëherë ministri do të duhej të shkojë bashkë me ata e të jep dorëheqjen’’
Haliti, thotë se përjashtuar dorëheqjen e ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Rexhepit, nuk ka pasur ndonjë rast të tillë të dorëheqjes për shkak të aferave ose skandaleve edhe pse ka pasur të tilla në Qeveritë e kaluara.
‘’Problemi është i të gjithëve, përmes angazhimit të përbashkët, të eliminohen të metat në Qeveri. Afera edhe në të kaluarën ka pasur, edhe në të kaluarën ka pasur gabime dhe të meta në qeverisje, por ajo që është me rëndësi, sot është se përse po përsëriten dhe pse nuk ka masa ligjore dhe pse nuk po miratohen ligje, që do të ishin të rrepta, për keqpërdoruesit e shtetit. Në asnjë Qeveri, përjashto rastin e ish-ministrit Fatmir Rexhepit, kurrë s’ka pas ndonjë dorëheqje, duke u bazuar në përgjegjësitë personale’’ thotë ai për FrontOnline.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thotë se edhe qytetarët kanë krijuar imunitet ndaj aferave dhe korrupsionit.
‘’Ne mundemi me kërku me media dhe me fjalë, por nuk po japin dorëheqje. Nuk janë veç mediet ato që munden me kriju opinion, problemi është se edhe qytetarët kanë krijuar imunitet ndaj aferave dhe nuk ka opozitë që e ngritë qytetarin kundër shkeljeve dhe kundër padrejtësive, kundër korrupsionit, andaj po mbetët zhurme që nuk po shkon në vesh të duhur dhe nuk ka veprime të cilat do të ishin në interes të vendit që më u përmirësu qeverisja’’ thotë ai’’ thekson ai.
Haliti, kërkon ligje të rrepta për gjithë ata që keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare, duke sugjeruar që të merren si model ligjet nga vendet perëndimore për miratim.
‘’Nuk mund të ketë eleminim të korrupsionit nëse nuk bëhen ligjet siç funksionojnë në perëndim. Le të merren ligjet e Britanisë, Holandës, Danimarkës ose Zvicrës, por cilat janë pasojat e një qytetari ose ministri që abuzon me fondet publike. Janë masa me të rrepta që mund të merren me pasoja të përjetshme, duke ua humbur të drejtën edhe pas vendimit që me u angazhua në jetën publike, derisa s’ka ligje të tilla është e vështirë’’, shprehet ai për FrontOnline.
Haziri numëron skandalet dhe aferat e Qeverisë “Kurti”
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për FrontOnline udhëheqjen e Albin Kurtit e konsideron më shumë si formë administrimi se sa udhëheqje qeverisëse.
Haziri, thotë se kryeministri Albin Kurti nga premtimi me duar të pastra e ka kthyer në administrim që ai vendosë.
‘’Po kjo ajo është që ka ndodhë, gjithcka cka ka thënë nuk e ka bërë. Dhe nga premtimi me duar të pastra, Kurti e ka kthyer në administrim që përjashton qeverisjen dhe administrimi i tij nënkupton se ai vendos në administrimin e centralizun që përfshin kontratat sekrete dhe gjitha skandalet që kanë pëlcite lidhën me mënyrën se si ai administron me Republikën fatkeqësisht dhe mbi të gjitha këto kanë të bëjnë me kamuflua gjithë mekanizmin korruptiv dhe klientalizmin korruptiv që ka krijuar në sistem’’ shprehet Haziri.
Nënkryetari i LDK-së, për FrontOnline thotë që së paku ka qenë dashur që për skandalet dhe aferat e Qeverisë Kurti të ketë një akt dorëheqje, sepse ato afera dhe skandale kanë pasur përmasa të mëdha.
‘’Së paku ka qenë dashur akti i dorëheqjes para njerëzve sepse kur ndodhin skandale të tilla në sistem me përmasa të mëdha, rezervat shtetërore është magjja e popullit dhe nëse atu kanë keqpërdor dhe nuk dihet sot se ku është vaji e gruri e as konservat, që kapin shifrën 20 milion, tregon qartë se janë futur duart deri në bërryla në kuletën e popullit dhe keqpërdorimet janë skandaloze. Dorëheqja është akt moral, por kjo përgjegjësi i bie zyrës së Kurtit dhe atij personalisht’’ potencon Haziri.
Dyshi i LDK-së, thotë se nuk është punuar asgjë dhe se Qeveria Kurti duhet me dhënë llogari para popullit.
‘’Jo që nuk është punuar asgjë sepse 70% të punimeve në i kemi lënë në funksion të kryera, vetëm 2% kanë mbetur për ndreqim të shtyllave dhe ato janë blerë në Serbi, këta kanë thënë nuk i kanë blerë, por i kanë blerë në Serbi. Avullimi i mjeteve të buxhetit është avullim i mjeteve të popullit, pavarësisht sa është vlera dhe Qeveria duhet me dhënë llogari, dhe dorëheqja është më e pakta’’ thekson Lutfi Haziri për FrontOnline.
Ai shpreh besim në institucionet e drejtësisë dhe thotë se një ditë secili do të vije para drejtësisë për veprimet e tij.
‘’Shteti ka vepruar në rastin e kompanisë publike të Nagip Krasniqit i cili është në procedurë të hetimeve, por unë jam nga ai që i besoj institucioneve të shtetit, mundet me pas vonesë por drejtësia vendos herë do kur do, duhet me vepruar shteti. Edhe ai kamion që është blerë nga kryetari i Gjilanit, me para të Gjilanit pa kurrfarë procedure dhe janë paguar transaksion ndërkombëtar prej 40 mijë euro është vepër e rëndë penale e deri tek skandalet tjera. Këto skandale e tregojnë shëmtinë se si VV e ka keqpërdor emocionin e pakënaqur të qytetarëve’’, përfundon Haziri.
Deputeti Lekaj për skandalet e Qeverisë: Do të duhej shkarkim ose dorëheqje
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, thotë se skandalet dhe aferat korruptive të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, janë shqetësuese dhe kanë ngjallur shumë polemika, duke thënë se duhet mbajë përgjegjësi për to.
‘’Skandalet që keni përmendur janë padyshim shqetësuese dhe kanë ngjallur shumë polemika në opinionin publik. Është e rëndësishme që çdo qeveri të mbajë përgjegjësi dhe transparencë për veprimet e saj, dhe këto skandale kanë ngritur pyetje serioze mbi integritetin dhe menaxhimin e institucioneve’’ thotë ai.
Lekaj, thotë se në raste të tilla, shkarkimi ose dorëheqja, do të ishin të nevojshme për të mbajtur të paktën besimin e publikut dhe për të lejuar që të bëhet një hetim i plotë dhe i paanshëm.
‘’Mendoj se në raste të tilla, dorëheqjet ose shkarkimet mund të jenë të nevojshme për të ruajtur besimin e publikut dhe për të siguruar që të bëhet një hetim i plotë dhe i paanshëm’’, shprehet ai.
Nënkryetari i AAK-së, për FrontOnline, thotë se nëse ka individë që kanë shkelur ligjin, largimi i tyre nga pozitat që kanë do të ishte hap i duhur.
‘’Nëse individët e përfshirë kanë shkelur ligjin ose kanë treguar mungesë të përgjegjësisë etike, atëherë largimi i tyre nga pozitat e tyre do të ishte një hap i duhur. Transparenca dhe përgjegjësia janë shtylla kryesore të një qeverisje të mirë dhe të besueshme’’ shton Lekaj.
Deputeti Lekaj, shprehet se qytetarët duhet të dijnë të vërtetën për këto skandale.
‘’Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën dhe të shohin që të ndërmerren masa konkrete ndaj atyre që janë përgjegjës për këto skandale’’ përfundon Lekaj.
Analisti Arifi për skandalet dhe aferat e Qeverisë: Kurti nuk e riformatoi Qeverinë, e lëre më t’i shkarkoj të dyshuarit
Analisti politik Dritëro Arifi, për FrontOnline thotë se në fillim ishte krijuar përshtypja se Vetëvendosje janë engjëj, por politika e tyre e ka ndryshuar këtë perceptim dhe nga ‘’ engjëj’’ dolën në ‘’djaj’’, duke thënë se edhe në qeveritë e kaluara ka pasur korrupsion, por ka pasur edhe projekte kapitale, derisa e sheh mungesë një gjë të tillë tek Qeveria Kurti.
‘’Për këto tri vite e gjysmë të Qeverisë Kurti ll, në fillim u pat krijuar perceptimi se këta janë sikur një Qeveri me engjëj e jo të djajve, mirë po praktika na dëshmoj edhe më keq se në Qeveritë tjera ka pasur korrupsion, por ka pasur edhe zhvillim e projekte të mëdha e tek kjo Qeveri projekte të mëdha nuk ka pasur, zhvillim jo, por ka pasur vetëm për afera të ndryshme korruptive dhe e kanë ndryshuar narracionin se njerëzit e VV-së janë njerëz të ‘shenjt’ dhe nga njerëz të shenjt u shndërruan në njerëz jo te shenjt, në kuptimin e asaj janë njerëz të rendomtë’’ thotë ai.
Analisti Arifi, për FrontOnline thotë se shumat për të cilat flitet për aferat e kësaj Qeverie, tejklalojnë pritshmëritë e qytetarëve edhe për qeveritë e kaluara.
‘’Shumat që fliten tek aferat një burimore, tek Martin Berishaj, i tejkalojnë pritshmërite qytetarëve për qeveritë e kaluara. Parimet që i ka mbajte VV, nuk po i mbanë tash kur po gjendet para aktit të kryer, siç është edhe ajo e bisedave Lila-Radojeciq’’ potencon ai.
Ai thotë se Kurti nuk e ka pare të udhës të bëjë as riformatim të Qeverisë e lërë dorëheqje ose shkarkim.
‘’Kurti nuk e ka parë të rrugës as të bëjë riformatizim të Qeverisë, e lërë më për dorëheqje dhe në një moment të caktuar qytetarët do ia tregojnë edhe vlerën që VV e ka mbjellur për këto katë vite. Pikërisht kjo është kur nuk e sheh Elefantin në dhomë, dhe ky është gabimi më i madh që VV ia ka bërë fillimisht vendit por edhe vetë partisë së saj, sepse njerëzit fillimisht nuk harrojnë dhe në të ardhmen e afërt ata do të hakmerren sikurse partive tjera në pushtet’’ përfundon Arifi për FrontOnline.
Afera me Martin Berishajn, amabsador i Kosovës në Kroaci
Dy vite më pare mediat sllovene publikuan një skandal, se si ambasadori i Kosovës, në Slloveni, Martin Berishaj, ishte përfshirë në një skandal diplomatik të shpërlarjes së parave, me anë të një kompanie që ai e kishte të regjistruar në Mal të Zi.
Duke iu referuar raportimit të mediave sllovene, amabsadori Martin Berishaj, kishte marrë 600 mijë euro, e të cilat para sipas mediave sllovene, Berishaj i kishte tërhequr gradualisht si para kesh.
Ky ishte njëri nga skandalet që kishte ngritur debat të madh sa parlamentar, aq edhe debat publik. Por përkundër saj, Berishaj vazhdon të qëndronte ambasador i Kosovës në Kroaci.
Afera me Nagip Krasniqin, ish-kryeshefin e KEK-ut
Ish-kryeshefi i KEK-ut, po ashtu u përfshi në afera. Atij, poashtu iu ngritën tri vepra penale.
Krasniqi ishte arrestuar nga Prokuroria Speciale më 19 prill 2023. Sipas Prokurorisë, i njëjti dyshohej se kishte kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”. Ndërkohë, më 25 prill Bordi i KEK-ut e kishte pezulluar nga detyra e kryeshefit të kësaj korporate.
Ndaj të njëjtit më 20 prill 2023 ishte caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore. E njëjta gjykatë në shtator të 2023-së mori vendim për lirimin e tij nga paraburgimi.
Ndërkaq, një muaj më parë Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se kanë liruar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqin.
Afera ‘Zdravo’, Kusari-Lila vs Milan Radojeçiq
U bë shumë e madhe, një publikim i një bisede ku protagonistë ishin Mimoza Kusari-Lila, aktualisht shefe e Grupit Parlamentar të VV-së si dhe Milan Radojeçiqit, aktualisht i sanksionuari nga SHBA dhe organizatori i sulmit terrorist në Banjskë.
Ky publikim mori vëmendje e po ashtu hapi debat të madh në shoqërinë kosovare, derisa u ‘’arsyetua’’ nga akterë të VV-së.
Në këtë bisedë dëgjohet shefja e deputetëve të VV-së duke biseduar për miratimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, për ligjin e pagës minimale dhe veteranëve, e ofendon nënkryetarin e PDK-së, Uran Ismailin, duke e quajtur “idiot patetik”, si dhe e përmend Ramush Haradinajn e Bekim Haxhiun.
Ndërkaq, dy ditë më parë po ashtu në media doli edhe një bisedë tjetër, po ashtu mes dy personave të lartë cekur e ku bisedonin në gjuhën serbe.
Publikimi i bisedave, kishte quar në tension deputetët në Kuvendin e Kosovës, sa kishte pasur edhe përleshje mes tyre.
Afera me vaj dhe grurë
Kjo ishte pikërisht ajo që kishte alarmuar shtetin e Kosovës dhe kishte nxitur debat të madh në shoqërinë kosovare.
Ishte viti i kaluar kur në media u publikua afera për vajin dhe grurin.
Në këtë aferë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bisedojnë rreth nënshkrimit të kontratës për blerjen e grurit vitin e kaluar. Ata përmendin me emra disa zyrtarë si Hafiz Gara, Rexha, Arbëri, këshilltari (që nuk dihet nëse është fjala për këshilltarin e ministres, apo të ndonjë zyrtari tjetër)
Sipas bisedës, kuptohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Vlera e grurit që mungonte sipas bisedave, del të ishte rreth 6 milionë euro. Kjo duket se kishte shkaktuar edhe përplasje ndërmjet disa zyrtarëve në Ministrinë e Rozeta Hajdarit.
Skandali ‘Ekstazi’
Kosova nuk u ndal së pushuari nga publikimi i skandaleve dhe aferave, sikur të mos mjaftonin aferat e lartë cekura, në publik do të plaste edhe një aferë tjetër.
Ishte arrestimi i asamblistit të VV-së, në Prishtinë, Besnik Mujecit, i cili u kap me 10 mijë doza drogë në Tiranë.
Droga ishte mbështjellë me logo Louis Vuitton. Dozat e lëndës narkotike mësohet se shiteshin kryesisht në zonën e ish bllokut dhe në lokalet e natës. Sipas përllogaritjeve, një dozë shitej 30-50 euro dhe e gjithë sasia kapte vlerën e rreth 500 mijë euro.
Nënshkrimi i kontratave një burimore
Vlera totale e kontratave njëburimore është mbi 200 milionë euro.