Draft-statuti i Asociacionit në Kushtetuese apo në Komisionin e Venecias? Çka thonë ndërkombëtarët, opozita dhe ekspertët
Lajme / 9 Korrik, 2024
admin

Ndërkombëtarët po kërkojnë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që draftin e statutit të Asociacionit ta dërgoj sa më parë në Gjykatën Kushtetuese, përderisa shefi i ekzekutivit thotë se i njëjti fillimisht duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias.

Mirëpo, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Horde dhe homologut i tij amerikan, Jeffrey Hovenier, kanë deklaruar se i vetmi institucion që mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociacionit është Gjykata Kushtetuese.

Përvec ambasadorit amerikan dhe atij gjerman, me idenë e Kurtit që draft-Asociacioni të dërgohet në Komisionin e Venecias, nuk pajtohet as opozita dhe as njohësit e çështjeve juridike.

Kryeziu: Qeveria e ka obligim ligjor ta dërgoj draft-statutin në Kushtetuese

Ish-gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, vlerëson se Qeveria e Kosovës e ka obligim ligjor ta dërgoj draftin e Asociacionit në Kushtetuese.

Kryeziu thotë se çdo veprim tjetër është politik.

“Bazën e ka në Marrëveshjen e 2013-tes në Bruksel, në bazë të saj janë edhe përshkrimi i detyrave, zbatimi i kësaj marrëveshje, Qeveria ka për obligim Kushtetues dhe ligjor për dërgimin e projekt-statutin në Kushtetuese e kjo duhet të bëhet me një vendim i cili quhet dekret. Të gjitha rrugët tjera nuk janë ligjore e as Kushtetuese kanë karakter politik e partiak”, vlerësoi Kryeziu.

Arifi: Ideja e Kurtit për dërgimin e draft-statutit në Komisionin e Venecias jashtë marrëveshjes së Brukselit

Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi, thotë se ideja e kryeministrit Albin Kurti për dërgimin e draft-statutit në Venecia është jashtë marrëveshjes së Brukselit.

Arifi vlerëson se Bashkimi Evropian nuk do ta pranoj idenë e kryeministrit kosovar.

“Ideja e Kurtit ishte e re dhe e papritur dhe jashtë marrëveshjes së Bruksel. E vështirë të besohet se BE si palë në bisedime do të pranoj që të ketë anashkalim të procesit”, shprehet Arifi.

Muhaxheri i LDK-: Kurti po e shfrytëzon për vota temën e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti temën për Asociacionin po e shtynë shkaku i zgjedhjeve, thotë nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri.

Ai tha se Kurti po e luan ‘të fortin’, pasi sipas tij, të gjitha kushtet i ka pranuar.

“Kurti para zgjedhjeve po dëshiron ta luaj të fortin se krejt i ka pranuar. Mbas zgjedhjeve do t’i kryej krejt obligimet që i ka”.

Sipas Muhaxherit, Kurti po e shfrytëzon për vota temën e Asociacionit.

“Tema e Asociacionin vetëm për shkak të zgjedhjeve po shtyhet, popullizem i Kurtit që me fitu sa më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Deputetja e AAK-së: Kurti po heziton ta dërgoj draft-statutin në Kushtetuese

Anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj tha për Front Online se kryeministri i Kosovës po heziton ta dërgoj draft-statutin në Kushtetuese.

Sipas Kadrijajt, drafti nga Kurti nuk po dërgohet ku duhet, por ku donë vetë kryeministri.

“Kurti nuk e di pse i heziton Kushtetutës, nëse ka pas hezitime që është një draft jashtë ligjor që prek Kushtetutën e sovranitetin nuk është dashur ta pranoj e jo të bëjë ekzibicione. Aleatet kanë kërkuar nga Qeveria që të hartojë një draft të Asociacionit, Kurti po gjen alternativa shtesë se ku ta dërgoj për interpretim jo aty ku duhet po sipas tij në Komisionin e Venecias”, u shpreh ajo.

Deputeti i VV-së: Nuk mund të procedohet në Kushtetuese draft-statuti i cili s’është dokument i organeve qeveritare

Ndryshe nga opozita, deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, ka mendim tjetër për draft-statutin e Asociacionit.

Batusha në një prononcim për Front Online thotë se nuk mund të procedohet në Kushtetuese drafti i cili nuk është dokument i organeve qeveritare.

Ai thotë se zgjidhja e vetme është nënshkrimi i dy palëve me marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Përderisa draft-statuti i propozuar nuk është dokument i organeve qeveritare të Republikës nuk mund të procedohet në Gjykatën Kushtetuese. Zgjedhja është të kemi marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare më nënshkrime të dy palëve dhe me garanci ndërkombëtare”, vlerësoi Batusha.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, njërën më 2013 dhe tjetrën 2015.

Në 2023-ten, Bashkimi Evropia ua prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim, por që më vonë kryeministri Kurti, e vlerësoi si “non-paper” këtë draft-statut.

 

Shperndaje: