Komuna e Malishevë e ka gati projektin por edhe mundësinë e financimit për një projekt që do i bënte me ujë të pijshëm 70% të territorit të saj, apo rreth 30 mijë banorë, por problemi po del tek Qeveria e Kosovës, konkretisht Ministria e Financave, e cila nuk po e nënshkruan një letër garance e cila do ia mundësonte Komunës së Malishevës, të përfitonte një kredi të butë prej 12 milion euro nga Austria, me afat kthimi për 20 vite e që kjo kredi do e mundësonte edhe realizimin e projektit për ujin e pijshëm, i cili do të merrej nga Liqeni i Radoniqit të Gjakovës, shkruan FrontOnline.
Partitë politike në këtë komunë e shohin si emergjente çështjen e ujit, derisa disa nga to fajësojnë Qeverinë qendrore për neglizhencë dhe injorim të qytetarëve të Malishevës, përkundër faktit se Vetëvendosje, kishte arritur të dalë e para në zgjedhjet nacionale të vitit 2021 në këtë komunë.
Po ashtu, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, ditë më parë për FrontOnline tha se kishte dërguar tri letra në drejtim Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Financave lidhur me kërkesën për nënshkrimin e letrës së garancës, por që nuk ka marr deri më tani përgjigjie nga ta.
Nisma në Malishevë: VV i shpërblej 7 mijë votuesit e saj në Malishevë duke i lënë pa ujë të pijshëm
Shefi i asamblistëve të Nismës në Malishevë, Halil Morina, për FrontOnline e quan papërgjegjësi të ministrit të financave, Hekuran Muratit, për mos nënshkrimin e letrës së garancisë e cila mundëson që Malisheva të bëhet me ujë të pijshëm.
‘’Unë konsideroj se është çështje e papërgjegjshme e ministrit të financave. Me e lën një komunë të tërë pa ujë’’ thotë ai
Morina, tregon se si Komuna e Malishevës, ka gjetur donacionin për këtë problem, por që kjo po neglizhohet për fajin e Qeverisë qendrore.
‘’Ne si Komunë jemi përpjekur për të marr një kredi të butë në bashkëpunim me një organizatë austriake, që mundësia me pagua atë kredi ka qenë shumë mbuluese për ne si komunë, dhe krejt çfarë është dashur ka qenë një nënshkrim i ministrit të financave, që nëse komuna dështon me pagua kredinë, përsipër e merr Qeveria e që gjasat që kjo me dështua janë minimale ose nuk ekzistojnë ndaj qytetarëve të Malishevës’’ shprehet ai.
Shefi i asamblistëve të Nismës në Malishevë, thotë se ky është ‘’shpërblimi’’ më i mirë që Vetëvendosje po ua bën votuesve të saj në Malishevë e cila në zgjedhjet e vitit 2021 kishte dalur si e para me mbi 300 vota para Nisma Socialdemokrate.
‘’Këto vota kjo qeveri i ka shpërblyer me një lloj ndëshkimi për me i lën qytetarët pa ujë të pijshëm. Ne si komunë jemi përpjekur që rrjetet e ujësjellësin me e dërgua në shumicën e fshatrave të Malishevës. Ne kemi bërë atë që takon me bërë si komunë, por ne burime të ujit brenda komunës tonë nuk kemi dhe kjo ka qenë e vetmja zgjidhje e që edhe kjo po injorohet nga Qeveri’’ deklaron Morina për FrontOnline.
Shefi i asamblistëve të LDK-së në Malishevë për projektin e ujit të pijes: Qytetarët nuk e meritojnë këtë injorim nga Qeveria
Shefi i asamblistëve të LDK-së në Malishevë, Argjend Thaçi, për FrontOnline, thotë se arsyea e mos nënshkrimit të letrës së garancisë nga ana e Ministrisë së Financave dhe Qeverisë, po ndodhë për shkak të neglizhencës nga këto institucione qendrore.
‘’Arsyeja e mos nënshkrimit të letrës së garancisë nga ana e Ministrisë së Financave ndodh për faktin e neglizhencës së Qeverisë së Republikës së Kosovës që po u bënë vazhdimisht komunave të Republikës së Kosovës e në këtë rast edhe komunës së Malishevës Komuna e Malishevës edhe për kundër sigurimit të mjeteve financiare përmes një kredie të butë për realizimin e projektit të sistemit të ujit të pijes nga liqeni i Radoniqit, por për realizimin e kësaj kredie procedurat ligjore kërkojnë që të ketë garanci nga ministria e financave e që një gjë të të tillë nuk po e bon ministria’’ thotë ai për FrontOnline.
Thaçi, potencon se aplikimet e kredive të tilla, nuk ndikojnë në planifikimet buxhetore të komunës, duke potencuar se Komuna e Malishevës, ka buxhet kapital për një vit prej 5 milion euro.
‘’Forma të tilla të aplikimit të kredive bëjnë të gjitha komunat të cilat gjejnë donatorë për kthim të kredisë afatgjate gjë që nuk do të ndikonte në planifikimet buxhetore të komunës. Aktualisht pa këtë formë të kredisë ose përkrahjes së qeveris është e pamundshme me buxhet vetanak të komunës realizimi i këtij projekti, sepse për investime kapitale buxhetin total vjetor komuna e jonë e ka 5 milion euro’’ thekson ai.
Thaçi, thotë se qytetarët e Malishevës nuk e meritojnë një trajtim të tillë nga ana e Qeverisë.
‘’Pa dyshim që qytetarët e komunës së Malishevës nuk e meritojnë një trajtim të tillë nga ana e qeveris sepse edhe qytetarët e komunës sonë janë taksapagues të çdo lloj takse sikurse të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës’’ tha ai për FrontOnline.
Nënkryetari i PDK-së në Malishevë: Situata me ujin e pijshëm emergjente, më shumë se gjysma e fshatrave nuk kanë qasje në të
Nënkryetari i PDK-së në Malishevë, Halit Zogaj, për FrontOnline e sheh sa emergjente por edhe si top prioritet problemin e mungesës së ujit të pijes në Komunën e Malishevës.
‘’Situata me ujin e pijshëm në Malishevë, aq sa është emergjente po aq është dashur të jetë edhe top prioritet i qeverisjes komunale, si një nga gjërat elementare për qytetarin dhe se jemi në vitin 2024 e ku akoma bëhet temë uji i pijshëm që është dashur të ishte zgjidhur nga qeverisja e Nismës e cila e ka pasur premtim në qeverisjen e saj’’ thotë ai.
Zogaj, thotë se më shumë se gjysma e fshatrave nuk kanë ujë të pijshëm dhe se vetë lokalet afariste janë paralizuar me mungesën e ujit të pijshëm.
‘’Më shumë se gjysma e fshatrave nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, madje edhe vetë lokalet afariste janë të paralizuara nga mungesa e ujit të pijshëm’’ shprehet ai.
Nënkryetari i PDK-së, thotë se kjo do të mund të përfundonte si çështje gjatë qeverisjeve të kaluara qendrore.
‘’Sikur ata ta kishin prioritet qytetarin për të siguruar gjërat elementare, si përshëmbull ujin e pijes, do ta kishin përfunduar në kohën kur ka qenë në qeverisje qendrore, ku e kanë pasur zëvendëskryeministrin, kryetarin e Nismës dhe tre ministra në dikastere qeverisëse’’ potencon Zogaj për FrontOnline.
Kryasamblisti i VV-së në Malishevë: Problemi me ujin e pijes nuk ka lindur sot
Shefi i asamblistëve të VV-së në Malishevë, Veton Zogaj, për FrontOnline, thotë se problemi me ujin e pijes nuk është problem që ka lindur tani.
‘’E para problem i ujit të pijes për banorët e komunës së Malishevës nuk është problem që ka lindur sot dhe aty për aty, me mungesën e ujit të pijes ballafaqohen më shumë se 60% e qytetarëve në fshatra dhe në qytetin e Malishevës. Qeverisja komunale në Malishevë e cila është ne mandatin e saj të tretë radhazi, asnjëherë nuk e ka orientuar si prioritet për ti dhënë zgjidhje këtij problemi’’ thotë Zogaj.
Zogaj, thotë se kjo çështje është diskutuar vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
Çështja e mungesës së ujit tëpijshëm është diskutuar vetëm gjatë fushatave elektorale zgjedhore, të cilat kryetari aktual dhe zyrtar të partisë në pushtet i përfundonin me disa fotografi me përfaqësuesit e ujësjellësit të Radoniqit, kinse tash po i japim zgjidhje këtij problemi e që fatkeqësisht përfundonin me t’u përmbyllur fushata zgjedhore dhe me të marrë mandatin qeverisës. Po ashtu nuk duhet harruar se komuna e Malishevës për vite me radhë ka shpenzuar qindra mijëra euro për ujësjellës pa pasur një studim të detajuar a ka burime të ujit në ato vende ku janë bërë shpimet e ku janë shpenzuar mos edhe miliona euro kot’’ shprehet ai për FrontOnline.
Shefi i asamblistëve të VV-së në Malishevë, thotë se çështja për ujin është ngritur thuajse në secilën seancë nga grupi tij kuvendar në këtë komunë.
‘’Natyrisht që kjo temë është ngritur pothuajse në secilën seancë të Kuvendit Komunal nga grupi i asambleistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, por edhe nga anëtarë tjerë të Kuvendit. Madje ne kemi dhënë ide konkrete që në projekt buxhetet vjetore komunale ti jepet prioritet zgjidhjes së problemit të ujit të pijes, duke ndarë buxhet për financimin e projekteve te reja, por edhe për mirëmbajtjen dhe riparimin e ujësjellësve aktual. Fatkeqësisht kërkesat tona, idetë tona, ose janë injoruar nga qeverisja komunale, ose janë mbi votuar me votën kundër në shumicën e rasteve. E ku orientimi i buxhetit komunal në vazhdimësi është bërë në dy ose tri projekte të mëdha kapitale të cilat kanë marrë koston mbi 80% të të gjithë buxhetit për investime’’ thekson ai.
Hoti thotë ka zgjidhje për ujin e pijshëm duke treguar se kjo do të mund të bëhet vetëm me kyqje në Liqenin e Radoniqit.
‘’Në fund, problemi i ujit të pijshëm për qytetarët e komunës së Malishevës, ka vetëm një zgjidhje që është kyçja me ujësjellësin e Radoniqit. Dhe ky projekt mund të realizohet vetëm përmes nivelit qendror dhe donacioneve nga jashtë, çdo fjalë tjetër e dhënë nga qeverisja komunale është premtim koti dhe shmangieje nga përgjegjësitë që u takojnë’’ deklaron ai./FrontOnline/