Paralajmërimet e Konjufcës për sulm serb në Kosovë / Opozita: Informacione shqetësuese
Lajme / 9 Korrik, 2024
admin

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ripërsëriti sot se Serbia e pandëshkuar për sulmin në Banjskë “ka për ta përsëritur” skenarin e njëjtë, por këtë radhë ai paralajmëron se do ta bëjë në përmasa më të mëdha.

Këto komente ai i bëri pas takimit që pati me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, në një konferencë të përbashkët.

“Një temë e pashmangshme në këto rrethana të paqëndrueshmërisë globale në të cilat ndodhemi ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet me të cilat po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimin tim presidentit Nussbaumer se po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin terrorist në Banjskë që u krye në shtator të vitit të kaluar, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenar, por me përmasa shumë më të mëdha” ka thënë Konjufca.

Për Komisionin për çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes deklaratat e tilla janë shqetësuese për vendin. Po ashtu ata konsiderojnë se duhet të dihet se prej nga i kanë ardhur këto informacione pikërisht kryeparlamentarit.

Ndërsa për njohësit e sigurisë, deklaratat e tilla janë të tepruara dhe se po ndikojnë në imazhin e Kosovës, duke konsideruar se nuk besojnë se një sulm i tillë mund të ndodhë realisht.

Berisha: Deklaratat e Konjufcës për sulm serb në Kosovë, janë shumë shqetësese

Bekë Berisha, kryetar i Komisionit për  Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes thotë se deklaratat e kryeparlamentarit Konjufca se mund të ketë një sulm si në Basnjkë por në përmasa shumë më të mëdha, i kanë shqetësuar shumë ata si Komision.

Berisha për “Front Online” thotë se janë në komunikim me anëtarët e komisionit për të parë se prej nga kanë ardhur këto informacione për sulm eventual, dhe çka po paralajmërojnë.

“Deklaratat e përsëritura të kryetarit të Kuvendit për një paralajmërim të një sulmi tjetër, ato të luftës po ashtu edhe të ministres së punëve të jashtme na kanë shqetësuar shumë. Po ashtu, jemi në komunikim edhe me anëtarët tjerë të komisionit në mënyrë që t’i ftojmë dhe t’i pyesim se ku i kanë këto informacione dhe çka po paralajmërojnë me këto informacione”,  tha ai.

Deputeti i AAK-së lidhur me pyetjen se sa ka kapacitet Kosova me iu përgjigje një sulmi të tillë, në rast se ndodhë, Berisha thotë se pikërisht për këto kapacitete pretendohet të pyetet në Komision.

“Pikërisht për këtë duam me i pyet se sa është kapaciteti, dhe se si kryetar i kuvendit ka informacione të tilla”, tha ai për Front Online.

Islami: Nuk pres që të ketë sulm tjetër në Veri

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, për “Front Online” thotë se deklaratat nga krerët e shtetit të Kosovës, për përsëritje të sulmit në veri të Kosovës duhet të merren me shqetësim nga ndërkombëtarët.

“Deklaratat e krerëve të shtetit duke filluar nga kryeministri, presidentja dhe së fundmi deklaratat e kryeparlamentarit Konjufca se në Veriun e Kosovës mund të ripërërseritet një Banjskë e dytë, duhet merren shqetësuese nga Bashkësia Ndërkombëtare”, thotë ai.

Për këtë Islami thotë se ndërkombëtaret duhet t’i marrin si shqetësuese për faktin se në Kosovë sigurinë e garanton prezenca e NATO-s përmes KFOR-it.

“E them për bashkësinë ndërkombëtare ngase për ruajtjen e integritetit territorial të vendit, është përgjegjëse aleanca veriatlanike në këtë rast KFOR-i, janë të detyruar që sigurojnë sovranitetin dhe të mos lejojnë grupe terroriste të hynë brenda Kosovës. Dhe dihet se grupet e ndryshme kriminale janë duke u trajnuar buzë kufirit me Kosovën. Prandaj nuk është lajm i ri dhe grupe të tilla mund dhe tentojnë të hynë në Kosovë, duke e pasur parasysh gjendjen në terren”, thekson ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë thotë se gjërat kanë ndryshuar nga shtatori i vitit të kaluar, duke potencuar se nuk pret të merret ndonjë veprim sulmi në Veri të Kosovës.

‘’Por gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht nga shtatori i vitit të kaluar dhe institucionet e sigurisë e kanë nën kontrolle 99% gjithë territorin e Kosovës e veçanti veriun e Kosovës me masa të shtuara, prandaj duke pasur parasysh vigjilencën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in janë në gjendje të gatishmërisë, dhe duke e ditur gatishmërinë e tyre, unë nuk pres se do të merret një veprim i tillë. Prandaj nuk do të thotë që një aventurë e tillë të mos bëhet nga ana e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, por unë nuk e besoj ta merr në aksion të tillë, sepse do të zmbrapsen”,  thekson Islami.

Ukaj: Të tepruara deklaratat për sulm serb, po e atakojnë ekonominë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fidan Ukaj, për “Front Online” thotë se rreziqet për sulm ndaj Kosovës kanë qenë permanente duke i konsideruar si të tepruara deklaratat e fundit nga krerët e shtetit lidhur me sulm të mundshëm në Veri të vendit nga ndonjë grup i armatosur kriminal.

‘’Kemi dëgjuar edhe deklaratat e Konjufcës, edhe të ministrit Maqedonci po ashtu të kryeministrit për një sulm të mundshëm në Kosovë nga ana e Serbisë, mendoj se rreziqet kanë qenë permanente gjithmonë, por se këto deklarata të tanishme, për sulm të mundshëm, janë të tepruara si deklarata’’, thotë ai.

Ukaj thotë se Kosova është ndër vendet më të sigurta në Ballkan, dhe kjo për shkak të prezencës së NATO-s përmes KFOR-it.

‘’Kosova është nga vendet më të sigurta në Ballkan, jo për shkak të kapaciteteve të Policisë apo FSK-së, por se e ka mbikëqyrjen nga aleanca e NATO-s e cila e garanton sigurinë në Kosovë”, shprehet ai.

Ai thotë se këto deklarata po e atakojnë ekonominë e vendit dhe se nuk i kontribuojnë imazhit të Kosovës në botë.

“Për këtë arsye mendoj se këto deklarata janë të tepruara dhe po e atakojnë ekonominë e Kosovës, po i bëjnë dëm të madh dhe këto nuk i kontribuojnë imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Ukaj.

-Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njëjtë pat deklaruar edhe javën që shkoi, ku pati thënë se ka informacione të për një sulm eventual të ushtarëve serb në Kosovë.

Këto deklarata i pati dhënë pas takimit me homologen e tij nga Sllovenia, Urska Klakocar Zupançiq, duke thënë se e ka njoftuar atë për shqetësimin e Kosovës si shtet në lidhje me tendencat destabilizuese të Serbisë.

“Shpreha shqetësimin tonë si popull e si shtet për tendencat destabilizuese të shtetit serb në Kosovë që kulmuan më 24 shtator [në Banjskë], ku Serbia përmes një grupi të armatosur vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy policë të tjerë. Nuk mund të flasim për fqinjësi të mirë dhe paqe në rajon pa u vënë para drejtësisë kryerësit e këtij krimi” – ka thënë Konjufca, më një korrik të këtij viti.

Shperndaje: