Projektligji për KPM-në shihet si kapje e medieve nga pushteti, pozita e cilëson të duhur
Lajme / 12 Korrik, 2024
admin

Projektligj për KPM-në është votuar lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, në seancën e djeshme.

Projektligji me 93 amendamente, parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro. Kjo është konsideruar i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

Përkundër kësaj, ai tashmë është shndërruar në ligj, pasi pushteti e votoi me 59 vota pro, derisa dy abstenuan.

Lidhur me këtë ligj pat reagime të ashpra, jo vetëm nga partitë opozitare dhe shoqëria civile në vend por edhe nga zyrat e BE-së, OSBE-së, komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, pastaj edhe nga Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ) të cilët e quajtën një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë.

Ndryshe, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë ditës së djeshme deklaruan se do ta dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

Ramadani: Projektligji për KPM-në në përputhje me AMVS e BE-së, kemi futur rekomandimet në të

Kryetari i Komisionit për Medie, Valon Ramadani thotë për “Front Online” se Projektligji për KPM-në është i një rëndësie të veçantë dhe që sipas tij, e rregullon një temë që sa është komplekse edhe po përflitet shumë.

“Ligji që tashmë është miratuar është i një rëndësie të veçantë dhe rregullon një temë që përpos që është komplekse, e njëjta edhe përflitet e qarkullon shumë sepse i prekë direkt mediat. Andaj marrë parasysh gjithë këto është normale që të ketë reagime”, thotë Ramadani.

Ramadani potencon se për shtatë muaj rresht për këtë ligj është diskutuar, dëgjuar e janë pranuar komente nga të gjithë akterët dhe që sipas tij, për asnjë ligj nuk është përfolur sa për të.

“Po ajo çka është më e rëndësishmja është që për këta 7 muaj ne si Kuvend kemi diskutuar, dëgjuar, e pranuar komente nga të gjithë akterët e mundshëm, bile mund të themi që kemi diskutuar më shumë se për çdo ligj tjetër”, thotë ai.

Deputeti i VV-së shton se në Projektligjin për KPM-në një pjesë e madhe e rekomandimeve janë futur në të.

 “Një pjesë e madhe e rekomandimeve tani më janë pjesë e ligjit dhe e kanë përmirësuar atë, gjë për të cilën u jemi falenderues,  dhe për këtë gjë edhe shoqëria civile edhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuar duhet të jenë krenarë, por edhe duhët të vlerësojnë bashkëpunimin tonë që kemi pasur me ta”, thekson deputeti Ramadani për FrontOnline.

Ai shton se Projekligji në fjalë është në përputhshmëri të plotë me direktivën e AVMS të BE-së.

“Ligjin nuk e ndalim dot nga dërgimi në Kushtetuese nga ana e opozitës, ama për këtë gjë duhet pasur një bazë. Ky ligj është në përputhshmëri të plotë me Direktivën AVMS të Bashkimit Evropian, këtë gjë e përmend edhe ekspertja e KE në faqen 19 të raportit të saj, dhe në faqën 39”, përfundon deputeti Ramadani.

Shabani: Ligjin për KPM do ta dërgojmë në Kushtetuese, ka shkelje të mëdha për liritë dhe të drejtat e medieve

Isak Shabani, anëtar i Komisionit për Medie nga radhët e PDK-së thotë për “Front Online” se ligji i votuar dje për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) është shqetësuese.

Ai thotë se nuk janë inkorporuar kërkesat e BE-së, shoqërisë civile dhe organizatave tjera që merren me medie.

“Ne kemi ngritur shqetësimet tona, që janë të njëjta edhe të BE-së, të OSBE-së, të shoqërisë civile dhe organizatave që merren me medie. Besoj që nuk janë inkorporuar kërkesat e arsyeshme lidhur me këtë ligj”, tha ai.

Shabani thotë se PDK do ta dërgoj këtë ligj në Kushtetuese, duke besuar se ka shkelje të mëdha.

“Sigurisht ne do të jemi të përgatitur për gjykatën Kushtetuese. Ne mendojmë se ka shkelje për liritë dhe të drejtat e medieve, 99% mendojmë se kem të drejtë por mbi të gjitha mbetet kompetencë e Gjykatës Kushtetuese”,
tha Shabani për Front Online.

Dreshaj: Përmes ligjit për KPM-në, qeveria dëshiron t’i fus mediet nën kontroll

Shemsedin Dreshaj nga AAK thotë për “Front Online” se qeveria aktuale përmes ligjit për KPM-në dëshiron që mediet t’i fus nën kontroll.

Deputeti i AAK-së konsideron se një ligj i tillë është i dëmshëm për vetë mediet.

“Ky ligj është i dëmshëm. Mediat sanksionohen, dhe ky është njëri nga hapat që qeveria aktuale dëshiron që mediat t’i  fus nën kontroll”, tha ai.

Dreshaj thotë se pas dërgimit në Kushtetuese të këtij ligji nga PDK dhe LDK pret që të ketë përgjigje konform shkeljeve që janë bërë.

“Aktualisht ne jemi duke u marrë me statutin e UP-së, ndërsa LDK dhe PDK po merren me këto dy ligjet tjera. Mendoj që Kushtetuesja do të ketë përgjigje konform shkeljeve që janë bërë për këtë ligj”, tha ai për Front Online.

Kusari: Ligjji për KPM-në anti-Kushtetues, u rrit numri i anëtarëve të saj që të mbushet me militantë të partisë

Flutura Kusari, juriste e mediave thotë për “Front Online” se ligji për KPM-në është anti-Kushtetues dhe si i tillë pret që të rrëzohet nga ana e kësaj të fundit.

Ajo rendit se në cilat pika ky ligj nuk do të mund të gjejë zbatim.

Ligji për KPM është anti-Kushtetues dhe anti-Evropian ai ka shumë problematika por shpresoj që të rrëzohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Do të përmendja çështjen e mediave online të cilat publikojnë video dhe tashmë do të jenë në kompetencën e KPM mirëpo me një definicion i cili nuk ekziston në ligjin Evropian dhe këtë e ka thënë Këshilli i Evropës dhe do të jetë problematik edhe në zbatim”, tha ajo.

Për Kusarin, çështja tjetër lidhur me këtë ligj, e që e cilëson si alarmante, është përbërja e KPM-së, ku nga 7 i numrit të tyre janë rritur në 11, që ajo thotë se janë mbushur me militantë të partisë.

“Çështja tjetër është shumë alarmante, mënyra e funksionimit dhe përbërjes së komisionit të pavarur për media, ligji aktual parasheh mjaftueshëm garancione të paktën në letër për pavarësi e komisionit të pavarur për media por këto garancione janë shkatërruar të gjitha me ligjin e ri. Nga shtatë anëtar sa i ka komisioni do të jenë 11 anëtar dhe ky numër është rritur në mënyrë që të mbushët me militantët të partisë”, theksoi tutje ajo.

Problem poashtu sipas Kusair është edhe fakti që anëtarët mund të shkarkohen lehtë nga ana e Kuvendit, kësisoji shtrojnë kontroll tek anëtarët.

“Problematik tjetër është, se ata mund të shkarkohen jashtëzakonisht lehtë, nuk do të ketë me emërim të kryetarit nga ana e vetë anëtarëve siç ka qenë deri më tani, por kjo do to bëhet nga ana e Kuvendit për të shtruar normalisht kontrollin tek anëtarët”, deklaroi tutje jurisjta e medieve.

Në fund, Kusari thotë se telashe me këtë ligj shkaktohet edhe tek numri i grave në KPM, duke thënë se nuk befasohet nëse komisionet do të jenë vetëm me burra.

“Çështja tjetër ka të bëjë me çështjen e grave, barazisë gjinore. Ligji aktual detyron Kuvendin që të ketë të paktën dy gra në komision, kjo garanci nuk ekziston më për shkak se ligji aktual nuk kërkon që të ketë gra, nuk e detyron numrin minimal  të grave dhe si i tillë nuk do të befasohesha që të përfundoj në komisionet e përbëra vetëm nga burrat”, tha Kusari për Front Online.


Zeneli: Projektligji për KPM-në është i keq, minon lirinë e fjalës dhe shkakton regres të madh

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe njohësi i mediave, Alban Zeneli, për FrontOnline, thotë se Komisioni i Pavarur i Mediave, nuk është i pavarur pasi që sipas tij, disa nga anëtarët e tij nuk janë të pavarur dhe përveç saj, KPM nuk ka pavarësi as financiare.

‘’Problemi qëndron tek KPM-ja, që si institucion nuk është i pavarur. Ne mund të i themi i pavarur, ndoshta disa prej anëtarëve aty janë të pavarur, por problemi është se nuk ka pavarësi financiare, nuk ka pavarësi profesionale dhe si e tillë ka me qenë shumë e vështirë që mos me shkaktuar probleme të tjera të cilat lidhën me autoritetet rregullative’’ thotë ai.

Zeneli, e konsideron të keq Projektligjin e miratuar dje nga Kuvendi i Kosovës, për KPM-në.

‘’Ky ligj është i keq, i kemi parë edhe deklarimet e gjithë ambasadorëve të vendeve relevante në Kosovë, reagimet e gazetarëve dhe të shoqërisë civile”, shprehet ai.

Profesori Zeneli, thotë se ky është një ligj që minon lirinë e fjalës dhe paraqet regres të madh mbi lirinë e medias.

‘’Unë mendoj po ashtu që është njëri nga ligjet që e minon lirinë e fjalës dhe është regres shumë i madh në lirinë e medias në Kosovë’’, thekson ai

Matoshi: E dështuar në çdo aspekt, Qeveria Kurti përpiqet ta godasë lirinë e shprehjes

Analisti Halil Matoshi thotë për “Front Online” se Qeveria Kurti përpiqet ta godasë lirinë e shprehjes si tendencë që kjo e vërtetë shumë e hidhur mos të depërtoj tek publiku.

“E izoluar nga aleatët e Kosovës, e dështuar në çdo aspekt, Qeveria Kurti përpiqet ta godasë lirinë e shprehjes si tendencë që kjo e vërtetë shumë e hidhur mos me depërtu tek publiku”, tha ai.

Matoshi thekson se janë dy mundësi për “shpëtimin” nga ky ligj, në mesin e tyre është që Presidentja mos ta nënshkruaj atë.

“Janë dy mundësi në këtë rast, e para që Presidentja të mos e nënshkruaj ligjin dhe e dyta që ligji t’i nënshtrohet testit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Matoshi për Front Online.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

Përmes një komunikate për medie, AGK ka thënë se e kanë pranuar me shqetësim miratimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës.

AGK ka thënë se partia në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtet e shoqërisë civile e medieve, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin.

“Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre. Votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës”, ka shkruar AGK.

Gjithashtu edhe në muajin maj, AGK-ja i kishte kërkuar Kuvendit që ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas reagimit nga Këshilli i Evropës.

“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në njoftimin e AGK-së të publikuar më 27 maj.

Në anën tjetër, dy partitë opozitare kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM).

Shperndaje: