Minatorët e ndërmarrjes “Trepça” tash e dy muaj kanë ndalur punën pasi nuk i kanë marr pagat.
Pas gjendjes së krijuar në “Trepçë” opozita në Kosovë ka reaguar ashpër, duke kritikuar Qeverinë “Kurti” për problemet financiare në gjigandin metalurgjik.
Deputetët opozitar për gjendjen e rënduar në ndërmarrje, fajin e kanë hedhur tek pushteti aktual, duke thënë se premtimet e dhëna nuk u realizuan, por vetëm u abuzua me punëtorët.
Shala: “Trepça” drejt falimentimit si pasoj e keqqeverisjes
Ish-drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ferat Shala, deklaroi se Kurti erdhi në pushtet me premtimin se mos investimi në “Trepçë” është krim, tani po ndodh e njëjta.
Sipas tij, kjo ndërmarrje po shkon drejt falimentimit si pasojë e keqqeverisjes.
“Që nga paslufta Trepça nuk ka qenë asnjëherë në këtë situatë, edhe pse kryeministri pati deklaruar se mos investimi në këtë ndërmarrje është krim dhe tani po ndodhë pikërisht kjo. Ndërmarrja po shkon drejt falimentimit si rezultat i keqqeverisjes duke e përbuzur çdo nismë të kësaj ndërmarrjeje”, theksoi Shala.
Shala thotë se ndalimi i punës së minatorëve shkakton rreth 1 milion euro humbje në muaj.
Ai theksoi se pushteti aktual përveç punësimit të militantëve të VV-së s’ka bërë asgjë tjetër.
“Mospuna krijon humbje rreth 1 milionë euro në muaj. Qeveria ka mashtruar, duke premtuar rreth 70 milionë euro investime për katër vite e s’ka bërë asgjë përveç i ka vendosur persona që s’kanë profesionalizim, por militantë të VV-së e klaneve të tyre”, tha Shala.
Bunjaku-Rexhepi: Asnjë parti nuk ka abuzuar më shumë me minatorët sesa Vetëvendosja
Anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi e Tregti, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka folur për Front Online lidhur me gjendjen aktuale në ndërmarrjen “Trepça”.
Ajo ka kritikuar Qeverinë “Kurti” duke thënë se asnjë parti si VV-ja nuk ka abuzuar më shumë me minatorët.
‘Kjo sjellje e Qeverisë është e papranueshme për gjendjen e minatorëve, nuk ka parti politike që ka abuzuar më shumë me punëtorët dhe Trepçën. VV pasi erdhi në pushtet ka më shumë se kurrë grevë prej minatorëve”.
Nga premtimi se përmes ndërmarrjes do të bashkohet Mitrovica në grevë të minatorëve, thotë deputetja.
Bunjaku-Rexhepi tha se pushteti po abuzon me punëtorët e “Trepçës”
“Premtimi nga zhvillimi i Trepçës për bashkimin e Mitrovicës përmes ndërmarrjes, tani po ndodhë e kundërta, çdo muaj po shkojnë në greva. Po keqpërdorët, ka korrupsion, i ka lënë pa paga e pa investime. Po abuzohet me punëtorët e Trepçës”, u shpreh ajo.
Ish-ministri i MTI-së: Në qeveritë e kaluara s’ka pasur vonesa të pagave kaq të gjata për minatorët
Ish -ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj deklaroi për Front Online se çdo ndërprerje e punimeve në ndërmarrjen “Trepça” e dëmton atë.
Ai thotë se nga mos puna mund të humb edhe lëndën e parë e produktet që furnizohet ndërmarrja.
“Çdo ndërprerje e punimeve e dëmton ndërmarrjen dhe e çrregullon se krijohen pakënaqësi edhe brenda stafit por edhe klientët potencial që i ka pas Trepça, zvogëlimi i eksporteve e mund të humb lëndën e parë produktet që furnizohet ndërmarrja”, theksoi ai.
Mulaj thotë se në Qeveritë e kaluara s’ka pasur vonesa kaq të gjata të pagave.
Sipas tij, me këtë menaxhim të ndërmarrjes nuk mund të mbijetohet.
“Ka pas raste që ka pasur ndërprerje të shkurta të pagave por jo kaq të gjata. Trepçës i duhet një rikustruim i shpejt dhe strategji e re, investime kapitalit të huaj. Me këtë logjikë ka problem me funksionu dhe me mbijetu”, u shpreh Mulaj.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi ka folur të hënën për Front Online lidhur me situatën në ndërmarrje.
Jonuzi thotë se në “Trepçë” gjendja është e rëndë.
Sipas tij, minatorët në mungesë të pagave kanë hyrë në borxhe për shkak të obligimeve bankare e familjare.
Ai deklaron se ka kërkesa nga minatorët të kërkojnë dorëheqje për të punuar në sektorit privat pas pakënaqësive.
“As pagat as shujtat ushqimore nuk i kanë marr nga qershori dhe është ndalë puna që 20 ditë për këtë arsye. Është krizë e madhe, kanë hyrë në borxhe për shkak të obligimeve të bankave dhe është gjendje shumë e rëndë. Ka raste të minatorëve që kanë kërkuar të shkojnë të punojnë tek sektori privat jashtë orarit për me bërë zgjidhje se s’kanë qysh me i mbajt familjet”, u shpreh ai.
Jonuzi ka paralajmëruar se vetëm edhe dy ditë do të presin pastaj do të veprojnë minatorët.
Ai ka kritikuar Qeverinë “Kurti” për mos takim me sindikatën.
“Do të ketë veprime sindikale edhe këto dy ditë nëse nuk ka zgjidhje, është e paqëndrueshme situata. S’kemi pasur asnjë takim me sindikatën e Qeverinë s’kemi pas asnjë informatë përveske janë duke e punuar një plan, por minatorët nuk kanë kohë më të presin se fëmijët e tyre kërkojnë ushqim e furnizime familjare”, deklaroi Jonuzi.
Jonuzi deklaron se qasja e pushtetit aktual po i ndëshkon minatorët.
“Qasja e Qeverisë është e pakuptueshme se po i anashkalon institucionet dhe nuk është e gatshme me marr përgjegjësi që i takon dhe me gjet zgjidhje se të gjitha ndërmarrjet publike po operojnë me humbje por ata që po ndëshkohen ja vetëm minatorët”, u shpreh ai.