”A u lodhe Liburn?”/ Ura e Badovcit me vetëm 38 metra, punimet nuk fillojnë as 261 ditë pas paralajmërimit të ministrit Aliu!
Lajme / 6 Korrik, 2024
admin

Ka më shumë se një vit prej se është bllokuar ura te Liqeni i Badovcit, e cila lidhë banorët e Anamoravës me Prishtinën, ndërsa punimet ende nuk kanë filluar.

Ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në tetor të vitit të kaluar pati dhënë një premtim se shumë shpejtë do të nisin punimet dhe se të njëjtat do të përfundojnë brenda 125 ditëve. Por, që nga ai postim publik i ministrit Aliu kanë kaluar më shumë se 260 ditë, ndërsa ura ende mbetet e mbyllur për qarkullim, pasi që punimet kanë ngecur.

Postimi i ministrit Aliu me 17 maj 2023 ku deklaron se brenda pak jave do të hapet procedura për hartimin e projektit për urën e Badovcit.

Me mbylljen e urës, Ministria e Infrastrukturës kishte shtruar me asfalt rrugën alternative te Liqeni, por për shkak të cilësisë së dobtë të punimeve, asfalti është dëmtuar në shumë pjesë të saj, gjë që po shkakton kolona por edhe iritim për banorët që kalojnë përgjatë asaj rruge thuajse çdo ditë e ka nga ata që kalojnë nëpër të edhe më shumë se një herë në ditë.

Për urën prej 38 metra e gjatë, ishte planifikuar të shpenzoheshin rreth 530 mijë euro.

Postimi i ministrit Aliu me  11 tetor 2023 ku deklaron se kanë filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e urës në Badovc

 

Ministri Aliu: Ndërtimi për urën e Badovcit do të filloj shumë shpejtë

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, për FrontOnline, ka thënë se shumë shpejt do të fillojnë punimet për ndërtimin e urës në Badovc.

‘’Do të fillojmë me punimet më shpejt’’, thotë ai.

Aliu, thotë se ka qenë dashur me u rivitu projekti, duke treguar se ishte në pritje të një përgjigje për këtë çështje dhe se shprehet se është nxitur nga thirrja jonë për të pyetur departamentin për këtë çështje.

’U dashtë me u revidu projekti. Unë i porosita, se kur thirre ti unë isha në pritje të përgjigjies, sepse ti më thirre dhe më nxite që edhe unë me thirrë dhe me pyet depertmanetin’’ shprehet ai.

Aliu, në këtë bisedë premtoj se do të dërgoj përgjigjie më të detajuara për këtë çështje, por deri në këtë moment nuk ka pasur ndonjë përgjigje tjetër nga Ministria.

Haziri për Urën e Badovcit: Kjo Qeveri po përjashton rreth 400 mijë banorë të Anamoravës, ka humbur shpresa se ajo urë mund të bëhet

Kryetari i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, për FrontOnline, thotë se Qeveria Kurti nuk po e përmbajnë asnjë premtim të saj. Duke folur për urën tridhjetë metërshe të Badovcit, thotë se kjo urë po shkakton pakënaqësi të mëdha për qytetarët e asaj pjese.

‘’Sikur çdo premtim që nuk e kanë mbajtur fjalën. Autostrada e Gjilanit është premtuar, por nuk është punuar asgjë, nuk është krye asgjë. Zero punë, nuk është punuar në projektet tjera në Gjilan e maja kësaj është rruga e Badovcit, që tash njerëzit po e quajnë rruga e gjarprit për shkak të devijimit që është bërë atje, Ura Shenjt e Gjilanit që po vazhdon të shkaktoj pakënaqësi’’, thotë ai.

Haziri, për rrugën në të cilën gjendet edhe ura tridhjetë metërshe e Badovcit, thotë se është si rruga më e ngarkuar dhe se sipas tij, qytetarët kanë humbur shpresën dhe besimin se kjo urë mund të përfundoj tash.

‘’Është rruga më e ngarkuar dhe më e neveritshme që sot në Kosovë është. Nuk janë duke besuar se kryhet kjo punë, e kanë humbur besimin. Ky korridor i lidhë edhe qytetarët e Luginës. Definitivisht ky është përjashtim dhe nënçmim për popullin e Anamoravës, kjo Qeveri e ka përjashtuar këtë popull’’, thekson ai.

Ai potencon se Qeveria Kurti me gjëra të tilla po përjashton banorët e Anamoravës.

‘’Ka pasur vend me diskutua edhe për raporte tjera, por kjo mënyre e përjashtimit të 600 mijë udhëtarëve e 400 mijë banorëve të Anamoravës nga kjo qeverisje, më shumë se mos punë, mos përgjegjësi. Po bëhet fjalë për një urë që është 30 metra punime. Përderisa ne për Autostradën e Gjilanit e kemi ça malin, i kemi lënë 70% të punimeve thuajse të kryne, këta për dy vite e gjysmë asgjë s’kanë bërë’’, u shpreh Haziri për FrontOnline.

Deputeti i VV-GUXO: Nuk e di çka po ndodhë për urën e Badovcit, do ta shtroj si temë në Komision

Deputeti i koalicionit VV-GUXO, Ekrem Mustafa, njëherit anëtar tek Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim , thotë se nuk është në dijeni për situatën e krijuar tek Ura e Badvocit, por që thotë se kur punimet fillojnë ato duhet me përfunduar.

‘’Nuk jam në ngjarje për këtë çështje. Si do që të jetë, ku do që ndodhet ura, është keq sepse e dijmë që krijohen pakënaqësi dhe kur fillojnë punimet duhet me u kry’’ thekson ai.

Ai nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur kjo vonesë për ndërtimin e asaj ure.

‘’Por çka ka ndodhë, tek ka ndodhur nuk e di. Por pse po ndodhin këto probleme mund të jetë për shkak se kompanitë po e marrin punën, po fillojnë me punua, po e neglizhojnë punën, por nuk e di për këtë rast’’ deklaron ai.

Për këtë çështje, deputeti Mustafa, thotë se do ta shtroj në komision si çështje.

‘’Por do ta shtroj si çështje në komision në mbledhjen e ardhshme’’ potencon ai.

 

Shabani për urën e Badovcit: Nuk e kemi diskutuar në Komision, por do të flasim për të

Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, njëherit anëtar tek Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, për FrontOnline thotë se deri më tani nuk ka ardhur në raportim çështja për urën e Badovcit, por se thotë se do të raportohet edhe për shumë çështje tjera kur të mblidhet komisioni ku ai është anëtar.

‘’Ende nuk ka ardhur në raportim, por do të raportohet edhe për shumë çështje tjera, e do të flasim edhe për këtë urën’’ thotë ai.

Deputeti Shabani, deklaron se duhet pasur parasysh që Qeveria aktuale, është në vitin e saj të katërt qeverisës dhe i ka pasur 15 miliardë euro buxhet, por që nuk ka realizuar ndonjë projekt madhor.

‘’Kemi parasysh që kjo Qeveri është në vitin e katë qeverisës, i ka pasur në dispozicion 15 miliardë euro dhe nuk ka realizuar asnjë projekt madhor’’ shprehet ai.

Për të Qeveria Kurti nuk ka bërë asnjë premtim të caktuar.

‘’Pra kjo Qeveri nuk e ka bërë asnjë premtim të caktuar’’ thotë ai.

Ish-zëvendësministri Matoshi: Ura e Badovcit shpërfaq paaftësinë e Qeverisë për projekte të mëdha

Ish-zëvendësministri i Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, për FrontOnline, thotë për FrontOnline, se  është banal arsyetimi i Ministrisë së Infrastrukturës, sa i përket ndërtimit të urës së Badovcit.

‘’Për herë të dytë është shkatërru Baypassi që është bërë tek Badovci. Çështja më banale që unë e shoh është se ministria thotë se është niveli i ujit që nuk po i lë me punuar, pra sipas tyre liqeni nuk po i lë me punu’’ thotë ai.

Matoshi, deklaron se kjo pengesë tregon paaftësinë e Qeverisë Kurti për me përfundu projekte të mëdha.

‘’Kjo është pengesë e madhe dhe e shpërfaq edhe njëherë paaftësinë e kësaj Qeverie për me kry projekte dhe me kry punë’’ thekson ai.

Ish-zëvendësministri, potencon se po ashtu kjo është paaftësi për menaxhimin e kontratave.

‘’Kjo është totalisht paaftësi për menaxhim të kontratave’’ deklaron Matoshi/FrontOnline/

Shperndaje: