‘’Do ta shuajmë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), nuk do t’ju lëmë më të vidhni’’. Kështu kishte deklaruar Albin Kurti para tri viteve, me ta marrë mandatin si kryeministër i Kosovës.
Por, që nga ajo kohë ky institucion jo që nuk u shua, por vazhdoi me shitjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore.
Janë disa valë me ndërmarrje të likuiduara gjatë tri viteve të mandatit të Kurtit si shef i Qeverisë.
Deputetë nga koalicioni qeverisës tashmë po thonë se shuarja e AKP-së varet nga disa institucione, derisa opozita e akuzon për mashtrim kryeministrin e vendit.
Statovci: Nuk shuhet AKP-ja pa u themeluar Fondi Sovran
Zëvendëskryetarja e parë në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Jeta Statovci,
thotë për Front Online se shuarja e Agjencisë së Privatizimit varet nga disa institucione.
“Procese të tilla varen nga themelimi i Fondit Sovran, i cili nga partitë opozitare është dërguar në Gjykatën Kushtetuese. AKP sipas një strategjie që ka bërë planifikon që aktivitetet kryesore, siç janë shitja edhe transformimi i pronës të përfundojë në fund të këtij viti. Kjo varet edhe nga institucionet tjera siç janë: themelimi i Fondit Sovran në të cilin do të transferohen një numër i aseteve; ligji për toka bujqësore, ku planifikohet të barten rreth 15,000 hektarë tokë; ligji për Agjencinë e Pyjeve, ku gjithashtu parashihet të barten diku rreth 14,000 hektarë tokë të kategorisë mal; dhe Dhoma e Posaçshme e Gjykatës Supreme, në të cilën janë diku 13,500 ankesa. Si përfundim AKP ka ndërmarr të gjitha masat që premtimi i dhënë të realizohet, por megjithatë varet edhe nga institucionet tjera të cekura tashmë”, ka potencuar Statovci për Front Online.
Shala: Premtimi për shuarjen e AKP-së, mashtrim
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se Kurti me këtë premtim ka mashtruar qytetarët.
Jo që nuk është mbyllur, por, sipas tij, në AKP po vazhdon procesi i lojërave ekonomike.
“Mbyllja e AKP është projekti i cili kjo Qeveri i ka mashtruar qytetarët dhe të gjithë ata që kanë pritur se jo që nuk e ka mbyllur por po vazhdon procesi i lojërave ekonomike dhe politike pa e ndërprerë shitjen e aseteve jo të gjithave”, ka thënë Shala për Front Online.
Shala e ka vlerësuar si të dështuar Qeverinë në premtimet e dhëna.
Ai ka numëruar disa ka deklaratat e Kurtit që ka dhënë për një pjesë të aseteve të AKP-së.
“Ka dështuar komplet kjo Qeveri, pasi që ka premtuar që do t’i bartë një pjesë të aseteve në raportin e vitit 2022, ka premtuar që mbi 1670 asete do t’i barten institucioneve të shtetit ndërsa në raportin e fundit që ka qenë në Komision, raporti i AKP del që ka diku 480-500 asete që janë të gatshëm për tu bartur tek qeveria”.
Deputeti Shala vlerëson se AKP po e vazhdon punën nën direktivat politike, pa asnjë rezultat.
“Është e paqartë se si ka ndodh ky devalvim i aseteve dhe brenda një mandati kaq të shkurt qeveritar të ketë kap paqartësi juridike e ekonomike. AKP po vazhdon të punoj sipas direktivave politike partiake pa asnjë rezultat në ekonomi, asetet bazike nacionale po degradohën”.
Bunjaku-Rexhepi: AKP-ja nuk u shua, procesi i likuidimit vazhdoi
Valentina Bunjaku-Rexhepi, anëtarja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, deklaron se Qeveria aktuale po abuzon me Bordin e Agjencisë së Privatizimit.
Deputetja e LDK-së ka thënë se pushteti aktual ka vazhduar valën e shitjeve.
“Qeveria po abuzon edhe me Bordin e AKP e drejtorin e saj. Vala e 65-të që e ka përgatit për shitje qeveria Kurti kjo i bie që kanë pasur me ardh në pushtet dhe me vazhdu valën e shitjeve edhe më shumë se qeveritë e tjera”.
Deputetja e LDK-së tha se dështimet në AKP janë skandaloze.
Ajo ka numëruar disa nga dëmet që janë bërë.
“AKP-ja nuk u shua. Shitja dhe likuidimi vazhduan. Bordi u bë me militantë partiakë. Dështimet në AKP ishin skandaloze. Dëmet janë rënia e vlerës së aseteve, hutimi, degradimi i AKP-së, ndikimi negativ tek të interesuarit për privatizim, humbja e besimit në AKP etj”.
Ish-drejtori i AKP-së: Janë dëmtuar dhe zhvleftësuar asetet e ndërmarrjeve shoqërore
Ish-drejtori i Agjencisë së Privatizimit, Ekrem Hajdari, thotë se pa funksionalizimin e Fondin Sovran, Agjencia e Privatizimit nuk shuhet.
Hajdari ka theksuar se AKP ka pasur mundësi të shuhet gradualisht që nga viti 2017.
“Edhe pse për Qeverinë e Kosovës, Ligji për Fondin Sovran parashihte një nga reformat më të mëdha për zhvillim ekonomik të vendit, të gjithë e dimë që ky institucion akoma nuk është krijuar, gjegjësisht funksionalizuar. Sipas programit qeverisës, Fondi Sovran është paraparë të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve dhe zhvillimin ekonomik me theks të veçantë në sektorin e ndërmarrjeve publike. Përveç ndërmarrjeve të mëdha publike, Fondi Sovran do të merrte për sipër edhe asetet me potencial të madh zhvillimor që tanimë akoma janë nën administrimin e AKP-së. Pikërisht këtu ka qenë edhe momenti kyç kur pritej që gradualisht të bëhej transferimi i këtyre aseteve prej AKP tek FS dhe në këtë mënyrë të bëhej edhe shuarja graduale e AKP-së. Pa funksionalizimin e plotë të FS, AKP vazhdon së ekzistuari. AKP ka mundur të shuhet gradualisht edhe bazuar në planin e përgatitur qysh në vitin 2017, plan ky që ka paraparë përmbylljen graduale të misionit të AKP-së brenda periudhës 7 deri 10 vite”, ka sqaruar Hajdari.
Dëme dhe ngarkesë financiare paraqesin çdo vonesë në procesin e privatizimit dhe likuidimit të aseteve, thotë Hajdari.
Hajdari ka shtuar se mos funksionalizimi i Fondin Sovran ka dëmtuar pasurinë e ndërmarrjeve shoqërore.
“Çdo vonesë në procesin e privatizimit dhe likuidimit të aseteve që mbesin nën administrimin e AKP-së, paraqet dëm dhe ngarkesë të panevojshme financiare për qeverinë dhe në përgjithësi për buxhetin e Kosovës si dhe zhvlerësim të vazhdueshëm të atyre aseteve. Këto 3-4 vitet e fundit, AKP ka realizuar vetëm disa procese të privatizimit dhe atë për asete jo shumë të vlefshme. Kjo periudhë e përgatitjeve ligjore për miratimin e ligjit për FS, pra funksionalizimin e plotë të këtij institucioni, ka lënë AKP-në në një letargji për sa i përket realizimit të misionit të saj, dhe kështu rrjedhimisht ka dëmtuar dhe zhvleftësuar asetet, gjegjësisht pasurinë, e ndërmarrjeve shoqërore”, ka potencuar Hajdari për FrontOnline.
Shatri: I sollën dëme ekonomisë
Ish-ministri i Financave, njëherit edhe ish-anëtar i Bordit të AKP-së, Haki Shatri ka folur për Front Online lidhur me deklaratën e Kurtit për shuarjen e kësaj agjencie.
Shatri ka deklaruar se gjatë tri viteve qeverisje asnjë lëvizje s’është bërë krahas premtimit.
Ai thotë se mos aktivizimi i disa aseteve kanë sjellë dëme ekonomike.
“Asnjë premtim nuk e ka realizuar Kurti as këtë për Agjencinë e Privatizimit, asnjë veprim nuk është bërë edhe pas marrjes së një ligji. I kanë privatizu disa prona edhe mbylljen e disa pjesëve që kanë mbet por jo shumë me dinamik këto që kanë mbet kanë shkuar duke u degradu as nuk i ka marr dikush me i aktivizu por kanë mbet në mëshirën e prokurorisë kjo sjell dëme se po të ishin aktivizuar ato asete, ekonomia do të kishte fitim nga to”.