Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Ditëlindja: 24 mars 1975
Vendlindja: Prishtinë
Përkatësia: Lëvizja Vetëvendosje

Albin Kurti ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai është kryetar i subjektit më të madh politik në vend- Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe për nga renditja është kryeministri i katërt dhe i gjashtë i Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.

Sipas biografisë zyrtare, ai iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, ku mori pjesë në organizimin e protestave paqësore për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb. Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi. Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë dhe u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001. Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë të Rrjetit të Aksionit për Kosovën (Kosova Action Netëork) e avancuan atë në subjektin Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ai ishte kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! deri në mars të vitit 2015. Në zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilat u mbajtën në janar të vitit 2018, Kurti garojë sërish dhe i fitoi ato. Në periudhën 2005-2017, ai kaloi rreth një vit e gjysmë si i arrestuar nga UNMIK, EULEX dhe më pas nga Policia e Kosovës për kundërshtim të institucioneve ndërkombëtare që administruan Kosovën dhe më pas po ashtu kundër  veprimeve të institucioneve të Kosovës. Në tri palë zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare në Kosovë, më 2017, 2019 dhe 2021, Kurti ka qenë kandidati i partisë për kryeministër. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe 2019, ai dhe partia e tij fitoi numrin më të madh të votave. Për herë të parë, Kurti e mori drejtimin e Qeverisë më 3 shkurt 2020, por postin e kryeministrit e mbajti vetëm 50 ditë, pasi u rrëzua pas votimit të Mocionit të Mosbesimit të ngrehur nga LDK-ja. Në pozitën e kryeministrit u rikthye me 22 mars 2021, pas suksesit që LVV-ja arriti në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021, duke fituar 50.28 për qind të votës popullore. Postin e kryeministrit Albin Kurti e mban edhe sot.

Patundshmëritë:

1 banesë

Në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit nga viti 2011 e deri në fund të vitit 2018 Kurti nuk ka deklaruar asnjë pronë në emër të tij. Në vitin 2019, Kurti për herë të parë ka deklaruar një apartament prej 67 metrash katror në vlerë prej 400 mijë euro në emër të bashkëshortes së tij në Oslo të  Norvegjisë. Në bazë të një hulumtimi që ka realizuar Instituti për Hulumtime “Front” nuk ka gjetur asnjë pronë në emër të kryeministrit aktual të Republikës së Kosovës.

Të hyrat

Deri në vitin 2016 të hyrat vjetore të kryeministrit aktual  të cilat ai vetë i ka deklaruar në AKK kanë qenë rreth 20 mijë euro, por pas këtij viti të hyrat e tij dhe të bashkëshortes kanë qenë rreth 60 mijë euro në vit. Në formularët e deklarimit të pasurisë në vitin 2022 Kurti ka deklaruar se të hyrat e tij vjetore janë 12,903 euro, deri sa të hyrat e bashkëshortes së tij janë 39,200 euro.

Kreditë:

Në vitin 2019 vlera e kredive të deklaruara nga kryeministri aktual Albin Kurti ka qenë 270 mijë euro, shumë kjo e njejtë e deklaruar edhe në vitin 2022.

 

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.