Albulena Balaj-Halimaj
Ish-zëvendëskryeministre
Ditëlindja: 09.10.1985
Vendlindja: Prizren
Përkatësia: Nisma Socialdemokrate

Albulena Balaj-Halimaj karrierën e saj politike e ka nisur në vitin 2017 dhe dy herë radhazi është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, megjithëse asnjëra nga legjislaturat të cilave u ka takuar, nuk e kanë çuar deri në fund mandatit, por janë shpërndarë para kohe për shkak të rënieve të qeverive.

Bëhet fjalë për legjislaturat gjashtë dhe shtatë të Kuvendit të Kosovës të cilat kanë përfunduar brenda një qarku kohor prej më pak se tri vjetësh.

Gjatë mandateve si deputete, ajo ka qenë pjesë e Komisionit për Legjislacion; Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport; dhe Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Balaj- Halimaj bëri ngritje në karrierë në vitin 2020 kur u emërua zëvendëskryeministre në Qeverinë e Kosovës, e cila përbëhej nga koalicioni LDK-AAK-Nisma. Këtë funksion e ushtroi deri në mars të vitit 2021.

Para se të angazhohet në politikë, ajo ka qenë drejtoreshë në një shkollë dhe asistente në një kolegj.

Për nga niveli arsimor, është master i shkencave juridike kushtetuese, administrative.

Është e martuar.

Patundshmëritë

Shtëpi

Albulena Balaj-Halimaj në deklarimin e pasurisë në vitin 2021 ka deklaruar se ka 3 shtëpi në vlerë prej 334,600 euro, të cilat për herë të parë i kishte deklaruar në vitin 2019. Ajo thotë se këto shtëpi janë prona të përbashkëta me kunetërit dhe të gjitha janë në emër të vjehrrit të saj.

 

Banesë

Nuk ka banesë në pronësi e as si pronë të përbashkët.

Parcela toke

Në pronësi të përbashkët i ka të regjistruara 192 ari tokë: një pjesë e blerë në vitin 2007, dhe pjesa tjetër si e pronë e trashëguar.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2021, pronën që e kishte vlerësuar në vitin 2020 me 760 mijë euro e ka vlerësuar me 76 mijë euro (152 ari), ndërsa atë që e kishte vlerësuar gjatë viteve paraprake me 280 mijë euro, e ka vlerësuar me 28 mijë (40 ari).

 

Të hyrat

Albulena Balaj-Halimaj në vitin 2021 ka deklaruar se të hyrat e saj vjetore janë 14,738 euro, derisa të bashkëshortit 27,000 euro. Burimi i këtyre të hyrave vije nga pozita e saj si zv.kryeministre e Qeverisë së Kosovës dhe bashkëshorti i saj si pronar i NTT-Halimaj Reisen.

Para të kursyera bashkë me bashkëshortin ka raportuar t’i ketë 2 mijë e 815 euro.

 

Kreditë

Albulena Balaj-Halimaj ka deklaruar në vitin 2021 se e ka një kredi në vlerë prej 25 mijë euro.

Vetura

Nga deklarimin i saj të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në pronësi të Albulena Halimajt dhe bashkëshortit të saj janë dy vetura në vlerë 13 mijë euro.

 

Kompanitë

Në vitin 2021, në formularin e deklarimit të pasurisë pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion, Balaj-Halimaj ka deklaruar se me bashkëshortin e saj, Edon Halimajn, i kanë 100 për qind të aksioneve në një kompani të autobusëve, NTT “Halimaj Reisen”, si dhe në pronësi të përbashkët me bashkëshortin e saj posedojnë 100 për qind të aksioneve në Restorant “Prizreni Halimaj Reisen”.

Në vitin 2020, ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës ka zgjeruar veprimtarinë e saj biznesore. Ka hapur edhe një biznes të ri të quajtur “Metal forms SHPK”, me gjithsej 20 mijë euro kapital.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.