Ardian Gjini
Kryetar i Gjakovës
Ditëlindja: 18 janar 1970
Vendlindja: Gjakovë
Përkatësia: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Ardian Gjini që nga dhjetori i vitit 2017 është kryetar i komunës së Gjakovës. Ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës për dy mandate dhe kryetar i Grupit parlamentar të AAK-së. Prej qershorit të vitit 1997 e deri në marsin e vitit 2001 ka qenë kryetar i degës së Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare në Gjakovë. Gjini ka shërbyer si nënkryetar i komunës së Gjakovës deri në tetor të vitit 2000. Është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga marsi 2002 deri në shtator 2003 ka shërbyer si këshilltar politik i  kryeministrit Bajram Rexhepi. Në dhjetor 2004 është emëruar këshilltar i parë politik i kryeministrit Ramush Haradinaj. Në mars 2005 është zgjedhur ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në qeverinë e Kosovës. Në këtë post ka shërbyer deri në dhjetor të vitit 2007. Aktualisht është nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetar i degës së kësaj partie në Gjakovë.

Patundshmëritë:

Një shtëpi familjare që Gjini e ka deklaruar në AKK ka vlerë pothuajse të njëjtë që nga viti 2012 e deri në vitin 2021. Një ndryshim në pasurinë e tij është vërejtur në vitin 2018, kur për herë të parë, ai e ka deklaruar një dyqan. Këtë vit, Gjini nuk e ka deklaruar një tokë ndërtimore e cila ka figuruar në formularët e AKK-së nga viti 2012. Në vitin 2022, ai ka deklaruar se i ka në pronësi 2 shtëpi në vlerë prej 200 mijë euro, një banesë në vlerë prej 30,500 euro, si dhe një dyqan në vlerë prej 190 mijë euro. Gjithashtu, në formularët e vitit 2022, Gjini ka deklaruar se ka në pronësi edhe 2 automjete në vlerë prej 37 mijë euro.

Të hyrat:

Rreth 25 mijë euro janë të hyrat e përafërta vjetore që Gjini i ka deklaruar në formularët e deklarimit të pasurisë. Në këtë shumë përfshihet paga e tij si kryetar komune si dhe paga e bashkëshortes së tij.

 

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.