Atifete Jahjaga
Ish-Presidente
Ditëlindja: 20 pril 1975
Vendlindja: Gjakovë
Përkatësia: E pavarur

Atifete Jahjaga është gruaja e parë që u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës. Në këtë pozitë erdhi më 7 prill 2011, si rezultat i një marrëveshjeje politike ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, të ndërmjetësuar dhe garantuar nga ish-ambasadori amerikan Christopher Dell, me synim të tejkalimit të ngërçit institucional që ishte krijuar në Kosovë pas dorëheqjes së Pacollit nga posti i presidentit.

Para se të vihej në pozitën më të lartë të shtetit, ajo ishte Zëvendësdrejtore e përgjithshme në Policinë e Kosovës.

Që nga themelimi i Policisë, në fillim të vitit 2000, fillimisht shërbeu si police, duke u avancuar në nivel rajonal dhe në atë të Shtabit të Përgjithshëm.

Ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2000, e më pas ka përfunduar edhe Certifikimin Postdiplomik në Menaxhimin Policor dhe të Drejtën Penale në Universitetin e Leicester-it në Mbretërinë e Bashkuar (2006-2007), si dhe Certifikimin Postdiplomik në Shkenca Kriminalistike në Universitetin e Virginia-s në SHBA (2007).

Studimet e Magjistraturës i ka vazhduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Jahjaga shërbeu si presidente e Kosovës deri në prill të vitit 2016, duke ia dorëzuar detyrën ish-liderit të PDK-së, Hashim Thaçi.

Ajo është anëtare e Këshillit të Liderëve Botërore të Grave që nga 2012. Gjatë karrierës së saj është nderuar me çmime të shumta, duke përfshirë: “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Durham (2013), “The Leadership in Public Service Award” nga “The Clinton Global Initiative” (2014), dhe gradën e nderit të “Doctor of Law” nga Universiteti i Leicester-it (2015).

Në Mars të vitit 2018, dy vjet pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar si presidente, Jahjaga ka themeluar Fondacionin Jahjaga – një iniciativë që përqendrohet në fuqizimin e të rinjve dhe grave drejt arritjes së ndryshimeve sociale në Kosovë.

Patundshmëritë

Atifete Jahjaga ka udhëhequr me Presidencën e Kosovës përgjatë periudhës 2011-2016 dhe është e vetmja lidere shtetërore që ka nisur dhe përfunduar mandatin pesëvjeçar pa asnjë pasuri të patundshme të deklaruar. Instituti për Hulumtime “Front” ka hulumtuar nëse ish e para e shtetit të Kosovës pas përfundimit të mandatit ka të regjistruar në Kadastër pasuri të paluajtshme në emrin e saj, mirëpo nuk ka arritur të siguroj dëshmi të tilla.

Të hyrat

50.500 € ka qenë të hyrat e përgjithshme familjare të deklaruara nga ish-presidentja Atifete Jahjaga në përfundim të mandatit të saj, përkatësisht në vitin 2016. Të hyrat e saj kanë qenë nga paga dhe mëditjet si presidente e Kosovës dhe nga paga e bashkëshortit si stomatolog.

Të hyrat familjare të saj, bazuar në formularët për deklarimin e pasurisë, janë rritur nga viti 2013, pas rritjes së pagës së bashkëshortit të saj në sektorin publik të shëndetësisë.

Gjithashtu, për 5 vjet mandat, ish-presidentja Jahjaga ka shumëfishuar paratë e gatshme në sektorin bankar të Kosovës . Mandatin e kishte filluar me 7850 € para të gatshme, ndërsa e ka përfunduar me 87.500 €.

Kreditë

Nuk ka deklaruar kredi në sektorin bankar përgjatë 5 viteve si presidente e Kosovës.

Vetura

Ish-presidentja Jahjaga kur kishte nisur mandatin kishte deklaruar një veturë të markës “Golf” në vlerë prej 6000 euro, përderisa e ka përmbyllur me një veturë të markës “Skoda” prej 16.500 €.

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.