Behgjet Pacolli
Ish- President
Ditëlindja: 30 gusht 1951
Vendlindja: Prishtinë
Përkatësia: Aleanca Kosova e Re

Behgjet Pacolli njihet si politikani më i pasur në Kosovë. Kompania “Mabetex” e themeluar prej tij në vitin 1990, ka zhvilluar projekte të rëndësishme në më shumë se 18 shtete të ndryshme të botës. Në vitin 2005, ai e ka krijuar organizatën “Aleanca Kosova e Re”, me qëllim të lobimit për pavarësinë e Kosovës.

Një vit më vonë, me po të njëjtin emër, Pacolli e ka themeluar edhe partinë e cila në zgjedhjet e vitit 2007 u rendit si e treta në vend, ndërsa ai për herë të parë u bë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Mandatin e deputetit, ai e ka fituar edhe në vitin 2011, dhe po atë vit është bërë president i Kosovës.

Postin e të parit të shtetit nuk ka arritur ta mbajë më shumë se 35 ditë, pasi Gjykata Kushtetuese vlerësoj se gjatë zgjedhjes së tij kishte pasur shkelje procedurale.

Pas dorëheqjes nga posti i presidentit, karrierën politike e vazhdoi si zëvendëskryeministër i parë dhe si ministër i Punëve të Jashtme.

Pavarësisht rënies së fuqisë elektorale të partisë së tij, falë koalicionit me LDK-në, ai vazhdon të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Pacolli është nderuar me shumë tituj e dekorata, mes të cilave bartë edhe dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar “Nderi i Kombit”, çmim i dhënë nga ish-Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.

Pasuria:

Më shumë se 17 milionë euro ka vlerë shtëpia që Pacolli e ka deklaruar ne formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Përveç kësaj, ai ka deklaruar t’i ketë në pronësi 18 parcela tokë brenda dhe jashtë vendit në vlerë prej mbi 14 milionë euro, si dhe objekte biznesi dhe prona jashtë vendit në vlerë prej më shumë se 177 milionë euro. Vlera e pronave që Pacolli i ka deklaruar në AKK, si brenda dhe jashtë vendit, janë të përafërta nga viti në vit.

Bizneset:

Pacolli në deklarimin e pasurisë në AKK ka deklaruar se është pronar, apo aksionar në 18 kompani që operojnë brenda dhe jashtë vendit, ku vlera e aksioneve që i posedon në to gjatë vitit 2021 ka qenë 475 milionë euro. Me ndryshime jo të mëdha, vlera e aksioneve të Pacollit në pesë vitet e fundit është thuajse e njëjtë.

Veturat:

9,990,000 € është vlera e avionit privat që posedon Pacolli. Përpos kësaj, ai ka në pronësi edhe 8 vetura, vlera e të cilave gjatë vitit 2021 ka qenë rreth 900 mijë euro.

Të hyrat:

4,7 milionë € kanë qenë të hyrat që Pacolli i ka deklaruar në AKK në vitin 2021. Përpos pagës prej 1400 euro nga Kuvendi i Kosovës, të gjitha mjetet tjera janë dividend nga kompanitë e tij që operojnë brenda dhe jashtë vendit.

Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.