Dalibor Jevtiq
Ish-zëvendëskryeministër
Ditëlindja: 31 mars, 1978
Vendlindja: Prishtinë
Përkatësia: Lista Serbe

Dalibor Jevtiq është politikan i nacionalitet serb në Kosovë. Ka qenë nënkryetar i Komunës së Shtërpcës dhe në dy mandate- ministër për Komunitete dhe Kthim. Për një kohë ka qenë edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës. 

Jevtiq ka lindur në Prishtinë. Në këtë qytet ka jetuar deri në vitin 1980. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Smederevë. 

Pas luftës, në shtator të vitit 1999, vendosi të kthehet në Kosovë. 

Në prill të vitit 2000, filloi të punojë për një kompani amerikane KBR, Inc. në kampin Bondsteel, afër Ferizajt. 

Nga marsi 2006 deri në shtator 2009, punoi në Irak për të njëjtën kompani si menaxher i një baze ushtarake të ushtrisë amerikane. 

Karrierën e tij politike e filloi në Partinë e Pavarur Liberale në tetor të vitit 2009, kur mori pjesë në zgjedhjet lokale në Shtërpcë. 

Në tetor të vitit 2009 filloi punën si këshilltar dhe shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Shtërpcës. 

Në shkurt të vitit 2010 u bë zyrtar i lartë i Partisë së Pavarur Liberale duke u zgjedhur Drejtor i Partisë. Në mars të vitit 2013 u emërua për herë të parë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. 

Pas zgjedhjeve në vitin 2014 dhe përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës ai u kthye në pushtetin lokal ku në mars të vitit 2015 u bë nënkryetar i Komunës së Shtërpcës. 

Në prill të vitit 2015, me propozim të Listës Serbe u kthye në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. 

Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, ai është zgjedhur kryetar i Komunës së Shtërpcës.

Pasuria e Paluajtshme:

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, Dalibor Jevtiq i ka regjistruar 2 shtëpi. Ato i ka vlerësuar me 320 mijë euro. Njëra, në vlerë prej 120 mijë euro thotë se është e gruas së tij, ndërsa tjetra, në vlerë 200 mijë euro, thotë të jetë e vetja. Në periudhën 8 vjeçare të deklarimit të pasurisë, përjashtim bën viti 2016, ku edhe pse i ka deklaruar tri shtëpi, vlera e përgjithshme e tyre është llogaritur të jetë 256 mijë e 624 euro.

Banesë:

Në periudhën prej vitit 2013 e deri në vitin 2021, Dalibor Jevtiq nuk ka deklaruar të ketë ndonjë banesë.

Parcela toke:

Dalibor Jevtiq ka deklaruar 3 parcela toke. Dy thotë se i ka të vetat, e të cilat i bleu më 2012, kurse një, sipas tij, është e bashkëshortes, e blerë më 2009. Vlera e tyre e përbashkët është 112 mijë euro. 

Të hyrat

Dalibor Jevtiq ka deklaruar se merr pagë vjetore nga Qeveria në shumën prej 16 mijë e 46 euro e 87 cent. Gruaja e tij, merr  4668 euro në vit, para të fituara në MTS DOO, kompani e shërbimeve telefonike të Serbisë. Të dy fitojnë 20 mijë e 477 euro në vit. 

Nuk ka para te kursyera, tash. Megjithatë, në vitin 2020 ka deklaruar se i ka mbi 100 mijë euro para të gatshme në banka. Vërehet një luhatshmëri e parave. Më 2013, 14 dhe 15 mbante 85 mijë euro. 55 mijë euro në 2016. 40 mijë euro në 2017 e 18. Më 2019 dhe 2020 kishte 100 mijë euro.

Kreditë

S`ka kredi. Përjashtim bën vetëm viti 2013 dhe 2014, kur kishte hyrë në kredi- 2230 euro. Duhej t`i kthente brenda një viti (12 muaj).

Vetura

Ka një veturë në vlerë 8 mijë euro. Më herët i ka deklaruar dy. Fillimisht i pati vlerësuar me 35 mijë euro dhe e më vonë me 15 mijë euro.

Aksione

Deri më 2020 kishte 1 %  aksione në Telekom të Serbisë. Ato i vlerësoi me 500 euro. 

 

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.