Dardan Gashi
Ish - zëvendëskryeministër
Ditëlindja: 3 korrik 1969
Vendlindja: Kamenicë
Përkatësia: Lista "Ibrahim Rugova"

Dardan Gashi ka përfunduar studimet e Shkencave Politike dhe Komunikimit në Universitetin e Vjenës.

Karrierën e ka nisur si mbikëqyrës i zgjedhjeve në Bosnje e Hercegovinë në kuadër të OSBE-së.

Në vitin 1997, u bë zyrtar i zgjedhjeve, drejtor i zyrës në terren në Federatën e Bërçkës. Gjatë atij viti, u zhvendos në Kroaci, me pozitën e monitoruesit të të drejtave të njeriut. Vitin pasues lëvizi nëpër vendet ballkanike si pjesë e misionit të OSBE-së.

Pas luftës në Kosovë, Gashi vazhdoi punën me OSBE-në ku kontribuoi në planet për ndërtimin e institucioneve, politikave mediale, regjistrimit të popullsisë dhe zgjedhjeve.

Gjatë vitit 2000, punoi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Tribunalin e Hagës për krime në Ish-Jugosllavi, Iniciativën Evropiane për Stabilitet, etj.

Nga viti 2005 deri më 2008, Gashi vazhdoi karrierën e tij politike në zyrën e zëvendës kryeministrit/Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Fillimisht, e kryesoi grupin punues për decentralizim dhe mori pjesë në të gjitha takimet gjatë Negociatave të Vjenës, si këshilltar i lartë.

Në 2010, Gashi u bë zëvendësministër i Integrimeve Evropiane. Këtë pozitë e mbajti deri në vitin 2011 kur u emërua ministër i Planifikimit Hapësinor nga radhët e Aleancës Kosova e Re. Por, në vitin 2014, Gashi u largua nga ky subjekt politik.

Në vitin 2017, mori pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Kosovës, ndërsa në vitin 2019 u emërua ministër i Diasporës.

Aktualisht Gashi nuk ka ndonjë  funksion publik në institucionet e vendit.

Patundshmëritë

1,030,00 € ka qenë vlera e përgjithshme e pasurive, respektivisht tri shtëpive që i ka deklaruar Gashi në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Kjo vlerë ka qenë e njëjtë plotësisht nga viti 2011 deri në vitin 2015. Në vitin 2017 pasuria e Gashit ka rënë në 530 mijë euro, pasi që banesa prej 500 mijë euro e deklaruar gjatë viteve paraprake nuk ka figuruar më.

Bizneset:

ECHO SH.P.K është biznes që për veprimtari kryesore e ka publicitetin. Ky biznes i deklaruar nga Gashi në formularët e deklarimit të pasurisë figuron në emër të bashkëshortes së tij.

 

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.