Donika Gërvalla – Schwarz
Zv/kryeministre e Republikës së Kosovës dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës
Ditëlindja: 16/10/1971
Vendlindja: Shkup
Përkatësia: Lista “Guxo”

Donika Gërvalla, fëmijërinë e hershme e ka kaluar në Prishtinë. Pas arratisjes së babait të saj, Jusufit, në dhjetor të vitit 1979, i cili u largua me qëllim që t’i shmangej arrestimit nga policia jugosllave për shkak të veprimtarisë atdhetare, edhe ajo së bashku me nënën dhe dy vëllezërit e saj, në janar të vitit 1980 u arratisen në Gjermani.

Pas atentatit të trefishtë në Untergruppenbach më 17 janar 1982, familja Gërvalla vendoset në Tiranë.

Në dhjetor 1990 ishte pjesë e protestave studentore dhe në shkurt 1991 iu bashkua studentëve edhe në grevën e urisë, revolta këto, që çuan deri në rrëzimin e diktaturës në Shqipëri.

Në shtator 1991 ishte bashkëorganizatore e Referendumit për Pavarësi në Tiranë, organizimin ky që i mundësoi shprehjen e vullnetit të qindra qytetarëve të Kosovës që ndodheshin në Shqipëri.

Në qershor 1992, Gërvalla largohet nga Shqipëria për studiuar në Gjermani.

Pas një faze të angazhimit pa funksione partiake, në vitin 2015 u zgjodh kryetare e LDK-së në Gjermani. Pas dështimit të përpjekjeve për reforma të brendshme, në vitin 2018 jep dorëheqje dhe largohet përfundimisht nga LDK-ja.

Donika është kryetare e Listës “Guxo”.

Ajo është zv/kryeministre e Republikës së Kosovës dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, detyrë që e ushtron prej vitit 2021.

Është e martuar me Stefan Schwarz, ish-deputet i CDU-së në Bundestag dhe ka 5 fëmijë.

 

Patundshmëritë

Shtëpi

Në deklarimin e pasurisë, Donika Gërvalla ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi banimi me 150 metra katrorë, vlera e së cilës është 100 mijë euro.

Banesë

Në formularin e deklarimit të pasurisë, i publikuar në vitin 2022, nuk figuron të ketë banesë në pronësi të saj apo të bashkëshortit.

Parcela toke

Gërvalla ka në pronësi një tokë pyjore dhe një tokë bujqësore. Të dyja bashkë vlejnë vetëm 25 mijë euro.

Të gjitha pasuritë e paluajtshme të saj e kanë prejardhjen “trashëgimi familjare”, dhe viti i përfitimit është 2016.

 

Të hyrat

Gërvalla ka deklaruar se i ka 1.292 euro para të gatshme në RBK dhe 40 euro të fëmijëve në Postbank në Bon të Gjermanisë. Ndërsa, për bashkëshortin ka deklaruar t’i ketë 5.278 euro para të gatshme në bankën N26, në Gjermani.

Si zëvendëskryeministre ajo paguhet 1.228.22 euro, ndërsa të ardhura vjetore në Gjermani në institucione gjyqësore i figurojnë në shumën prej 34.664.92 euro.

Si të hyra nga mëditjet e Qeverisë, ajo i ka deklaruar 7.770.08 euro. Gërvalla ka deklaruar se posedon edhe dhurata nga mysafirë ndërkombëtarë në vlerë 700 euro.

Të hyrat vjetore nga Bundestagu të bashkëshortit të saj janë rreth 53 mijë euro.

Gërvalla në vitin 2021 nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, ani pse kjo kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.

Ligji për Deklarimin e Pasurisë e obligon secilin zyrtar me funksione të larta publike të deklarojë secilën pozitë tjetër në institucione publike ose private.

Mosdeklarimi ose deklarimi i rremë i pasurisë hyn te veprat e përcaktuara me Kodin Penal, përkatësisht nenin 430.2.

Kreditë

Nuk ka kredi të deklaruar.

Vetura

Në pronësi të saj është një veturë  Toyota Avensis që kushton 8 mijë euro e që është blerë në vitin 2016 nga të ardhurat personale.

 

P.s. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, po hetohet pasi që dyshohet se nuk e ka deklaruar saktë pasurinë e saj në Agjencinë Kundër Korrupsion, duke fshehur dy biznese dhe pasurinë e burrit e fëmijëve.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Dokumentet
Fronti.org, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.