Pak javë para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, Qeveria e Kosovës mori një vendim, rritjen prej 20% të pensioneve për familjet e kategorive të dala nga lufta, përfshirë dëshmorët, veteranët, invalidët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përfaqësuesit e këtyre kategorive reaguan, duke e quajtur këtë rritje të pamjaftueshme dhe të vonuar.
Shto kësaj tani situatën e tanishme ku qytetarët e Kosovës po përballen me një valë të re të shtrenjtimit të jetesës. Çmimet e produkteve ushqimore, energjisë elektrike dhe shërbimeve kanë shënuar rritje duke rënduar buxhetin e qytetarëve të Kosovës.
Lidhja e Pensionistëve: Pensionistët nuk mund të sigurojnë as një shujtë e gjysmë në ditë
Sekretari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati, është deklaruar rreth situatës në të cilën ndodhen shumë pensionistë. Sipas tij, me të ardhurat që marrin, një pjesë e madhe nuk arrijnë të sigurojnë as ushqimin minimal ditor, një gjendje që ai e përshkruan si një barrë të padurueshme për shumë familje.
‘’Një pjesë e madhe e pensionistëve me këto te ardhura nuk mund te sigurojnë një shujtë e gjysmë ne ditë, kjo është një barrë e pa durueshme’’, tha sekretari i Lidhjes së Pensionistëve për FrontOnline.
Kastrati njofton se Lidhja e Pensionistëve është në prag të zgjedhjeve të reja të organeve dhe se pas përfundimit të këtij procesi, do të ndërmerren veprime për të mbrojtur të drejtat dhe përmirësuar kushtet e jetesës së pensionistëve.
‘’ E dyta , jem para zgjedhjeve te organeve te Lidhjes se pensionistëve te Kosovës, pas konstituimit , me siguri do te ndërmarrim hapa te nevojshëm’’, përfundoi Kastrati.
Përndryshe, në Kosovë janë rreth 150 mijë pensionistë të moshës që marrin veç 120 euro në muaj
Syla kritikon qeverinë në detyrë : Veteranët jetojnë me 204 euro në muaj dhe pa dinjitet
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka shprehur kritika ndaj qeverisë Kurti për trajtimin e veteranëve. Ai e ka cilësuar si fyese dhe të dhimbshme mënyrën se si trajtohen sot veteranët, duke theksuar se pensioni i veteranit u largua nga paga minimale me votat e VV dhe Listës Serbe, një veprim që e quan të papranueshëm dhe turpërues.
‘’ Është e dhimbshme dhe fyese mënyra si trajtohen sot veteranët e luftës. Që nga ardhja në pushtet, z.Kurti nuk ka treguar asnjë kujdes për këtë kategori, përkundrazi nuk e harrojmë faktin se pikërisht me votat e VV dhe Listës Serbe u largua pensioni i veteranit nga paga minimale, një akt i papranueshëm dhe i turpshëm’’, tha Syla.
Syla vë në dukje se veteranët jetojnë me vetëm 204 euro në muaj, pa të drejtë për punë apo pagë shtesë, duke e quajtur këtë një izolim të qëllimshëm dhe padrejtësi që nuk mund të arsyetohet.
‘’ Sot, veterani jeton me vetëm 204 euro në muaj, pa të drejtë për një punë tjetër apo një pagë shtesë. Ky është një izolim i qëllimshëm dhe një padrejtësi që nuk mund të arsyetohet’’, tha Syla.
Ai deklaron se kjo është jo vetëm një çështje ndihme, por edhe dinjiteti, dhe përkujton se sipas statistikave të OVL-së, mesatarisht një veteran vdes çdo ditë.
‘’ Kjo sa është çështje ndihme, është edhe çështje dinjiteti. Mos ta harrojmë faktin që sipas një statistike që ka nxjerrë OVL ,mesatarja e vdekjeve ditore të veteranëve aktualisht është një ne dite’’, përfundoi Syla.
Jashari: Pensionet aktuale më shumë asistencë sociale sesa pensione
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, e konsideron të papranueshme nivelin aktual të pensioneve për familjet e kategorive të luftës, duke i quajtur ato më shumë beneficione sesa pensione reale.
‘’ Pensionet tona krahasuar me çmime që janë Kosovë janë të tmerrshme këto as pensione nuk mund të quhen por beneficione për kategorinë tonë’’, tha Jashari për FrontOnline.
Ai thotë se rritja prej 20% e pensioneve është e pamjaftueshme përballë inflacionit dhe shtrenjtimit të përgjithshëm të jetesës në Kosovë.
‘’Nuk e di si 20% kalkulohet si ngritje kur ne po përballemi me inflacion’’, deklaron ai.
Jashari shton se në këtë situatë, kategoritë e luftës mund të quhen si përfitues të ‘’asistencës sociale’’, dhe thekson se çdo qeveri e ardhshme duhet të marrë seriozisht nevojën për ngritje reale të pensioneve për këto kategori.
‘’ Kushdo që të vjen në qeveri duhet ta ketë parasysh se kategorive të luftës duhet tua ngritin pensionet sepse deri tani mund të kualifikohemi sit ë jemi me asistencë sociale ‘’, përfundoi Jashari.